Timoni dhe tepsia, të vetmet qëllime të PS-PD-LSI
Arben Rrozhani
Ecejaket, takimet dhe deklaratat e forta të ambasadorëve të huaj në Tiranë nuk e bindën PD-në që të tërhiqet nga vendimi për djegien e mandateve.
ZGJIDHJA e ka riktheksuar se vendimi i PD-së dhe i LSI-së për lënien e mandateve është shumë i vonuar. Në vjeshtën e vitit 2017, kryetari i partisë ZGJIDHJA, zyrtarisht u kërkoi Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që të hiqnin dorë nga mandatet, nëse do të donin rrëzimin e qeverisë dhe të shumicës së dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017.
Alibia e sotme e opozitës për të lënë parlamentin e dalë nga blerja e votave përmes parave të drogës dhe të krimit, janë disa përgjime të publikuara nga ‘Zëri i Amerikës’.
Por ZGJIDHJA e kishte paralajmëruar shumë muaj më parë atë që do të ndodhte. Ajo i bojkotoi zgjedhjet e organizuara nga PS, PD dhe LSI, duke i ftuar partitë politike që të mos bëheshin pjesë e maskaradës zgjedhore që do të ndodhte, siç edhe ndodhi. Ajo u tha atyre që të shtyheshin zgjedhjet, derisa të bëhej një reformë zgjedhore e thellë dhe sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, duke depolitizuar KQZ-në dhe duke e çliruar votën e shqiptarëve nga duart e tri partive.
Por ato bënë lojën e kulisave. U bënë palë me marrëveshjen e 17-18 majit dhe shkuan në zgjedhje që administroheshin prej komisionerëve të tyre, nga KQZ-ja deri te komisionet e numërimit.
Sot, përgjimet e publikuara nga ‘Zëri I Amerikës’ janë maja e ajsbergut e farsës zgjedhore të 25 qershorit që i dha timonin dhe tepsinë Edi Ramës dhe la në opozitë PD-në dhe LSI-në. Zgjedhjet ishin të blera dhe të trafikuara në shumicë. Mjafton të përmendim rinumërimin që u bë në Tiranë ku, nga rihapja dhe rinumërimi i 59 kutive, doli se rreth 90 për qind votave ishin manipuluar, duke deformuar vullnetin e zgjedhësve. Dhe kur kjo ndodhi në Tiranësn e supervëzhguar, imagjinohet lehtë se çfarë batërdie është bërë në të gjithë Shqipërinë. Komisionerë të PS, PD dhe LSI, bashkë, kishin ndarë dhe rrëmbyer për veten e tyre votat e partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Dhe kjo e dhënë u përfshi edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, në shtator 2017.
Edi Rama, nëse është sërish në pushtet, në vitin e dytë të mandatit të dytë, është prej pazareve të ulëta të PD dhe LSI. Po të kishin dëgjuar partinë ZGJIDHJA, po të kishin pranuar tezën e saj për zgjedhje të lira dhe të barabarta, po të mos kishin pranuar të bëheshin pjesë e tepsisë elektorale të 25 qershorit 2017, Shqipëria dhe shqiptarët do të kishin fituar dy vite kohë për zgjedhjet të lira dhe të barabarta dhe vendit do t’i ishin kursyer dy vite më tepër pushtet korruptiv dhe kriminal të Rilindjes.
Sot ata duan qeveri tranzitore, duan një pakt tjetër, një marrëveshje tripartiake. Nuk duan zgjedhje politike për vendin, nuk duan kthimin e sovranitetit të popullit, kthimin e të drejtës së tij kushtetuese për votë të lirë dhe të barabartë. Fiksimi dhe qëllimi i tyre është te timoni dhe tepsia. Të vijojnë të tre në rrugën e shkatërrimit përfundimtar të vendit, me një dorë në timonin e qeverisjes dhe me të dy duart në tepsinë e pushtetit.
Partitë e vjetra, mbi të gjitha, ata duan një marrëveshje për të siguruar imunitetet e tyre penale, që të mos përfundojnë përpara ligjit. Duan të shpëtojnë kokën e Berishës dhe liderëve të tjerë të korruptuar të partive të vjetra që tashmë janë futur në listën e zezë të SHBA-ve dhe fshirjen e krimeve të tyre gjatë këtyre dekadave të tranzicionit. Duan këtë siguri dhe aspak nuk kanë hallin e standardit të zgjedhjeve të rrënuara shqiptare.
Ky është plani afatshkurtër dhe afatgjatë i tri partive të vjetra. Nuk është plan për shqiptarët. Ato duhet të refuzohen nga gjithë shqiptarët, duke mos i ndjekur më në rrugën e tyre për pushtet të pakufishëm. Populli duhet të bashkohet me rrugën e treguar nga ZGJIDHJA, atë të çlirimit të vendit nga elita e korruptuar politike dhe mafia ekonomike e lidhur me të. Vetëm çlirimi i votës së shqiptarëve do ta kthejë rrugëtimin e vendit drejt të ardhmes europiane.
#Zgjidhja#Demokracia#Shqiperia
*Sekretar i PR në partinë ZGJIDHJA