Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Irma Kurti

1.Vetmia

Sonte më mundi vetmia
në dhomën time numër dyqind,
si re e zezë në shtrat m’u fut mërzia
e s’munda të fle kurrësesi.

M’u duk se në botë isha vetëm fare,
askush nuk mendonte për mua,
s’kisha asnjë njeri të dashur,
në këtë vend isha veçse një e huaj.

Pasqyrës pastaj i ndejta përballë:
“Ç’i doja këta sy të medhenj, këto buzë,
këto flokë të gjatë, të gjatë,
që s’i prekte askush?”.

Sonte më mundi vetmia
në dhomën time numër dyqind.

2. Më mungon tmerrësisht

Vite të tëra jetova me gënjeshtrën tënde,
u lodha, u mpaka, u çmenda,
e kuptoja dhe s’doja ta kuptoja,
ndieja dhimbje në shpirt brenda.

Tani që s’të kam
nuk e kuptoj
përse më mungon tmerrësisht
ti dhe gjithçka jotja.
Çdo gjë më duket
pa ngyrë,
e pavlerë më duket vetja.

Më ka marrë malli të dëgjoj
gjëra të pavërteta.

Please follow and like us: