Objekti misterioz në fund të Balltikut
Kur u zbulua për herë të parë objekti misterioz në fund të Detit Balltik habiti ekspertët dhe vendosi në lëvizje konspiracionistët e teorive aliene.
Por edhe sot, objekti vazhdon të habisë të gjithë.
“Ocean X”, një grup suedezësh gjuetarë thesaresh nëpër dete, i udhëhequr nga Peter Lindberg dhe Dennis Asberg ranë në gjurmët e objektit në vitin 2011. Menjëherë nisën misionet e zhytjes në 100 metra thellësi, ku ekipi vuri re disa anomali në pajisjet e tyre të elektrike dhe teknologjike.
“Sapo i afroheshim objektit, çdo gjë elektrike, përfshirë këtu edhe telefoni satelitor pushonte së funksionuari, madje nuk punonin as kur ishim mbi objekt. Menjëherë sapo largoheshim 200 metra prej objektit, rikthehej normaliteti. E njëjta gjë ndodh sa herë që rikthehemi atje”, thotë Stefan Hogerborn, zhytës profesionist dhe pjesë e ekipit “Ocean X”.
Objekti misterioz ka një gjatësi prej 60 metrash dhe një gjerësi prej 8 metra. Ajo që e bën akoma më të komplikuar shpjegimin se çfarë është në të vërtetë është forma e tij, pasi ngjason shumë me objektet fluturuese që shumë i kanë parë vetëm tek skena të filmit “Star Wars”.
Volker Bruchert, profesor i gjeologjisë ka një ide për kohën e formimit të objektit, por nuk është në gjendje të shpjegojë anomalitë e shkakuara tek aparaturat elektrike dhe kompjuterike kur i afrohesh atij.
“Hipoteza ime është se ky objekt, kjo strukturë është formuar gjatë epokës së akullt, shumë, shumë vite më parë”, thotë ai.
Në këtë hipotezë, Bruchert ka mbërritur pas analizimit të një pjese të marrë nga grupi i “Ocean X”. Por vetë drejtuesit e këtij ekipi gjahtarësh thesari, Lindberg dhe Asberg thonë se pjesë e dërguar për analizë nuk është marrë nga objekti, por nga mjedisi përreth tij.
Ata thonë se e megjithë përpjekjet e panumërta, e kanë patur të pamundur që t’i afrohen në distancë të afërt objektit misterioz, që me gjasa do të qëndrojë i tillë edhe për shumë kohë.