Brunilda Spiro: ‘Deklarata e turpit’ e një pedagogeje dhe jo vetëm
Lexojeni këtë ‘deklaratë të turpit’, nga një ish pedagogia ime dhe historikisht shefe departamenti e degës së letërsisë, në UT, Dhurata Shehri.
Të trembur nga protesta e studentëve ose organizatorë të saj, për të rikthyer pushtetin absolut ndaj tyre, i jam përgjigjur siç di unë, me shembuj konkretë; po kështu ftoj studentët dhe ish studentët të sjellin pervojën e tyre, duke drejtuar gishtin nga fajtorët e vërtetë ose fajtorët e parë, pastaj të fajësojnë politikanët. Ne të gjithë nuk besojmë dhe as i duam politikanët, por le të urrejmë më shumë njerëzit që u është besuar dija dhe janë përgjegjës moralë e ligjorë ndaj të ardhmes së Atdheut tonë të shtrenjtë. Përgjigjja ime vjen pas “Deklaratës së mëposhtme”.
Deklartatë e pedagogëve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës
Në vijim të qëndrimit mbështetës ndaj protestës së studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime, ne, pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i falënderojmë ata për guximin dhe qëndresën qytetare.
Të ndërgjegjshëm që problemet e sotme janë pasojë e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, Nr.80/2015, siç e kemi artikuluar që prej katër vitesh, kërkojmë:
- Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
- Garantimin e të drejtave të studentit, të cilat me ligjin aktual janë të shkelura.
- Pas abrogimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
- Nxjerrjen e përgjegjësive për zënien e mjediseve universitare dhe marrjen e masave për lirimin e tyre , si dhe financimin e kampusit të ri universitar, i cili duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.
- Hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në themel të të cilit të jenë këto parime:
Garantimi i të drejtave studentore
Financimi i dijes
Cilësia e mësimdhënies
Demokratizimi i universiteteve
Autonomia e universiteteve
Rritja e transparencës
Cilësia e diplomave dhe integrimi i të diplomuarve në tregun e punës
Vijojnë emrat:
Artan Fuga, Mark Marku, Romeo Hanxhari, Lili Sula, Agron Gjekmarkaj, Erka Çaro, Sokol Axhemi, Sabri Laçi, Ermal Baze, Mimoza Gjokutaj, Gentiana Kera, Genta Skuraj, Eno Popi, Jonila Godole, Ramadan Çipuri, Edlira Meçaj, Loreta Axhami, Dhurata Shehri, Ervin Goci, Albana Kosovrasti, Ornela Hasrama, Rrapo Zguri, Arben Belba, Vjollca Osja, Linda Meniku, Edlira Tonuzi, Eljan Doçe, Viola Isufaj, Sonila Papathimiu, Sonila Xhafa, Enriketa Papa, Raimonda Nelku, Zylyftar Bregu, Elsa Skenderi, Ymer Çiraku, Edlira Kola, Merita Karaguni, Andri Hoxha, Enkela Begu, Lindita Xhanari, Juliana Marko, Meli Bregu, Andi Pinari, Holta Shupo, Albana Deda, Flora Koleci, Alban Tartari, Dhimitër Doko, Dhimitri Bello, Marin Haxhimihali.
——–
Bravo pedagogë, gjithmonë keni qenë guximtarë, si të mos jeni tani, tani që kam frikë edhe ta mendoj, por me ju nuk çuditem për asgjë, ju mund të keni organizuar edhe këtë protestë. Nuk më vjen mirë ta mendoj dhe trembem për vdekje për këtë, por duke ju njohur mirë, kam frikë se po. Do dëshiroja që kjo protestë të jetë ashtu siç përpiqen studentët ta quajne, jo politike, sa shumë do dëshiroja…
Ju njoh mirë dhe e kam parë se çfarë bënit ju pedagogë dhe shefe departamenti me studentët e rinj dhe kolegët tuaj. Gjithçka dhe të gjithë i drejtonit pa pikën e mëshirës për moshën e për titujt. Të rinjtë i bënit deri dhe spiunë, i rekrutonit sipas bindjeve politike dhe nuk ndruheshit fare të tregonit hapur nënvlerësimin për jugorët. Ju ishit aq arrogantë dhe pa skrupuj, sa nuk harroj kurrë, që nuk më falet faktin që vija nga Korça, me dyfishin e moshës së studentëve që ju i bënit çfarë të donit dhe e gjendur në kohe dhe rrethana të papërshtatshme më keni bërë të dukem deri dhe qesharake. Edhe pasi me urtësinë e qytetit tim erdha në zyrën tuaj, pa zhvilluar asnjë provim ose pa u përgjigjur kurrë, sapo kishim nisur, me arrogancë, në atë zyrë që duhej për kortezi të ishit e sjellshme, duke u tundur majtas e djathtas, e