Albspirit

Media/News/Publishing

PSE “REPUBLIKA E RE” E SHUAN ZJARRIN E UNAZËS SË RE?

Astrit PATOZI

Unë jam shumë dakord me Andi Bushatin që kjo qeveri është e korruptuar dhe se atë e kanë të vështirë për ta mbrojtur në këtë pikë edhe avokatët e vet mediatikë. Madje edhe që ajo ka ndërmend të vjedhë në çdo projekt të madh të saj, duke përshirë pa asnjë dyshim Teatrin apo Unazën e Re.

Por mendoj se kjo nuk ka asnjë lidhje me protestën e Astirit, e cila nuk ka nisur dhe as po bitiset për këtë shkak. Sepse banorët e Unazës së Re nuk janë ngritur atje se janë shqetësuar nga çmimi i lartë për kilometër i rrugës, që do të ndërtohet më vonë, por për të ruajtur shtëpitë e tyre nga prishja sot.

Në rastin më të keq, për t’u marrë një dëmshpërblim të mirë atyre, nëqoftëse qeveria nuk do të tërhiqet. Dhe ata janë plotësisht legjitimë në pretendimin e vet. Sikurse të gjithë ne e dimë se deputetët e parë të PD dhe LSI mbërritën tek Unaza e Re vetëm disa ditë pasi protesta kishte filluar.

Nëse opozita zyrtare do që të protestojë për korrupsionin galopant dhe të gjithëpërhapur të qeverisë, ajo nuk ka pse qëndron tek Astiri, sepse aty vetëm ndonjë fadromë apo buldozer të kompanive private mund të gjejë.

Aty e ka kryeministrinë, le ta rrethojë dhe të qëndrojë atje deri në rrëzimin përfundimtar të Edi Ramës. Le t’i bashkohen asaj proteste madhështore edhe banorët fatkeqë të Unazës së Re, sepse nuk e kanë shumë larg, por dhe qëllimin e arrijnë njësoj ashtu. Dhe me atë rast opozita nuk shpëton vetëm shtëpitë e tyre nga prishja, por çliron një popull të tërë nga një qeveri që po i merr shpirtin, duke e grabitur dhe poshtëruar.

Problemi është se Lulzim Basha e di shumë mirë që nuk e ndjek njeri në kauzën e vet të rreme për të çliruar shtetin nga korrupsioni dhe oligarkia. Dhe për këtë shkak, ai po ndjek çdo rast, ku protestohet ndaj qeverisë, pavarësisht motivit që i shtyn njerëzit të revoltohen.

Ndaj edhe sot jemi katandisur në pikën kur njerëzit në hall nuk kanë ndonjë shpresë se do ta zgjidhin atë duke u drejtuar nga opozita, ndërsa kjo e fundit po përpiqet dëshpërimisht të zgjidhë hallin e vet, duke përgjuar çdo vend ku mblidhen njerëz.

Hija e mashtrimit me gjoja kauzën e “Republikës së Re”, e cila shfaqet para njerëzve sa herë që kryetari i Partisë Demokratike merr poza serioze dhe trash zërin kundër qeverisë është një taksë e rëndë, që do të paguhet për një kohë të gjatë. Sepse të gjithëve u kujtohet ajo shprehja legjendare “më gënjeve një herë, është faji im, më gënjeve dy herë…”

Është kjo arsyeja se përse numri i protestuesve tek Unaza e Re nuk ndryshon shumë, si kur shkon rrallë e për mall Lulzim Basha, ashtu edhe kur qëndron shumë e për lumë në cilësinë e deputetit dëzhurn Klevis Balliu.

Please follow and like us: