KAPITULL I RI PËR NJË MAQEDONI ‘TË RE’ TË VERIUT
Boris Georgievski
Maqedonia e ardhshme e Veriut dhe NATO nënshkruan një pakt “historik” që hap portën për anëtarësim të plotë në aleancë. Mund të jetë fillimi i një historie suksesi në Ballkanin Perëndimor, komenton Boris Georgievski. Republika e Maqedonisë ka 26 vjet që e pret këtë ditë. Për vendin e vogël dhe të izoluar të Ballkanit anëtarësimi në aleancën më të fortë ushtarake në botë ka qenë gjithmonë një çështje e mbijetesës. Brenda vendit kjo nënkuptonte një kohezion më të fortë etnik dhe social, nga jashtë ishte një garanci që kufijtë e saj sigurohen ndaj vendeve fqinjë. Nuk ishte rastësi që parlamenti maqedonas votoi deklaratën për t’u bashkuar me NATO-n qysh në vitin 1993 – luftërat e përgjakshme në republikat e tjera ish-Jugosllave kurrë nuk arritën deri në kufijtë e saj, por rreziku ishte gjithmonë i pranishëm. Por megjithatë Republika e Maqedonisë nuk do ta përjetojë kurrë arritjen e saj më të madhe. Paradoksalisht ditët e vendit me këtë emër janë të numëruara. Edhe faqja e internetit të NATO-s sot nuk e përmend anëtarin e saj të ardhshëm me emrin e tij: “Të mërkurën më 6 shkurt 2019, Përfaqësuesit e Përhershëm në NATO të 29 anëtarëve të Aleancës do të nënshkruajnë Protokollin e Anëtarësimit me Shkupin”. Shkupi është sigurisht kryeqyteti i vendit. Dhe deri në fund të kësaj jave sapo parlamenti i Greqisë të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit, një vend “i ri”: Republika e Maqedonisë së Veriut do të shpallet në botë.
A ia vlejti kjo?
Ky është çmimi që duhej të paguante Maqedonia për t’u bashkuar me klubin. Për shumë qytetarë në vend – ky çmim ishte shumë i lartë. Por fatmirësisht për vendimmarrësit aktualë politik – nuk e shohin kështu. U desh shumë guxim dhe vullnet politik në Shkup dhe në Athinë për ta zgjidhur çështjen e ashtuquajtur kontesti i emrit që e ka bllokuar pranimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE që nga viti 2008 dhe kontaminoi marrëdhëniet mes dy popujve për dekada të tëra. Shumë ende shtrojnë pyetjen, nëse ia vlente ndryshimi i emrit të vendit, për të tregtuar një pjesë të identitetit dhe të historisë për anëtarësimin në NATO? Ia vlejti! Jo vetëm për faktin se ajo garanton një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë të vendit, por edhe sepse me të u mbyll një kapitull, të paktën për momentin, i konflikteve të përjetshme historike ballkanike midis vendeve fqinje. Kjo u jep mundësi gjeneratave të reja që t’i japin fund gërmimeve në llogoret e historisë dhe të fillojnë planifikimin e së ardhmes. Në kontekstin më të gjerë të Ballkanit dhe Evropës Juglindore futja e Maqedonisë (së Veriut)në NATO më në fund mbyll çështjen “maqedonase” që e rëndonte rajonin për një kohë të gjatë. Për më tepër, ajo përmirëson stabilitetin në rajon në një kohë që fantazmat e së kaluarës kërcënojnë të ngjallen sërish, veçanërisht në valën përpjekjeve për një zgjidhje përfundimtare të pritshme për shtetësinë e Kosovës.
Histori suksesi në Ballkanin Perëndimor?!
Maqedonia (e Veriut) nuk ka ushtri dhe PBB-ja e saj vjetor është më afër një qyteti gjerman të pazhvilluar sesa një vendi të përparuar perëndimor, por si Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe vendet kryesore evropiane e kanë kuptuar kohë më parë, se ia vlen më shumë ta kenë të lidhur me Perëndimin këtë vend sesa të rrezikojnë me trazira të tjetra në Ballkan. Fakti që Maqedonia e Veriut është një shembull i rrallë i funksionimit (pak a shumë)të demokracisë multietnike në një rajon të paqëndrueshëm i rrit përfitimet e anëtarësimit të saj në NATO. Për sa i përket ushtrisë apo ekonomisë, vendi nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, por në aspektin e interesave aktuale gjeopolitike (Rusia, Kina)mesazhi që zgjidhja e suksesshme e konfliktit u jep vendeve fqinje (Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina)- mund të jetë jashtëzakonisht i vlefshëm. Për Maqedoninë(e Veriut) fillon sot një kapitull i ri. Vendi ende përballet me shumë pengesa dhe detyra të vështira që ka përpara. Ajo ka nevojë për reforma në çdo pjesë të shoqërisë, ajo ka nevojë për të rindërtuar kohezionin e saj të brendshëm dhe ka nevojë për një ekonomi që prodhon diçka tjetër përveç largimit të trurit. Nëse Bashkimi Evropian vendos që më në fund të hapë procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut në qershor, së bashku me pranimin në NATO, mund të jetë vetëm fillimi i një historie të suksesshme në Ballkanin Perëndimor të harruar prej një kohe të gjatë./DW