vetëdijshme që më kishit në dorë, më vlerësuat me notën 6. Nuk ishte provim, as seminar, ishte veç një bisedë me pedagogen, gruan, nënën dhe ju më thatë që më vlerësonit me 6, sepse une vija nga një universitet me pedagogë të dobët; kështu u shprehet. Unë pata faj që disa herë, duke u ndier keq, kisha përmendur te spiunët e tu, gjynah që i kishit katandisur të tillë, që kisha mbaruar bachelorin me mesatare 9.4. Unë 40-vjeçarja, që isha kthyher nga Greqia të vazhdoja ëndrrën time të lënë në mes nga diktatura. Unë luftova fort, megjithëse nënë, bashkëshorte dhe mesuese në gjimnazet e Tiranës dhe e mbarova Masterin me mesatare 9. Ju e dashur, nuk ngurruat të luftonit për të vënë në vend parashikimin tuaj për vlerësimin tim, së bashku me tri shoqet e tua, por nuk me ulët dot më poshtë se vlerësimi me 8. Aq seroizisht e morët sa dhe zv/dedekanin e trembët dhe megjithëse mbarova dy vitet me mesatare 9, nuk më mbrojti mua dhe punën e tij në mbrojtjen e Masterit dhe u vlerësova me 8, gjë që ishte alogjike dhe joprofesionale. Këtë shqetësim ia ngrita deri Kryeministrit kur na mblodhi ne mësuesit e Tiranës, ia thashë publikisht që ‘delen e zezë mos e kërkonte vetëm te universitet private, por edhe te ju, sepse arrogantët dhe pedagogët pushtues si ju po shkatërronin mesuesin e ardhshëm, se ju ishit shembulli konkret, ata që ju tregonit si të silleshin kur të dilnin në punë si mësimdhënës”.
Mbaj mend dhe diçka të lezetshme nga ju, na thatë dikur në një bashkëbisedim, që vallah e kish thënë Kadareja se kush thurr vargje për dashurinë pas të 40 bëhet qesharak, unë ula sytë e nënqesha. Më pas kur ju dëgjoja tek emisioni” Opinion”, që mbronit librin e shoqes suaj, Ritës, “Vrima”, kam qeshur me zë. Ju jeni qesharake pedagoge me këtë deklaratën tuaj përsëri, ju që hartoni dhe librat shkollore, si bashkëpuntore e “Albas”. Unë u përpoqa shumë t’ju çjerr maskën ty dhe Ritës, dola dhe hapur në gjoja bashkëbisedimet me ne mësuesit, për librin shkollor, sidomos për librin e gjuhës shqipe të klasave të 10, e le të ishte në të dhe emri i Sabri Hamitit. Ju kishit bërë një libër të gjuhës shqipe, që gjoja u nda prej letërsisë, për turp e faqe të zezë, thjesht e kishit ndarë në mes dhe copy paste, vetëm qe shqyer në dy libra, paçavurja juaj…
Unë do diferencoja shumë pak pedagogë të ndershëm në atë deklaratën tuaj, shumë pak, të gjithë ne studentet tuaj ju njohim mirë të gjithëve në atë deklaratë, respekt për Prof. Artan Fuga dhe dy tre të tjerë.
Ju nuk jeni më të mirë sesa politikanët, ju jeni më të këqinj dhe më shumë fajtorë, sepse politika kurve ka qenë gjithmonë, më falni për fjalorin, por dikur na thoshte një pedagogu im i respektuar, që ne të gjuhës na lejohen të gjitha fjalët e fjalorit…Ju pedagogë, ju duhet të jeni të përgjegjshëm për fajet tuaja, sepse ju keni në dorë dijen. Unë jam krenare për vitet jo pak, që punova si mësuese, sepse tashmë jam larguar si shumë kolegë, jashtë vendit, nuk ka nxënës që të dalë dhe të më shajë për sjelljen, mënyrën e mësimdhënies dhe dashurinë për figurën që përfaqësoja. Jam e hapur për këtë…Unë në kualifikim për dijeninë tuaj, përsëri me 9.6 dola, pra shkëlqyer dhe krenare ndaj vetes, se nuk arrite të më thyeje, por vërtet më ke bërë të vuaj dy vitet e Masterit, sa unë e di. Ju dhe shumë mikeshat e miqtë, që ju ke shenuar emrat, jeni turpi i Universitetit. Vetingu shpresoj të realizohet, por jo vetëm për pronat tuaja, por për profesionalizmin dhe etikën tuaj mësimdhënëse.
Studentë nëse doni të arrini diçka, drejtojeni gishtin nga shkaktarët e vërtetë të gjendjes së universiteteve në vendin tonë të dashur!
Të parët këta kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për ju, pastaj sigurisht, fajësoni edhe politikanët e të gjitha klaneve! Mos i lejoni të fshihen pas Ligjit të Arsimit të Lartë, përralla pedagogësh, boll i degjuat! Çdo ditë pres të dilni me emra dhe akuza konkrete, nëse nuk e bëni, janë këta të deklaratës që ju kanë shtyrë në protestë dhe do na zhgënjenit për vdekje.