Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: VENDE TË LIRA NË PARLAMENT PËR RININË DHE SHOQËRINË CIVILE NË SHQIPËRI…!

 

 

Duke ndjekur nga afër protestat e Rinisë Studentore, gjithnjë e më shumë po bindem se kërkesat e tyre janë kërkesa minimale, shumë modeste ndaj asaj çfarë duhet të kërkojë RINIA, pas afro 30 viteve në demokraci.

Nuk do të prezantoj këtu, situatën e ndërlikuar politike në Shqipëri e gjendjen e rëndë ekonomike por do të ndalem, vetëm tek një zgjidhje e cila më rezulton efektive në kushtet e Shqipërisë sot.

Lëvizja studentore e këtyre ditëve, pas 30 viteve të lëvizjes së parë të viteve 90, për demokraci, është një shenjë e mirë që ka ngjallur shpresë, jo vetëm për Rininë por krejt shoqërinë shqiptare.

Njëkohësisht kjo lëvizje, përcjell tek rinia, qytetarët e inteligjenca shqiptare, mesazhin se sa shumë vite duhen për t’u maturuar, lëvizje të tilla masive të Rinisë.

Në këto kushte, kjo lëvizje e Rinisë studentore duhet të synojë më shumë. Kjo lëvizje nuk duhet të rrijë vetëm në nivelin e tarifave të shkollimit apo kushteve të jetës në Universitete; kjo lëvizje duhet të imponojë qarkullimin e elitave politike në Shqipëri.

Rrëzimi i njërës palë për t’i hapur rrugë palës tjetër, nuk e përmirëson gjendjen ekonomike e politike në vend.

Të mbushura me probleme korrupsioni, nepotizmi e pasurimi të frikshëm kanë qenë vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike.

Në këtë derexhe vajti edhe qeverisja e Partisë Socialiste, ku mbretërojnë disa ministra doracakë, megallomanë, qeflli e kapadai të dorës së parë.

Populli priti shumë, nga këto të dytët por nuk mori asgjë.

Në këto kushte shqiptarët nuk duhet të besojnë më.

Në Malësinë e Shkodrës thonë se nga LENA TEK PRENDA ËSHTË E NJËJTA GJË.

Këto forca politike që kanë drejtuar Shqipërinë në 30 vjet, nuk mund ta sjellin kurrë ndryshimin.

Në të njëjtën kohë, është e pamundur t’i largosh nga qeverisja e nga beteja për pushtet.

Ata sot kanë në dorë gjithçka në Shqipëri, kanë në dorë qeverinë dhe administratën publike, organet e drejtësisë, policinë, Median, kulturën, artin, biznesin, çdo gjë që gjallon në këtë vend…! Edhe VETINGU shumë pak ndryshime do të sjellë.

Në këtë fazë qeveritë në Shqipëri, nuk rrëzohen me protesta paqësore, por vetëm me dhunë të cilën ne shqiptarët, as mund ta bëjmë, as mund ta përballojmë dot.

Unë mendoj se në këtë fazë, ne duhet të pretendojmë dobësimin e pushtetit të tyre absolut, duke futur në Kuvendin e Shqipërisë, me ndihmen e protestave qytetare e të politikës euroatllantike, përfaqësues të Rinisë e të Shoqërisë Civile, jashtë vendimarrjes së politikës aktuale në Shqipëri.

Një ndër kërkesat e protestave të Rinisë studentore duhet të jetë: VENDE TË LIRA PËR RININË E SHOQËRINË CIVILE, NË KUVENDIN E SHQIPËRISË…!

Zgjidhje tjetër efektive, afatgjatë, për mendimin tim nuk ka.

Shembuj të vendeve të lira në Parlamentet e disa vendeve të botës ka dhe ne duhet t’i marrim këto modèle të nevojshme, për fazën ku ndodhet Shqipëria,sot.

 

 

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC.

Tiranë, 14 dhjetor 2018.

Please follow and like us: