Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Skemat e “Madurove” të Tiranës

Nga protesta e 16 shkurtit, nuk pritet ndonjë gjë ndryshe nga mitingjet e tjera të thirrura nga PD. Megjithatë, policia dhe opozita, me deklaratat e fundit mbi mundësinë e skenarëve të dhunës, i dhanë nxitje imagjinatës së njerëzve që të diskutojnë edhe skenarë radikalë.

Plani A: Turma pushton sallën COD, ku mban pikturat Edi Rama.

Plani B: Njerëzit rrethojnë kryeministrinë dhe rrinë aty derisa të jepet lajmi se kryeministri Rama ka kaluar kufirin drejt…

Plani C: Protestë çdo ditë, (derisa në fund Rama dhe Basha takohen papritur për një kafe dhe zgjidhin problemet).

Plani D: Një grup deputetësh brenda PS-së bashkohen me LSI-në, kërkojnë rrëzimin e Ramës…

Të gjitha planet që qarkullojnë sot kafeneve dhe nëpër rrjetet sociale, të përhapura nga Rama dhe Basha, kanë në qendër karrigen e kryeministrit. Kjo i bashkon skemat, të cilat, në përgjithësi, janë përdorur edhe në të kaluarën, që nga demonstratat deri tek kryengritjet me armë, që nga tubimet paqësore deri tek ato me tanke.

Shumica e njerëzve që do të vijnë nga e gjithë Shqipëria janë të papunë, nuk shesin dot prodhimet bujqësore, vuajnë nga rritja e çmimeve, janë varfëruar nga taksat, nuk kanë perspektivë, janë të lodhur nga shtypja dhe korrupsioni, janë pa strehë etj. Megjithatë ata nuk janë thirrur në protestë për hallet e tyre, por për hallin e Bashës dhe të Ramës, për rotacionin dhe imunitetin e ndërsjellë dhe për qëndrimin përjetë në pushtet e në sundim që këta duan të garantojnë për vete e për njëri tjetrin. Opozita madje ka detajuar edhe një përrallë mbi “qeverinë tranzitore”, ku thotë se pranon edhe një qeveri pa Ramën, por me një kryeministër të ri të PS-së.

Këto marrëveshje dhe këto skema të dala boje, nuk kanë lidhje me hallet e Shqipërisë. Prandaj opozita parlamentare është diskredituar dhe po izolohet përditë më keq se qeveria e degjeneruar e kusarëve të Rilindjes. Nëse opozita parlamentare do të përfaqësonte popullin opozitar të Shqipërisë, rinia nuk do të vazhdonte të ikte e të merrte masivisht dhe e pashpresë rrugët e Evropës, por do të qëndronte aty përballë të keqes dhe në krah të opozitës. Loja PS-PD-LSI, është krejt e dukshme. Kjo është arsyeja, që rinia studentore nuk e pranoi Lulzim Bashën në protestën e saj. Loja e sundimit të këtyre partive të vjetra, që vazhdojnë të qeverisin për gati tri dekada, nuk fshihet më.

Këta bëjnë protestë për të shpëtuar sundimin dhe pasuritë e tyre, për të ndaluar vettingun, për të mos dhënë llogari për korrupsionin e kryer, për të mos bërë reformë elektorale dhe për të mos mbrojtur asnjë kauzë reale e të vërtetë të popullit.

Çfarëdo që të thonë, kryeministri Rama dhe Lulzim Basha, nuk shkojnë dot përtej një pazari mes tyre. Këta bashkëpunojnë ngushtësisht për të mos lejuar reformat kushtetuese dhe demokratizimin e zgjedhjeve, çlirimin e administratës së shtetit, pushteteve të tjera dhe ekonomisë nga kontrolli i tyre partiak dhe nga militantët e tyre.

Pushteti i mafies sē tri partive të vjetra është ilegjitim, nuk përfaqëson popullin, nuk buron prej votës së lirë dhe, duke bllokuar demokracinë, po na largojnë gjithnjë më shumë nga standardet dhe vlerat demokratike të vendeve të bllokut Euro-Atlantik.

Rama dhe Basha janë duke konsumuar bastet dhe paktet e tyre të fundit, përpara se të vijë protesta e vërtetë. Ata janë ilegjitimë në pushtet në Shqipëri, sa dhe si Maduro në Venezuelë. Kanë qeverisur njëlloj, duke fituar urrejtjen popullore po njëlloj, kanë shkatërruar po njëlloj vendet dhe kanë përzënë popujt, për të mbledhur pasuri për vete. E keqja do të thyhet dhe shpresa do rilindë në trojet tona.

Mesazhin e popullit e kanë marrë nga dhjetëra mijë studentët, që u mblodhën menjëherë në shesh, vetëm me një thirrje që i bënë njërit-tjetrit në rrjetet sociale. Destinacioni i tri partive po afron në stacionin e fundit, ku ngrehina nuk do të jetë më pushteti, as “qeveria tranzitore”, por koshi i plehrave të historisë ku do të përfundojnë pasi në Shqipëri të rivendosen Liritë Republikane dhe populli të zgjedhë lirisht udhëheqësit e tij dhe elitën drejtuese legjitime.

Please follow and like us: