Albspirit

Media/News/Publishing

PROTESTAT E RINISË STUDENTORE NUK DUHET TA ZBEHIN ASESI VËMENDJEN E SHOQËRISË NGA VETINGU I POLITIKËS SHQIPTARE…!

Fotografia e Unioni Shqiptar i Shoqerise Civile - USHC

 

Dashamir Uruçi

 

Faktorë të brendshëm e ndërkombëtarë, kanë ndikuar pa dyshim, në ngritjen në këmbë, në mënyrë masive, të rinisë studentore.

Pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme, për ta politizuar revoltën, deri më tash, studentët kanë arritur të lënë jashtë faktorët e njohur të opozitës shqiptare.

Rreagimi i të rinjve, për delegatët e politikës apo të futurit e tjerë, ka qënë i prerë dhe i dukshëm, për mbarë opinionin publik.

Personazhe të njohura të partive opozitare dhe të organizatave rinore pranë tyre, kanë dështuar në misionet, për ta kontrolluar, menaxhuar apo shfrytzuar protestën e rinisë, për kapital politik.

Si asnjëherë tjetër, qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, po tregohen shumë të përmbajtur e shumë të vëmendshëm ndaj këtyre zhvillimeve.

Ata po binden gjithnjë e më shumë se protestat e Rinisë janë të drejta dhe zëri i saj duhet dëgjuar.

Nga ana tjetër, qytetarët janë shprehur, për kujdesin dhe ndjeshmërinë e lartë që duhet të demonstrojë qeveria shqiptare, për zgjidhjen e kërkesave të protestuesve.

Është në interesin e Shqipërisë që protestat ta ruajnë karakterin e tyre paqësor, për ta ruajtur të ardhmen tonë të përbashkët, nga dëmet e rënda të anarkisë e të dhunës, të cilat ne shqiptarët, fatkeqësisht i provuam disa herë, në vitet e tranzicionit absurd, tridhjetë vjeçar.

Duke parë nga afër situatën dhe veçanarisht duke dëgjuar, deklaratat e politikanëve të të dyja krahëve, vihet re diletantizmi i maxhorancës për menaxhimin e krizës dhe nga ana tjetër, etja e opozitës për rëndimin e situatës, në emër të «përkrahjes së kërkesave e halleve» të rinisë studentore.

Në deklaratat e maxhorancës, kuptohet qartë, mosnjohja e gjendjes reale, ekonomike në Shqipëri, në përgjithsi dhe jo vetëm mosnjohja e problemeve ekonomike e më gjerë të rinisë universitare. Kuptohet qartë, shkëputja e atyre që e drejtojnë Shqipërinë sot, nga hallet e qytetarëve, nga problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë njerëzit e këtij vendi.

Kryeministri, megjithë punët e shumta e përgjegjësinë e madhe që ka, duhet të gjejë kohë të dëgjojë e të bëjë kujdes për deklaratat publike të ministrave të vet. Deklaratat e shefit të financave të qeverise shqiptare, për gjendjen dhe zhvillimet në ekonominë e vendit, këto kohët e fundit, janë irreale dhe të neveritshme. Në gojën e një anëtari të qeverisë, këto qëndrime sjellin dëme në marrëdhëniet e shtetit me qytetarët dhe e largojnë votuesin, gjithnjë e më shumë nga politika.

Në krahun tjetër, atë të opozitës, vihet re «përkrahja e gjithanshme e ngazëllyese», në çdo rast e për çdo gjë, të protestave. Thellë-thellë, opozitës aktuale i intereson rëndimi i situatës mbase edhe më shumë se kaq. Asaj i intereson rënia e menjëhershme e qeverisë Rama dhe futja e Shqipërisë, në procesin e zgjedhjeve të parakohshme.

Një gjë e tillë, do ta largojë vëmendjen e përqëndrimin e shoqërisë shqiptare, nga VETINGU I SHUMËPËRFOLUR si dhe do të ngadalsojë procesin e krijimit e të funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat me mundime të mëdha po ngrihen në Shqipëri.

Një gjë e tillë, do të shpëtonte përfundimisht politikanët e korruptuar nga ndëshkimi dhe do t’i hapte rrugën krimit të organizuar në Shqipëri.

Në këto ndërthurrje të interesave pozite-opozitë, nuk duhet të harrojmë se janë pranë nesh edhe ndërkombëtarët e veçanërisht SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS.

Krahas qytetareve shqiptarë, amerikanët janë më të interesuarit për realizimin e reformave në drejtësinë shqiptare.

Shpresojmë se ata do të vazhdojnë, do të nxisin e përshpejtojnë, procesin e VETINGUT në Shqipëri duke mos u ndalur e «impresionuar» nga zhvillimet me të fundit.

Protestat e Rinisë e qytetarve shqiptare janë të drejta por VETINGU në drejtësinë e politikën shqiptare është jetik e përcaktues, për të ardhmen e Shqipërisë e të brezave që vinë…!

 

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC.

Tiranë, 11 Dhjetor 2018.

Please follow and like us: