Albspirit

Media/News/Publishing

Kur lëndohet zemra e poetit, lëndohen edhe zemra tona

Prof. As.Bernard Zotaj

Librat që vijnë në dritë me përjetime, shpresa, gëzime dhe vuajtje, janë libra që u rezistojnë kohëve dhe shfaqen me tërë madhështinë e tyre për ndjenjën më sublime, dashurinë. Poezitë ku autorja shpalos ndjesitë dhe mendimet për jetën, e bën lexuesin mjaft emocionale. Kështu na vjen në këtë libër poetja Anila Karapidou, e thjeshtë, e natyrshme, me një mozaik të veçantë dhe individual në vargjet e saj. Të gjitha poezitë e këtij vëllimi të parë të autores vijnë këndshëm tek lexuesi me ndjenja, me dhimbje dhe me emocione.

“Kur lëndohet zemra e poetit”, është titulli i vëllimit me poezi, por që të gjithëve na lëndohen edhe zemra tona për problemet dhe shqetësimet që vijnë rrjedhshëm në çdo poezi dhe në çdo varg të librit.

“Kur lëndohet zemra e poetit” është një libër me poezi të zgjedhura dhe kërkon tashmë të ballafaqohet me lexuesin, pasi i ka mbajtur për vite me radhë në fletoren e shënimeve të saj. Botimi i parë i autores përbën një hap të rëndësishëm në jetën e saj si krijuese, duke sjellë një libër që në çdo faqe të tij na përcjell përgjegjësi dhe dashuri për jetën.

Kur e mbaron së lexuar këtë libër të thjeshtë në dukje, por me një botë të pasur shpirtërore, lexuesi vihet në mendime dhe me zemër i thotë se ke sjellë një botë ndryshe, një poezi ndryshe dhe një mendim ndryshe. Në poezitë e Anilës duket sikur jeta valëzon, mendimi progresiv zë vend, dashuria rritet, intriga mposhtet, dhimbja shpirtërore bëhet besim, vullneti merr fuqi, atdhedashuria rinohet dhe paqja mbretëron.

Poezia e Anilës është e thjeshtë, kërkuese dhe këmbëngulëse në arritjen e misionit të saj. Në poezi ajo nuk paragjykon, por as nuk nënshtron. Anila e përcjell vargun me ndjenjë, por të fortë, të qëndrueshëm dhe tepër të goditur. Në çdo poezi shfaqet shpirti poetik i saj, vargjet rrjedhin si ujvara dhe me një butësi, të ashpra dhe tringëllonjëse për problem dhe fenomene të kohës, për natyrën e bukur shqiptare, por dhe për ndjenjën njerëzore të gruas shqiptare. Në librin “Kur lëndohet zemra e poetit” vargu i poezisë ka hapësirë, dritë, takim me njerëzit, bashkëbisedim me veten duke ecur, pranon dialogun dhe zhvillon ide, mendime dhe shikim të qartë.

Në udhëtim e saj disa vjeçarë me poezi ajo na shfaq ndjenja për jetën, e prek dhe e do të bukurën, jep shpresë, kërkon për realizimin e dëshirave dhe jo të jetë pesimiste dhe e venitur karshi fenomeneve djallëzore. Ndjenjat e saj vijnë si një mekanizëm i fuqishëm, ato të ndryshojnë fytyrën dhe trupin, të japin dashuri dhe të vendosin realitetin e kohës që jetojmë. Në 83 poezitë e librit shfaqen ndjenja, shfaqet një rregullsi, që autorja e ka dhe kërkon të fisnikërojnë çdo njeri që lexon këto poezi, për t’u dhënë frymëzim për jetën dhe shijuar hapësirat e universit, ku ndjenjat s’njohin kufizime.

Për ilustrim të thjeshtë, po marr poezinë që ka për titull dhe libri. Autorja na ka vendosur së pari përballë malin që ndjen dhimbje, retë që bien vetëtima, diellin që lind me përtim, dëborën që nxihet dhe detin që egërsohet. Tërë natyra është ngritur kundër njeriut që lëndon zemrën e poetit… Kështu janë të gjitha poezitë e këtij vëllimi të parë të autores Anila Karapidou. Udhëtim të mbarë në këtë start të nisur dhe në vëllimin tjetër të vish me titull “kur këndon zemra e poetit…”.

Please follow and like us: