E tmerrshme/Euro dhe fishekë në shtëpinë e gjyqtarit Skënder Damini
Zbardhet dëshmia e gjyqtarit Skënder Damini të shoqëruar nga policia dhe më pas të liruar pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij dhe dy kolegëve që dhanë vendimin për Dritan Dajtin.
Ka qenë avokati i tij që ka rrëfyer dëshminë e Daminit pas shoqërimit. Mësohet se gjyqtari ka thënë se paratë e gjetura në banesë janë të djalit të tij dhe disponon dhe dokumentacionin e tyre.
“Gjyqtari ka firmosur si të ligjshëm kontrollin e banesës meqenëse ishte me urdhër gjykate”, tha avokati i tij.
“Paratë e gjetura janë të djalit dhe disponoj të gjithë dokumentacion e tyre. Ndërsa 8 fishekët e gjetur janë të pistoletës që e mbaja deri para pak kohësh sipas ligjit dhe e kam dorëzuar. Lidhur me vendimin për të akuzuarin, ka qenë bindja ime personale nga leximi i dosjes”, ka dëshmuar gjyqtari Damini.
Pas kontrollit të ushtruar ditën e sotme në banesën e gjyqtarit Skënder Damini, një prej tre gjyqtarëve që zbutën dënimin e Dritan Dajtit, policia ka sekuestruar 17 mijë euro dhe 8 fishekë, të futura në një sirtar së bashku me të brendshme grash.
Pas shoqërimit në polici ai ka dëshmuar se paratë i përkasin të birit i cili është biznesmen, sa kaq fishekët është shprehur se janë të armës së tij, të cilën e ka me leje.
Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.
Gjatë këtij vendimi u votua kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.
Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli.
Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009.