Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Delina Kreka

 

“Viktima” të lumtur!
E madhja botë e syrit tënd
gumëzhin pushteshëm,
nga një pikë e vogël,
që nuk shihet, e madhe, sa s’dihet.
Luajmë, lojë -luftash, zemrash.
E vetmja luftë, me ”viktima” të lumtur!
I imi vesh, durim madh
regjur, psherëtimave.
Heshtjet zhurmojnë,
së brendshmi.
Vjeshtë u bëmë,
ajo qan, me ngjyrat e shpirtit!
lotëve të mi!
Me trishtimin e bukur të saj!…
 
Ari dhe argjendari!…
Ari pa formë e shkëlqim mbuluar
e merr argjendari
në dorë për ta latuar.
Punon me format me mendje
sy mbyllur vendos,
dhimbjen në këngë e kthen ari.
Teksa e pret, copëton argjendari!
Dhunë të bukur
Me mjeshtëri
bën argjendari
në fronin e tij!
nuk nxjerr klithma, dhimbjet duron
dhimbjet, në tinguj ari i ndryshon.
E bukura ”dhunë” e argjendarit
shndërrohet tingull
i bukur i arit.
Ari pa argjendarin
çdo ish çfarëdo,
argjendari pa arin
një hiç domosdo!
“Dhuna”e tij stolitë skalit,
këngën e përvajshme
të arit dëgjon çdo ditë.
‘Vallëzim i fundit’
Era i shkund gjethet apo erën presin?
Këngë e fundit e mjellmës
vallëzojnë e vdesin!
Vaj i bukur era e vjeshtës,
këndojnë përvajshëm!
trumcakët bashkë me të.
Sorkadhja unë në sulmin e heshtës.
Ti më kërkon, në frymëshkëmbim,
në dhimbjen tënde, e mallit tim!
Si këngë vaji a si ndëshkim!?
era shkund dhimbshëm gjethet,
apo erën presin!?
herë hark, herë shigjetë
zemra e shkretë, kraharori i shkretë!
Kujtimet tufë ia bën kohës që vdes.
Ti më përmend, në frymë shkëmbim!
në dhimbjen tënde e mallit tim…
marruar uragan,
shkumbëzuar, turfulluar, ngre tufan! Stuhi në oqean…
Fati…
Më fatin zihemi, si grindavecë!
të tjerë pajtohen si dy ‘në qeli’
Qoftë fati i bardhë,
a i zi!
Ca me fat lindin,
të tjerë fati i harroi!
ca fati i ndau,
të tjerët i bashkoi.
Dikush e ka fatin
e, s’ di ta ruajë,
Më tej fatin, si kaprollin,
në thepa e gjuajnë!
Jeta na jep fatin!?
a, ne e zgjodhëm?
Pa ditur se ç’ ishte
e pritëm e hodhëm.
Në duar
rreth vetes,
fati ynë.
Herë pranverë, herë brymë.
Ca i përkedhel, ca i përplas.
Ca shtatë pashë nën dhe’
të tjerë në qiellin e shtatë!
Njeriut,
si mbetet gjë tjetër,
të jetojë, fatin, ëndërrat
J-E-T-Ë-N!…
Please follow and like us: