Banorët e “Astirit” në protestë, Basha: Rama po keqpërdor policinë
Banorët e Unazës së Re janë mbledhur sërish pasditen e sotme për të protestuar kundër prishjes së banesave. Nën thirrjet “nuk lëshojmë shtëpitë tona” dhe “poshtë qeveria”, banorët e zonës së Astirit kanë bllokuar sërish rrugën. Në protestën e tyre janë të pranishëm edhe kreu demokrat Lulzim Basha, së bashku me deputetë të PD-së dhe LSI-së. Në fjalën e mbajtur Basha tha se projekti për Unazën e Madhe të Tiranës është një aferë, ku sipas tij, një centimetër kushton 2 mijë euro. Basha i bëri thirrje policisë së Shtetit që të mos bëhet vegël e qeverisë. “Kjo vepër publike është prokuruar, jemi para një afere. Jemi në mbështetje të tyre dhe të shtëpive të tyre. Edi Rama duhet t’i vejë gishtin kokës. Afera është e qartë, 40 milionë euro, 2 mijë euro për cm. Mijëra vogëlushë dalin nga shtëpitë. Po vidhen shqiptarët nga PPP. Vjedh 40 milionë euro për të mbushur thasët. Ky është projekt i agait të Surrelit. Jemi në krah të banorëve. Rama po keqpërdor policinë. Të mos bëhet vegël policia. Policët të mos dalin kundër ligjit”, deklaroi Basha.