Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: Rama u premtoi cikërrima studentëve!

“Në gjendje paniku, Edi Rama po përpiqet të mashtrojë studentët, me të ashtuquajturin pakt për Universitetin, kur në fakt nuk ka asnjë plan për realizimin e kërkesave të tyre”.

Kështu tha kryedemokrati Lulzim Basha duke folur lidhur me konferencën e sotme të Kryeministrit Edi Rama, sa i takon vendimeve të qeverisë për studentët.

Për kreun e opozitës, vendimet dhe premtimet e Ramës janë riciklim i atyre që ka thënë çdo ditë, duke i quajtur “cikërrima”.

Sipas tij, me vendimet e qeverisë nuk zgjidhet asnjë problem financiar me të cilat përballen studentët dhe prindërit e tyre dhe për këtë ai tha se ka dy rrugëdalje.

Së pari tha Basha, është anulimi i menjëhershëm dhe i plotë i ligjit për arsimin e lartë, i cili sipas tij është zanafilla e të keqes.

“Kemi sot arsimin e lartë më të shtrenjtë në Europë dhe cilësinë më të dobët. Hapi i parë anulimi i këtij ligji dhe hartimi i një ligji modern për arsimin e lartë, ku të mishërohen parimet e arsimit të lartë në Europë. Demokratizim do të thotë më shumë autonomi për universitetet dhe një rol më të madh të studentëve dhe pedagogëve, rikonceptim i mënyrës se si do të rritet cilësia e mësimdhënies në universitete. Se thjesht dhe vetëm rritja e mbështetjes financiar, nuk do të thotë domosdshmërisht rritjen e cilësisë së arsimit”, u shpreh Basha.

Shefi i opozitës tha se duhet përmirësimi i kushteve në konvikte, mbështetje infrastrukturës akademike, biblioteka, auditorë dhe mbështetje me teknologji inovatore, për të cilat tha se janë kolonat për një ligj të ri për arsimin e lartë të cilin opozita do e konsultojë në javët e para të janarit me studentët dhe pedagogët.

Si shtyllën e dytë për zgjidhjen e kërkesave të studentëve, tha se është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë.

Basha deklaroi se Edi Rama nuk iu thotë një të vërtetë të thjeshtë se totali i buxhetit është rritur vetëm me 2 milionë dollarë, duke pyetur se çfarë do zgjidhet me 2 milionë dollarë dhe cilat tarifa do përgjysmohen.

“Automatikisht kërkohet dyfishim ose 74 milionë dollarë më shumë nga sa janë planifikuar, të cilat duhen përdorur së pari për të subvencionuar tarifat e studentëve, ata në vështirësi ekonomike. Zgjidhja e vetme është subvencionimi i plotë i tarifës për studentët me të ardhura familjare në 640 mijë lekë të vjetra të ardhura mujore, ndërsa për ata me mbi 640 mijë lekë të ardhura mujore, përgjysmim tarife”, deklaroi Lulzim Basha.

Please follow and like us: