Albspirit

Media/News/Publishing

Gjonaj e akuzoi për shantazh, Kryemadhi: Ministrja s’mund të marrë pozicionin e virgjëreshës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi iu përgjigj akuzave të Ministrisë së Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila deklaroi dje se po e shantazhon me akuzat e hedhura ndaj bashkëshortit të saj.

Në një prononcim për mediat pas takimit me Ambasadorë të BE, Kryemadhi tha:

Monika Kryemadhi: “Ne nuk e shantazhojmë zonjën Etilda Gjonaj por ajo nuk mund të marrë pozicionin e virgjëreshës kur i dimë shumë mirë të gjithë pozicionet e saj dhe të gjithë kapjen e saj. Nëse një qytetar shqiptar mund të harxhojë vite të tëra për të fituar gjyqin për tu kthyer në vendin e punës, bashkëshorti i Etilda Gjonajt u kthye me një vendim që u bë brenda një jave.Standardet nuk janë të dyfishta.Kemi votuar një reformë në drejtësi dhe duhet të kemi një standard”.

Pas arrestimit të 4 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë të arrestuar për abuzime me tenderat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, akuzoi në Kuvend Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, se po shantazhon gjyqtarët dhe prokurorët për të ndërhyrë në hetime.

Monika Kryemadhi: “Ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj. Le ti tregojë shqiptarëve përse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe kush janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo me shumë pika të tjera të basteve.”

Nisur nga kjo, Kryemadhi u shpreh se Gjonaj e ka korrupsionin brenda në shtëpinë e saj.

Në përgjigje, Gjonaj deklaroi: “Nuk isha prezent sot në Kuvend, se isha në një takim me ambasadorët, ku raportova për zbatimin e reformës në drejtësi, kur dëgjova akuzat nga Kryemadhi, që ishin në formën e një shantazhi. Ndihem e keqardhur që aty flitet për bashkëshortin tim. Janë në të drejtën e tyre të zgjedhin dhe mënyrën që duan për të bërë opozitën. Këtu duhet të ekzistojë debati për qytetarët, por opozita bën shantazhe dhe sulme personale. Bashkëshorti im nuk ka qenë i lidhur as me banda dhe as subjekte të lojërave të fatit. Shantazhi nuk është i tolerueshëm”.

Please follow and like us: