Xhoi Jakaj: Policia dhe protesta
Duhet ndjeshmëri për çdo dhimbje të një punonjësi policie, sidomos për femrat që nuk e kanë pasur aspak të lehtë të fitojnë konkurset fizike dhe teorike, as të bëhen pjesë e policisë, se për ata që nuk e dinë mirë sot nuk ka në radhët e Policisë së Shtetit asnjë police pa shkollimin përkatës.
Mos harroni që ata janë heronj, punojnë në shi, deborë, në erë të ftohtë e në temperatura të larta mes pluhurit në rrugë të ndryshme, mes rrezikut e panikut njerezor, përballen me krimin dhe kriminelin, hajdutërinë dhe hajdutin, me dhunën e dhunuesin, me probleme që as nuk i imagjinoni dot.
Unë kam pasur gjatë jetës sime një punë me afat kohor të gjatë me policinë e burgjeve dhe forcat e policise më kanë lënë mbresa të pashlyera, sepse janë të vullnetshëm, për asgjë nuk krijojnë probleme artificiale, por i japin zgjidhjen e duhur, njerëz të dëgjueshēm, kokëulur dhe punëtorë në të shumtën e rasteve.
Ndaj politika të mos i nëpërkëmbe forcat e policisë sepse jo një gisht, dy, apo më shumë gishta, por dhe një qime floku e një punonjësi policie nuk duhet preket, përpos mënyrës se si po trajtohet incidenti me protestën e djeshme…të dy palët akuzojnë njëra- tjetrën dhe nuk i hyjnë në thelb problemit, pse agravoi protesta deri në dhunë, çfarë zgjidhje afrohet për këtë kategori, në gjithë botën shteti strehon të pastrehët, ne shtojmë numrin e tyre e pastaj policia vuan pasojat e protestave të të dëmtuarve dhe flakjes së tyre në rrugë.
Policia dhe qytetaria në këtë vend do lëngojë gjatë deri sa politika ka hyrë në gjithë qelizat e trupit të shqiptarit, jo se duam, por nuk ka asnjë mundësi askush të sigurojë një vend pune, as ta mbrojë atë pa u rrokur e përqafuar me një parti politike, e në Shqipëri është politizuar, policia, arsimi, shëndetësia e shumë sektorë të tjerë që realisht duhet të ishin në shërbim të qytetarit dhe jo të politikës e politikanit për interesat e tyre.
Jam me ligjin dhe mbrojtjen e të dobëtit, por dhe mbrojtjen e punonjësve të policisë që nuk kanë asnje faj për përdorimin e tyre prej vitesh nga politika.
Ina Muka, vajza police me ëndrra për të realizuar veten dhe zbatuar ligjin, sot lëngon nga mungesa e zbatimit të ligjit dhe qytetarisë…rast plot dhimbje…
Diktaturat sjellin dhimbje për punonjësin e policise dhe njeriun e pamundur…për gjithkënd që do lirinë e mendimit, e veprimit, diktaturat janë të vështira për t’u rrëzuar… e kur ato zënë rrenjë të thella në pushtet të gjithë janë të lënduar dhe pa shpresë…