Neranxi: Rama i fyu përsëri sot studentët! Arroganca është më e fortë se sa hipokrizia brenda tij…
Rama i fyu përsëri sot studentët. Ditën e parë i quajti ngelësa, të dytën u mundua t’i joshë duke iu ofenduar inteligjencën dhe sot ju tha se i drejton ariu!!! Arroganca është më e fortë se sa hipokrizia brenda tij, prandaj nuk arrin dot ta mbajë nën kontroll. Ashtu sikundër po vdes të marrë vesh se kush janë liderat shpirtërorë të studentëve, që kur t’i zbulojë, të kërkojë t’i blejë apo t’i mashtrojë, siç ka bërë gjithmonë.
Në fakt kjo puna e liderve, është shumë më e thjeshtë se sa të gjitha teoritë konspirative të ngritura gjithë këto ditë.
Gjithçka nisi vetëm pak muaj pasi Rama erdhi në pushtet dhe u kuptua menjëherë se cili ishte qëllimi, pasurimi i tij dhe i një grushti njerëzish përreth tij. Për pjesën tjetër kishte rezervuar dy alternativa; ose skllevër të bindur të tyre ose të ikin në Gjermani të pastrojnë uturakët e pleqve atje.
Për këtë arsye ne jemi ngritur disa herë për të kërkuar të drejtat tona, ndërkohë që, sapo protestat fillonin të bëheshin serioze, ai apo njerëzit e tij, kërkonin negociata. Kam qenë vetë prezent dhe një nga drejtuesit, në të paktën tre beteja të mëdha kundër këtij pushteti; kundër taksave të papërballueshme të biznesit, kundër tarifave vendore, kundër rritjes së çmimit të ujit dhe energjisë dhe kundër grabitjes së pronave në Bregdet. Në çdo rast na kanë kërkuar bisedime. Në çdo rast unë nuk kam qenë dakord. Disa kanë pranuar. Kështu, ata pa kuptuar dhe pa dashje, i kanë shërbyer zgjatjes së pushtetit të Ramës & Company pasi në këtë mënyrë, dukej sikur kishte mirëkuptim mes udhëheqësve dhe popullit. Ndërkohë asgjë nuk ndryshonte!
Po ku jemi sot? Taksa, tarifa vendore, energji elektrike, ujë, karburant, disa herë më shtrenjtë se para vitit 2013 dhe një varfëri ekstreme. Ata që u ulën për të negociuar me Ramën vite më pare, me shpresën që zgjidhjen do ju a japë ai që në fakt e shkaktoi problemin, sot e kanë kuptuar që kanë gabuar. Sot, kur fëmijët e tyre iu kërkojnë para për shkollë, ata nuk kanë më çfarë t’ju japin, ju a mori Rama edhe qindarkën e fundit. Në këto kushte, studentët, edhe pse punojnë, shohin që paratë nuk iu dalin.
Kushteve skandaloze të konvikteve me tavane që bien dhe auditoreve pa karrike, iu shtohen edhe pagesat e babazisë së pushtetit. Prindërit që gabuan dje dhe u gënjyen nga negociatat e Ramës, sot kanë porositur fëmijët të mos bëjnë gabimin e tyre. Prandaj studentët sot janë kaq të qartë dhe të vendosur në rrugën e tyre, sepse ata kanë si udhërrëfyes dhe lidera shpirtërorë, vetëm prindërit e tyre!