Ish-deputetja: Nuk kishim shkollë të lartë, por ishim të ndershëm dhe pa diploma false
Bardhyl Berberi
Në një nga hotelet kryesore në mes të qytetit, në bar kafe punon një ish deputete e parlamentit shqiptar të kohës së Enverit. Shumë të moshuar dhe qytetarë të tjerë shkojnë dhe e pijnë kafen pikërisht tek lokali ku punon ish deputetja Ferzie Lipo.
-Deputete, – i thonë klientët me respekt,- një kafe…e di vetë ti një me pak. Ferzie Lipo e buzëqeshur ju plotëson dëshirën…Është një grua që sapo ka kaluar 65 vitet e jetës. Ajo nuk ka droje nga puna që bën, madje thotë se është tepër e lumtur që jeton me djersën e ballit dhe nuk e ka problem fare që ka qënë deputete në Kuvendin Popullor të athershëm.
Ulemi të pijmë një kafe më Ferzien. Ajo thotë plot modesti se e ka filluar punën në koopertaivë qysh në moshën 16 vjeç, sapo ka mbaruar klasën e tetë. Kishte një trup të gjatë dhe të zhvilluar, bënte nga dy norma në kooperativën e Leshnicës, fshati ku ajo ka jetuar dikur, të cilën në moshën 18 vjeç Partia e Punës e bëri komuniste .Karriera e saj do të pësonte rritje dhe vetëm pas një viti ajo bëhet brigadiere në brigadën që ajo punonte dhe me rendimentet e larta që po arrinte me brigadën e saj ajo propozohet dhe më pas zgjidhet si deputete e Kuvendit Popullor në zonën e Çërravës dhe të Osnatit.
Ne zhvilluam me Ferzien një intervistë eskluzive:
Ferzie, ju vjen zor kur ju shohin nga 8 vjet deputete bëni kafe në lokal?
Jo përkundrazi jam krenare që jetoj me djersën time të ballit. Para pak ditësh një deputet i asaj kohe, që ishin pranë në parlament, kur më pa hapi sytë dhe më pyeti: “Po ti moj Ferzie, ç`ne këtu që bën kafe, këtu paske katandisur”, deshi të thotë si me ironi.
Po ti çfarë i the?
Hë (qesh). Po ti akoma atje je në parlament që nga koha jonë! Ai u skuq dhe nuk foli, madje dhe kur pinte kafenë që i bëra shikonte nga banaku ku punoja unë vjedhurazi dhe qëndronte me disa partiakë të këtyre partive të reja.
Cilat qenë priviligjet tuaja në atë kohë?
Asnjë priviligj, kishim kartonin e deputetit në xhep që udhëtonim me tren nga Pogradeci në Tiranë pa lekë dhe në hotel ‘Drini’ për ditët që qëndronim në Tiranë, pastaj gjithçka e kishe nga xhepi.
A keni diskutuar në parlament ndonjëherë?
Po sigurisht që kam diskutuar dhe kam ngritur problemet e zones. Një herë kur mbarova së foluri Mehmet Shehu më thotë: “Moj Ferzie, gjithë kjo gocë gati 2m si nuk je bërë basketbolliste për kombëtaren”? Salla qeshi.
Po tjetër keni ndonjë diçka të veçantë?
Duke ndjekur një seancë të Kuvendit më erdhi gjëndie të fikti dhe u zverdha. Atë seancë ishte Enver Hoxha , befas ai m’i nguli sytë dhe pas pak vijnë dy shoqëruesit e tij dhe më thonë “na dha porosi sh Enver t`ju çojmë e t’iu vizitojmë, ju jeni shumë e zverdhur”. Me mua erdhi edhe ministria e Bujqësisë së asaj kohe Themie Thomai. “Pse shqetësoheni edhe ju”, e pyeta unë, por ajo më tha se e kishte dërguar shoku Enver .Pasi qëndrova dy orë në spital dhe më kaloj gjendia u ktheva në parlament. Më thanë të shkoja tek kafja e parlamentit se më kërkonte vetë Enveri. Më takoi dhe më pyeti se a isha mirë tani. Pimë një kafe sëbashku…Është hera e parë në jetën time që e kam ndjerë vetën time të vlerësuar
Si ju duken kolegët e sotëm në parlament?
Më vjen turp që edhe unë kam qënë deputete në atë sale, sharje, fyerje,bëjnë shumë zhurmë por asgjë, si thonë këtej nga ana e jonë rrahin ujë në hava.
Çfarë ndryshimesh sheh nga koha juaj?
Asnjë ndryshim, si atëhere dhe tani i njëjti avaz, ne na vinin në rresht dhe ngrinim të gjithë kartonat dhe sot dy partitë e mëdha i detyrojnë të ngrenë kartonat dhe të votojnë sipas të parit të tyre dhe kjo është e tmerrshme të ndodhi në demokraci që parim bazë është liria e fjalës. Ndryshimi tjetër desha të theksoi janë se këta të sotmit janë të pasur dhe të thyejnë kokën me para, vila në disa vënde, vetura, pushime jashtë shtetit nëpër plazhet më të shtrenjat , ndëryjnë për emërime nëpër dogana dhe polici, tatime dhe marrin zarfe të enjtur me euro, të veshur firmato…dhe banalitetet që kur fillon parlamenti duhet t’i largosh fëmijët nga ekrani se dëgjon sharje nga më të ndyrat…
A e dini se do të bëhet një ndërtesë e re e parlamentit?
Është e turpshme të hidhet leku i popullit dëm për një parlament të ri përse edhe ai restaurim i sallës ishte i tepërt, nuk meriton sallë të re ky takëm deputetësh që ne kemi…atë e kanë dhe shumë.
Më fal se desh më doli nga mëndja, pashë një ministër që e kishte thirrur komisioni përkatës parlamentar…Thërriste më shumë ministri dhe ju hakërrohej deputetëve se sa deputetët asaj?
Ku është parë e dëgjuar kjo, kur ne këmi thirrur një herë në komision Ministren e Bujqësisë së asaj kohe Themie Thomai, i bënim pyetje dhe asaj i shkonin djersët çurkë.
Duhet thënë një e vërtetë që këta deputetët e sotëm janë me shkollë?
Ka që janë me shkollë, por ka dhe një takëm prej tyre që kanë marrë diploma falco pa shkuar asnjë ditë në shkollë apo në Universitetin e Tetovës…Bëju një drejtshkrim një pjese të mirë prej tyre shkruajnë me gabime, emrin e tyre ndonjëri e bën një shkronjë prej shtypi dhe një prej dore …Por dhe ne bënim atëhere shkollën e Partisë që quhej e lartë…që nuk ka ndryshim nga disa universitete private ku studentët janë klientë që pagujnë dhe do të kalojnë të gjithë; kështu ndodhte edhe atëhere në Shkollën e Partisë kalonim të gjithë, por pa paguar para nën dorë.