Albspirit

Media/News/Publishing

Vera Kurti: Ku ta çoj dhimbjen

 

 

Në shtëpinë tënde,

ka ditë që zien jehona e festave

dhuratat shkojnë e vijnë

e flasin me gjuhën e njerëzve

Ti zemër, e kupton gjuhën e tyre?

 

Sonte nuk do të flenë

presin lindjen e Krishtit,

njeriut të shenjtë,

Ti zemër,

e di kush është Krishti?

 

Moshatarët e tu gjithashtu,

sonte nuk flenë

presin me padurim

të haping dhuratat e Santes

ti, zemër, e di ç’janë dhuratat

e di se kush është Santa?

 

Nesër,

Nesër do të ushtojë shtëpia më shumë

do të kërcasë e qeshura dhe muhabeti,

vera do të derdhet lumë dhe mishi gjerë më gju

Ti, zemër,

do të gjesh ndonjë qoshe ku zhurmat e tyre

dhe erërat e ushqimeve të mos e përcartin më shumë trurin që të jep njëherësh qindra komanda

duart do t’i përdorësh;

njërën për t’u bërë pritë vërshimeve të trurit

dhe tjetrën për t’u marrë vesh me miqtë e tu të Ipad-it

 

Më thuaj, zemër

Ti më thuaj

ku ta çoj dhimbjen

që në ditë festash

shumëfish e rrit frekuencën?…

Please follow and like us: