Albspirit

Media/News/Publishing

Eli Kanina: TË JESH STUDENTE NUK ËSHTË PAK

 

Bija ime!
Nuk janë për ty pseudodhjetorët
Por për ujqër që hanë njerëz
E njerëz prej tyre s’mund të lindin
Ti mos u bëj mjegulla
Ku ujqërit të ndërrojnë qimen
Bjerë përmbys mbi libra më mirë
Struku auditoreve e bibliotekave
Pavarsisht kushteve, vetes vëri kusht
Dijes t’ia shtysh kufijtë
Së pari në mendje e me sytë e mendjes
Më pas fizikisht
Bridhe botën për ta mbartur brenda vetes
Botën tënde ta ndërtosh siç e do
Ta jetosh me dimensionin e vlerave të tua.

Bija ime!
Ti nuk ke nevojë as për Dhjetorë
Gjithë muajt e vitit tek ty gjejnë strehë
Dhjetorëve u duhet besimi yt naiv, fjala jote
Me energjinë tënde prej tërmeti
Dhjetorët ngrenë e shtrojnë tapete
Për heronj dhe lidera të rremë
Mos u bëj tapet të nëpërkëmbesh prej tyre
Të kam cipë dëbore mbi maja malesh
Mos u përdhos në gardhe bulevardesh
Uragan drejt librave të bëhesh e mos ndalësh.

Bija ime!
Dhjetorët janë fillimdimrash që s’të duhen
Gënjeshtrat kur gëlojnë si gështenjat
Portokallet nisin të marrin shije hurmash
Individët, trajtë turmash…
Ti nuk je anonime a thes justifikimi
Je pikëvese mbi gjemb trëndafili
Dija jote nuk ka çmim a vlerë monetare
Ka cilësinë e librave që shfleton e testohesh
Pavarsisht kushteve dhe mundësive
Të jesh më e mira, të dalësh mes të parëve.

Bija ime!
Unë s’mund të tregoj për pseudodhjetorët
Ç’kuptim do të kishte të silleshe si unë?
Kur pres tjetër gjë prej teje, kaq shumë
Magjja ime e ëndrrave, e vogël dhe e thjeshtë
S’e nxë jetën tënde prej ëndrrash bymuar
Teknologjia mençuron, por s’bën diferencën
Me status studenti ti mund të duash
Të ëndërrosh por jo të vendosësh
Aty ku me tharmin tim të poqa aq sa munda
Në të duhet një magje, prej meje mos prit
Mëso sesi ta kesh tënden por jo me teka
Zgjidhjet e halleve janë sprova jete dhe jo petulla.

Bija ime!
Ti mundesh të studiosh e vetëm të studiosh
Pasi nga universi i librave të dalësh
Ti vetë mund të zgjedhësh referencën
Folezë të kesh apo kështjellë të florinjtë
Mirënjohëse ose jo të jesh për eksperiencën
Në emër të saj, ligjin ta bësh e ti bindesh
Për mua dhe askënd të mos e shesësh veten.

Bija ime!
Në mundsh ti japësh kohës, gjithë kohën
Fytyrën tënde
Mëndjen tënde
Votën tënde
Vlerën tënde
Veprën tënde
Kohës nuk i duhen më pseudhjetorë
Emri yt, është dhjetori yt!

Please follow and like us: