Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqet e deputetëve që akuzuan njëri-tjetrin për shpifje

Në vitin 2010, ish deputeti socialist Asllan Dogjani akuzoi atë demokrat Fatos Hoxha, për shkak të një fjalimi që ky i fundit kishte mbajtur në Kukës dhe që ishte transmetuar në një televizionin vendor. Hoxha e quante Dogjanin si bashkëpunëtor të Aldo Bares. Avokatja e Hoxhës, Erinda Ballanca, argumentoi para Gjykatës së Lartë se kjo ishte një përplasje politike dhe jo personale, dhe si e tillë, nuk mund të gjykohej si shpifje. Gjykata e Lartë i dha të drejtë Hoxhës dhe çështja u pushua. Një numër të lartë padish, kundër deputetëve të opozitës, ka depozituar edhe Albana Vokshi. Në gusht të vitit 2010, deputetja Vokshi u vu nën akuzë për afera korruptive që kishin të bënin me bashkëjetuesin e saj. Vokshi pretendonte se deklaratat e Shalsit e tronditën shpirtërisht, e për pasojë kërkonte një dëmshpërblim 98 milion lekësh të vjetra. Gjykata e shkallës së parë e dënoi me 10 milion lekë Shalsin. Gjatë vitit 2010, deputetja demokrate Vokshi, hapi edhe 8 procese gjyqësore, me pretendime të ngjashme. Nën akuzë u vendosën Saimir Tahiri, Artan Gaçi, Erion Braçe, Taulant Balla, Eltar Deda, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Vasilika Hysi. Në disa raste, çështjet u pushuan për shkak të mosprezencës në gjyq të Vokshit. Ndërkohë, ai që dominonte me paditë për shpifje, vijonte të ishte Sali Berisha dhe familjarët e tij. Ata i drejtoheshin gjykatës për të akuzuar për shpifje deputetë socialist si Taulant Balla, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi dhe Ermonela Felaj. Deputeti socialist, Taulant Balla është dënuar dy herë për shpifjet nga familjarët e Berishës. Në rastin e parë, kur Balla ishte në opozitë, deklaroi se pas koncesionit të Llotarisë Kombëtare, fshihej djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Për këtë deklaratë, Gjykata e Apelit, vendosi që Taulant Balla të paguajë 10 milion lekë ndaj Shkëlzen Berishën, për akuzën e shpifjes. Ndërkohë, gjyqet ndaj Ballës do të vijonin me të tjerë të familjes kryeministrore. Kësaj here do të ishte dhëndrri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili do të padiste deputetin socialist. Balla deklaroi se Kompleksi Sportiv Partizani është privatizuar për llogari të dhëndrrit të Berishës. Dhëndrri i Berishës fitoi gjyqin në shkallën e parë, duke i marrë Taulant Ballës edhe 10 milionë lekë të tjera. Kur ishte në opozitë, nën akuzë për shpifje nga familjarët e Berishës, u vendos edhe Saimir Tahiri. Dy fëmijët e kryeministrit, Argita dhe Shkëlzen Berisha depozituan padi ndaj Tahirit, për shkak të deklaratave që ai bëri nga salla e kuvendit. Të diplomuar për juridik, në padinë civile, Shkëlzeni dhe Argita, u shprehën se u ishte shkaktuar një dëm moral dhe turbullim i padrejtë i gjendjes shpirtërore, të pësuar nga fakti i paligjshëm i deklaratave te pavërteta shpifëse dhe fyese. Si dëmshpërblim, fëmijët e kryeministrit kërkonin 40 milion lekë, ndërsa gjykata vendosni dënimin e Tahirit me 25 milion lekë të vjetra. Me të ardhur në pushtet, nga humbës i gjyqeve të shpifjeve, ish ministri i brendëshëm fiton proceset e hapura prej tij në Gjykatën e Lartë. Në maj të vitit 2017, Tahiri përfiton 500 mijë lekë të vjetra, pasi gjykata shpalli fajtor Edi Palokën për akuzat që ai ngriti ndaj ish ministrit të brëndshmen, për lidhje me grupet kriminale. Paloka e konsideroi vendimin e gjykatës të marrë nën presion dhe premtoi se me Republikën e Re të demokratëve drejtësia nuk do ishte e kapur./Top Channel/

Please follow and like us: