Albspirit

Media/News/Publishing

Haradinaj: Janë paguar media për të lobuar pro ndarjes së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, hodhi akuza të forta në një intervistë për emisionin “Tempora” në Rtv Ora News, duke deklaruar se janë paguar para në Shqipëri dhe Kosovë në favor të projektit të ndarjes së Kosovës.

Pas këtyre lobeve, sipas Haradinaj, qëndron Rusia. Andaj shton se ky projekt tejkalon një individ, është një axhendë më e madhe.

“Në Shqipëri është lobu me pare për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë shumë para. Paratë e rusëve që përmendët kanë mbërritur deri te ju, kanë shti pare të madhe me nda Kosovën duke lobuar te mediat, televizionet, analistët, pushtetarët. Ajo është dhe në Kosovë. Është axhendë më e madhe. Putin është munduar disa herë të legjitimojë disa aneksime në perimetrin e vet. Presidenti Putin punon intensivisht me ja bashkue Republikën Srpska Serbisë. Ajo është një Putin Republikë. Kur thotë Vuçiç se nuk njoh kufirin mes serbëve në Bërnjak dhe Jarinë, dy kufijtë veriorë të Kosovës, ai po aludon dhe në kufijtë mes Serbisë dhe Srpska Republikës. Paratë e rusëve janë ato që lobojnë për ndarje”, tha Haradinaj.

“Na thuhet se është vetëm një kodër, nuk është ashtu, janë 500 miliard rezerva të xehes në veri të Kosovës. Vetëm vrima e Trepçes nuk ka vlerë të madhe. Kushdo që në Shqipëri vjen dhe ju shpjegon si me dhënë një pjesë të veriut dhe me u nda nga Serbia dhe me u bashkue me Shqipërinë është duke bërë punën e rusëve. Janë paratë e Rusisë.Kushdo që vjen nga Kosova dhe ju thotë të njëjtën gjë është po ashtu. Kushdo që kyçet me hap kufijtë ndihmon Putin, kushdo që lëviz me kufijtë është në axhendën e Putinit. Me ju thënë shqiptarëve jepni veriun 500 miliard, ku Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë. Krejt është kalkulim i agjenturave të Moskës, në të cilën kanë rënë në grakcë plot në Kosovë dhe në Shqipëri dhe kanë marrë paret e tyre”, vijoi kryeministri i Kosovës.

Please follow and like us: