Albspirit

Media/News/Publishing

Neranxi, letër publike Ambasadores së Greqisë në Shqipëri, Znj. Eleni Sourani

Cili është roli juaj në planin e ri të grabitjes së pronave në Himarë?

E nderuara zonja Ambasadore! Vendosa t’ju shkruaj një letër të hapur, ashtu siç i ka hije një njeriu të lirë, të hapur, të drejtpërdrejtë dhe mbi të gjitha, një njeriu i cili nuk ka asgjë për të fshehur. Institucionin që ju drejtoni, e kam vizituar me kërkesën tuaj rreth dy vite më parë, pikërisht atëherë kur ne banorët e Himarës u ngritëm në protesta kundër grabitjes masive të pronave, i kamufluar si Rikualifikim Urban. Në fakt ai plan parashikonte të shkatërroheshin shtëpi dhe të grabiteshin toka private, ndërkohë që ne nuk kishim marrë ende çertifikatat e pronësisë. Asokohe, ju i premtuat banorëve të Himarës se do të ishit në krah të tyre, meqë shumica prej tyre kanë pasaporta greke.

Gjatë kësaj kohe, në takimet tona, ju a kam shprehur hapur se çfarë mendoja për rolin e Ambasadës Greke dhe të shtetit grek në lidhje me Himarën. Që në kohën kur isha deputet (2005-2009) dhe kishte filluar të grabitej Dhërmiu dhe Jali, unë e denoncova këtë vjedhje në Parlament, madje vendosa të bëj dhe një miting në Himarë për të bashkuar popullin kundër kësaj plaçkitjeje. Asokohe Vasil Bollano, Kryetar Bashkie dhe i Omonias, e sabotoi mitingun tim duke iu thënë himariotëve se pronat do i merrni me ndihmën e shtetit grek dhe se nuk kanë nevojë për mbështetjen e deputetëve shqiptarë! Edhe kur isha në Amerikë rreth një vit më parë, ku iu bëra thirrje himariotëve për tu rikthyer në Himarë, që të bëhemi bashkë e të luftojmë për pronat tona, mora të njëjtën përgjigje: ”Nuk është e nevojshme, sepse ne na mbron shteti grek”!

Kam 28 vite që e dëgjoj këtë refren dhe po kaq vite që shoh Bregun të grabitet në mënyrë të pamëshirshme, ndërkohë që shumica e himariotëve presin Greqinë që t’i shpëtojë! Në të vërtetë, nuk kam parë gjithë këto vite, ndonjë reagim të sinqertë dhe efiçent të institucionit tuaj, që të zgjidhë përfundimisht hallin e banorëve të Himarës. Pikërisht për këtë arsye, në bisedat që kemi patur bashkë, ju jam lutur që t’ia thoni hapur banorëve të Himarës, se pronat në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet t’ja kërkojnë vetëm institucioneve shqiptare. Përndryshe e kanë betejën të humbur siç dhe ka ndodhur në shumicën e rasteve.

I ndodhur në mes të këtij lëmshi, pasi fati e deshi të lind në Himarë, shihja për ditë që laku filloi të ngushtohej dhe po kërcënoheshin shtëpitë 500 vjeçare të Spilesë, përfshirë edhe shtëpinë e Neranxajve, së bashku me toka dhe ullishte. E pamë se ishim të pambrojtur nga askush, prandaj së bashku me banorët e lagjes tonë, bëmë Shoqatën për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë e cila vendosi të ndjekë rrugën ligjore duke e paditur projektin në Gjykatë.

Koha kaloi dhe dukej sikur pushteti qendror si dhe ai lokal po prisnin vendimin final të Gjykatës, por ne si Shoqatë, pasi i humbëm gjyqet në shkallë të parë dhe Apel dhe siç dihet, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese nuk funksionojnë, vendosëm që padinë tonë ta çojmë në Strasburg. Pikërisht në këtë moment, pushteti qendror dhe ai lokal i Himarës, duke e parë që do ta humbnin këtë betejë ligjore e cila shkel të drejtën thelemore të njeriut, atë të pronës, rreth një muaj më parë, në fshehtësi të plotë dhe pa dijeninë e banorëve, miratuan një projekt tjetër, pa bërë asnjë dëgjesë publike dhe mbi të gjitha, pa u regjistruar akoma pronat tona. Projekti parashikon ndërtim rrugësh që kalon në toka private (pasi në Himarë nuk ka toka shtetërore) të cilat kushtojnë edhe më shumë se shtëpitë.

Para tre ditësh, në një artikull të faqes himara gr. mësuam se ky projekt i cili ka sjellë tashmë fadromat në Himarë, është firmosur nga Kryetari i Omonias Alfred Beleri dhe gjashtë anëtarë të tjerë të Omonias Himarë, në emër të pronarëve, prona e të cilëve cënohet nga ky projekt. Ata thonë që e kanë marrë këtë vendim edhe me miratimin e Ambasadës Greke në Shqipëri.

Shoqata që unë drejtoj, po merr të gjitha masat që të padisë në Gjykatë të gjithë ata që kanë bërë këtë veprim antiligjor si dhe kemi vënë në dijeni intitucionet e shtetit shqiptar duke filluar nga Presidenti, për sa po ndodh në Himarë.

Në këto kushte, ku tokat tona po grabiten, ne duam të dimë se cili është roli juaj në këtë histori? A është e vërtetë që Kryetari i Omonias ka marrë miratimin e Ambasadës Greke për të hedhur një firmë totalisht antiligjore, duke na përfaqësuar ne banorëve, pa marrë miratimin tonë? Banorët e Spilesë, Himarë dhe njëkohësisht dhe anëtarët e Shoqatës që unë drejtoj, janë shumë të shqetësuar dhe kërkojnë një përgjigje sa më të qartë dhe të shpejtë nga ana juaj, sepse ata duan të sqarojnë pozicionin e çdo aktori në këtë çështje, që për ne himariotët është jetike. Himariotët e ndershëm, të cilët nuk shitet dhe nuk blihen për asgjë, por thjesht duan të jetojnë të qetë në shtëpitë e tyre dhe të gëzojnë pronat e tyre, janë të lodhur nga kjo lojë që ka 30 vite që po i mban peng. Politika (këtej dhe andej kufirit) dhe interesat meskine të disa individëve, e kanë përlyer pa të drejtë një vend aq fisnik dhe me histori aq të lavdishme. Nacionalistët ekstremistë i sulen himariotëve sikur të jenë e keqja e këtij vendi edhe pse ata, njerëzit e thjeshtë, përfshirë edhe mua, duam vetëm të mos na cënohen pronat tona, ne nuk na intereson fare politika dhe mbi të gjitha nuk duam më që lojrat e shëmtuara nacionaliste të çfarëdolloj ngjyre, të kenë për arenë Himarën! Kam besim, se në respekt të banorëve të Himarës, do kemi një përgjigje nga ju.

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës, Himarë/Gazeta Panorama 4 dhjetor 2018/

Please follow and like us: