Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Hushi: Letër e Hapur, zotit Edi Rama!

Zoti Kryeministër!

Po ju shkruaj nga larg me të drejtën e një qytetari shqiptar që dikur i shërbeu PS-së dhe me vetëdije të plotë ju suportoi bile dhe ju admiroi! Nuk jam penduar aspak për asnjë veprim që e kam bërë me bindje në përputhje të plotë me vullnetin tim të lirë. I kuptoj shumë mirë edhe disa nga punët e tua të mira për të cilat ju paguheni dhe gëzoni të gjitha privilegjet e pushtetit me votat dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë! Por duke e ndjerë se puthadorasit dhe këshilltarët që gjithashtu si shoku Enver dikur s’keni ngurruar t’i merrni nga fshati edhe me 7 klasë shkollë, ju konsiderojnë si Zeusi!

Por më lejoni t’ju kujtoj me bindje se megjithë zgjuarsinë tuaj të rrallë batutore, ju nuk po arrini dot në nivelin e një burri shteti! Bulizmi juaj shpesh ju lë “down” në nivelin e nje “cool”-i të një lagje Tirane!

S’lini njeri pa sharë e damkosur!

Quani kazan median që më së shumti e keni blerë dhe gazetarë që dikur ju kane plagosur me shpifjet si prind ua pranoni shërbimet me pagesë, mjafton të shajnë dhe tu nxijnë jetën kundërshtarëve dhe kritikëve tuaj!

Eshtë me të vërtetë tragjik transformimi juaj, kur kujtoj refleksionet tuaja dikur, kur unë si ish-student i Arteve ju ndiqja si një idhull! Ju armiku dhe çjerrësi i maskës së diktatorit, jeni bërë vetë si ai!

Nuk e prisja kurrë, t’i drejtoheshit Taulant Mukës si “larvë”! Por fatkeqësisht, ju mu dukët më i vogël se larva vetë! Ju që duhej të ngriheshit mbi mllefin e një sedërvrari e të një namuzliu tekanjoz! Ju duhet të tregoheshit burrë shteti; ta falënderoje këtë djalosh trim, të mençur e të zot që po të afrohet si meteor dhe po ta djeg pushtetin dhe marketingun qeverisës në duar!

Kërkoji falje Taulantit me kurajë burri dhe Taulantëve të tjere qe ti i ke përzënë nga Atdheu!

Lëre arrogancën e pushtetit dhe dil mbi guaskën e mendjemadhësisë e të gjithëpushtetshmit. Ndalo bulizmin dhe falëndero popullin tënd që po të mban mbi krye, të cilin ti po e varfëron më shumë me sjelljen tënde në krye të tepsisë! Mos dëgjo këshillat e servilëve që të rrethojnë dhe të një qeverie të nënshtruarish që ke përreth!

Bëje zemrën e madhe dhe lëre flladin popullor të të vijë në zyrën e luksit me të cilin je rrethuar! Lëre teatrin fushator dhe merru me punë të vërteta! Njerëzit s’janë aq budallenj sa ç’i mendon ti të të gjykojnë me spektaklet në Facebook, me Rita Orën në shesh apo me dritat e Vitit të Ri në bulevard! Shqipëria është ajo që të zbuloi Taulanti me një javë punë, dhe me një prani të vetme në mbledhjet e tua qesharake qeveritare! Bëhu serioz dhe mos e lërë vehten të biesh më poshtë nga ç’e ke çuar Shqipërinë ekonomikisht dhe emocionalisht! Kupto që ke vrarë shpresën, ke nxjerrë rininë në rrugë! Ti e di mirë se zemërimi i rinisë dhe studentëve s’ka të bëjë me tarifat dhe pedagogët e padenjë! Ka të bëjë me zhgënjimin që solle ti me politikat e tua! Bëhu burrë shteti dhe mos na shih si armiq që po të kërkojmë pushtetin, por na gjyko si shqiptarë që e duam Atdheun tonë të denjë, që të na sigurojë të ardhmen e fëmijëve, mirëqenien me punën dhe vlerat tona, të na vlerësojë siç na vlerëson bota! Ndalo teatrin qeveritar si forma më e shpifur e qeverisjes! Merr kurajën dhe kërkoi falje të gjithë atyre që përzure nga Shqipëria me padrejtësitë dhe ligësitë që prodhove ti dhe pushteti yt mediokër! Si ish-admiruesi yt, te lutem që, qoftë dhe për një çast të vetëm të marrësh staturën e një burri shteti që s’e realizove dot prej vitesh në krye të qeverisë! Bëje me dorëheqjen tënde në këto ditë protestash masive që kanë në qendër dështimin tënd në fushën e arsimit, që është e ardhmja reale e Shqipërisë që duam!

Please follow and like us: