Albspirit

Media/News/Publishing

Katër organizata ndërkombëtare i kërkojnë Ramës të tërheqë ligjet për median online

Katër organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, përmes një letre të hapur kanë kritikuar 2 projektligjet e qeverisë shqiptare për median online dhe kanë kërkuar tërheqjen e tyre. Bëhet fjalë për këto organizata: Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi. Letra e hapur e tyre është dërguar në adresë të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni. Ata kanë kërkuar tërheqjen e tyre nga iniciativa për të ndryshuar dy ligje të cilat parashikojnë regjistrim, mbikëqyrje, gjobitje dhe mbyllje të medias në internet dhe që janë prezantuar pak javë më parë në kuadër të asaj që kryeministri e quan “paketë antishpifje”. “Iniciativa juaj bie ndesh praktikave më të mira dhe është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”, shkruhet në letër. “Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”, vijon më tej letra. “Ne shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit”, vijon më tej letra. Projektligjet e hartuara prej qeverisë parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë  Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) si dhe vendosjen e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, një  komision pranë AMA, i cili do të ketë fuqinë të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon moralin publik apo jo dhe nëse e gjykon të arsyeshme, mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe të urdhërojë mbylljen e këtyre mediave. Rama ka akuzuar shpesh herë mediat online për shpifje, duke kërcënuar dhe se do të marrë masa ndaj tyre. Organizatat ndërkombëtare këto masa ndaj medias i quajnë shkelje të lirisë së saj. “Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”, shkruhet në letër.

Please follow and like us: