Albspirit

Media/News/Publishing

Piloti i parë shqiptar garon në Moto-3 me veshjet “Albania”

Në sportin e garave me motor të kampionatit spanjoll, sivjet në pranverë do të kemi për herë të parë një garues shqiptar.

Ai është Argëtim Ramadani, 17 vjeç, dhe motoçiklisti i parë shqiptar që do të shënohet në historinë e garave CEV Moto 3 të kampionatit spanjoll.

Argëtimi ka kaluar këtë muaj me sukses provat në Albacete të Spanjës, ku tani edhe zyrtarisht është pjesë e ekipit Pinamoto RC Corse, shkruan albinfo.ch.

Më 10 prill 2016 ëndrra e tij është bërë realitet, piloti shqiptar kishte startuar me motorin honda NSF 250 në kalendarin e klasës CEV Moto3, ku janë të regjistruara 7 gara që do të mbahen gjatë një sezoni. Kurse dy ditë para gares, janë të rezervuar për prova zyrtare para-sezonale.

„Pas një kohe shumë të gjatë më në fund ëndrra ime u bë realitet, jam shumë i lumtur që këtë sezon 2016 do të garoj në Kampionatin Spanjoll CEV në klasën Moto3 me Pinamoto RS Racing Team (RTG Spain)“, na shkruan Argëtimi.

Në kampionatin spanjoll Moto 3 marrin pjesë garues nga e gjithë bota dhe njihet si kampionat i një niveli shumë të lartë garues. Mirëpo kjo atë nuk e tremb, përkundrazi e motivon për suksese më të mëdha, për ta bërë familjen krenare, kombin e Shqipërinë, dhe të gjithë ata që e mbështesin, premton Argëtimi.

„Ky kampionat ka një shikueshmëri botërore, ku marrin pjesë garues nga vende të ndryshme të botës. Argëtim Ramadani gjatë tri viteve të fundit ishte pjesë e kampionatit të Evropës Lindore në kategorinë 125 SP, ku në njërën nga to, në Serres të Greqisë, ka dalë fitues i garës.

Në botën e motoçiklizmit nuk falet asgjë…

„Ëndrra e çdo garuesi motorësh është Moto-GP, por kjo është një rrugë shumë e gjatë dhe e vështire. Qëllimi më i afërt është që të arrij të garoj në kampionatin Moto-3 Botëror dhe pastaj në qoftë se kam përkrahje të sponsorëve dhe në qoftë se kam sukses do të vazhdoj të garoj ne Moto-2 dhe më vonë në kategorinë më të lartë, në Moto-GP“, shpalos synimet piloti që jeton në Kerçovë. Mirëpo
rruga deri në Moto-GP është tepër e vështirë, flet motoristi i ri që për çdo muaj udhëton nga Kerçova drejt Spanjës me një kosto sezonale deri në 55 mijë euro. „Në këtë kampionat nuk fitohet asgjë. Babai im më mbështet me mbi 50 mijë euro. Por, unë pas këtij kampionati planifikoj të kaloj në Moto-3 të kampionatit FIM CEV REPSOL, aty mandej pres të marr ca përfitime të vogla“, shpreson ai.

„Albania“ shfaqet krenare në veshjet dhe motorin e ri të pilotit shqiptar

Argëtimi ka zgjedhur një përformancë krejtësisht të paparë deri më tani në kampionatin Moto-3. Djaloshi që është rritur e jeton në Maqedoni, në zemër ka flamurin me shqiponjën dykrenare, ka Shqipërinë, më të cilën shpreson ta realizojë ëndrrën e tij duke ngre lartë flamurin kuq e zi. Ai nuk e fsheh kënaqësinë që i sjell dizajnimi i ri i motorit me shqiponjën dykrenare dhe paraqitjes së tij me veshje kuq e zi të shkruar me të bardhë Albania. „Po, unë garoj me ngjyrat e Shqipërisë. E kam bërë vetë këtë zgjedhje për shkak se dua ta prezantoj në këtë sport, vendin tim, Shqipërinë. Kjo është ëndrra ime“, thotë ai në fund të bisedës me albinfo.ch.

Please follow and like us: