“Amazon” i Katiola Karolit, vëllimi poetik që përcjell personalitetin njerëzor
Albert Z. Zholi, shkrimtar-publicist.
Pas librit të parë shumë të suksesshëm “Sytë e botës tradhëtare”, poetja e re Katiola Karoli vjen me një libër të ri të titulluar “Amazon”. Ndoshta ishte libri i parë i suksesshëm që e shtyu autoren të ndërrmarrë një hap të dytë, më serioz, më konkret dhe më me përgjegjësi për të dalë para lexuesit me një vëllim të ri më të kompletuar, më të studiuar, më vizionar dhe më me figuracion dhe tematikë gjithpërfshirëse.
Në librin e ri poetik Katiola vjen më e freskët, më e kompletuar, më e përgjegjshme por mbi të gjitha me një dëshirë që poezia e saj të flasë vetë me ngjyrat reale të jetës, me ngjyrat e së vërtetës, duke bërë krahasime, duke përdoruar metaforë të fuqishme por dhe paralelizma në kohë dhe në gjeografinë e tematikave të kohës që përbëjnë thelbin e peozisë së saj në këtë vëllim. Por me gjithë rritjen e kërkesave ndaj vetes dhe tematikave të gjithëkohëshme, sërish Katiola më shumë e gjen veten tek poezia lirike, tek poezia për dashurinë ku ajo këmbëngul të gjejë sa më shumë fabula të reja, këndvështrime të pa zhbiruara, detaje të pa hedhura në letër, episode të veçanta që nuk janë plagjiaturë, momente specifike që ndoshta janë pjesë e jetës së saj apo imagjinatë e ndezur që e bëjnë librin shumë intigrues dhe befasues.
Nga vargu në varg, nga fabula në fabul, nga figura në figurë, Katiola vjen ne çdo poezi, e befasishme, e paeksploruar, e paparagjykuar, dhe shumë reale. Në çdo poezi autorja sjell një risi pasi do të jetojë realitetin me ngjyrat reale pa artifica duke shmangur përsiatjen dhe vulgaritetin. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet letrare, duke futur në bibliotekën e saj shumë libra me poet shqiptar dhe të huaj, autorja e kultivoi më shumë vargun metaforik duke e përcjellë poezinë me vërtetësinë e një nëne dhe gruaje që di çfarë kërkon në jetë dhe çfarë mesazhi duhet të përcjellë.
Larmishmëria e poezisë, tematika e pafundme në fabulat e përcjella, stili lakonik dhe besnikëria e vargut për ta sjellë sa më qartë idenë e poezisë tek lexuesi ka bërë që në këtë libër, poezia e Katiolës të vijë më e qartë, më e freskët, më e bukur, më e larmishme, më jetësore, më reale. Ajo që të mbërthen më shumë tek ky vëllim janë poezitë për dashurinë, shoqërinë, fëmijët që përbëjnë një pjesë e tematikave të gjalla që ajo i ka përcjellë me shumë intimitet, ndjeshmëri dhe diku edhe të mbështjella me intuitën femërore të vetmbrojtjes.
Në poezitë lirike, në fillimet e vargjeve autorja duket pesimiste, duket sikur shpresa është degdisur në horizonte të panjohura, por me kalimin e vargut në një varg tjetër, autorja kalon në situata të ndryshme, ku gëzimi dhe optimizmi nxjerren në pah idealin e saj jetësor, që dashuria e sinqertë të jetë dielli ndriçues i sukseseve në jetë. Me një vërtetësi fëminore, sinqeriteti i saj në varg duket si utopik, por kur poezia rrjedh në tërë gjatësinë e saj, vetiu ndjen se kontradita mes së mirës e së keqes është vënë në dyluftim, ku armët e së mirës me asrye dhe dashuri triumfojnë mbi të keqen. Sa kalon cakun e pesimizmit, sa përcjell butë hutimin e parë jetësor, autorja në shtrirjen e peozisë nis e përcjell mesazhe paqësore, bashkuese njerëzore, të cilat e bëjnë librin interesant, intrigues në lidhje me koherencat dhe zhvillimet sociale në botë.
Autorja në të vërtetë në jetë është e gjallë, komunikuese, bën një jetë aktive, e lidhur ngushtë me fëmijët, larg mbylljes në guackën individuale, ajo është tejet e hapur në jetën e saj me fëmijët dhe atë shoqërore dhe vargëzon natyrshëm lidhjet shpirtërore fëmijë-shoqëri. Pra sa lakonike, po aq konkrete dhe serioze në varg, poezia e saj në këtë vëllim vjen në mënyrë lineare, jo statike, as statistikë shifrash, por është një kërkesë shpirtërore e vargëzuar që shfaq dëshirën intelektuale që dhe pse jeta ka antagonizma kërkon një botë që të jetojë në paqe, mirëkuptim, zhvillim, mirëqënie. Në poezitë e saj ajo është vetvetja e pa shtirë, organike, tepër e sinqertë dhe pa kompromise në dëm të personalitetit.
Për të personaliteti njerëzor është çmimi më i madh që mund të marrë njeriu në jetë. Dhe pse në disa poezi melankolia hyn si kundërpeshë e optimizmit, ajo melankoli shërben si shtysë për nisma të reja që sjellin frymëzim dhe nxitje për rezultate të reja. Larg artificave të vargut, larg stisjejeve apo fjalëve banale, pa thirrje patetike, pa hamëndësime boshe por deri diku dhe me një ndjesi antimaskiliste të tërthortë vëllimi i ri poetik “Amazon”, i Katiolës, është një rritje artistike, një hap më i sigurt drejt paraqitjes si një poete me kërkesa ndaj vetes dhe ndaj poezisë në përgjithësi, për tu paraqitur denjësisht para lexuesit, kritikës dhe poetëve të rinj. Në këtë vëllim të ri me sinqeritet fëminor, Katiola dëshmon se peozia për të nuk është qëllim në vetevete, por pjesë e pandalshme e jetës që i jep frymëzim, entusiazëm, e detyron ta njohë më thellë veten, shoqërinë, punën, të afërmit dhe nëpërmjet vargut të jap pa asnjë paragjykim mesazhet e veta për jetën.
Duke qenë e virgjër në varg, vetvetja në gjithë poezinë e saj mesazhi i saj është konkret: Njihe jetën me të gjitha ngjyrat, merr nga jeta ç’ka të rrit vetbesimin! Poezia për të është ylberi jetësor, që në moment melankolie, dëshpërimi, vujatjeje, të jep frymëzimin e duhur për të gjetur motivin kyç dhe të domosdoshëm të jetës. Thjesht për të poezia nuk është vetëm art por edhe oksigjeni më i domosdoshëm që i hap dritaret më të bukura për të gjetur lëndinat shumëngjyrëshe frymëzuese që në përditshëmri nuk i gjen dot. Kjo lëndinë mahnitëse, e munguar në Tiranën e zhurmshme për të është dhe mbetet Poezia! Por çështë Amazona për Katiolën? Duke pasur parasysh që Amazonë është një femër e fortë, antimaskiliste që luftonte si një mashkull për të drejtat e saj, edhe Katiola është e fortë në mendime kundra çdo padrejtësie, urren të qenit e brishtë dhe nën hijen e dikujt.
Me vargje në këtë libër autorja shpreh rebelizmin që ajo shfaq ndaj padrejtësive që i bëhen femrës në realitetin shqiptar, dhunën ndaj tyre, indiferencën, nëvleftësimin. Pra për të Amazon është shpirti i fortë i një femre e cila për të është dhe duhet të jetë shumë herë më i fortë, i papërulur dhe i suksesshëm se një mashkull. Amazon është një femër tipike e kohës moderne, plot virtyte dhe e pa nënshtruar. Kjo është dhe ideja dhe mesazhi kryesor që e përshkon gjithë librin e dytë të poetes krenare Katiola Karoli.
Mëkatare
Sa bukur i lyen buzët si trëndafil,
Qerpikët si hala pishe i ke lyer ti,
Ti tunduesja e botës në dukje e lumtur,
Po jeton vetëm në ferr dhe në marrëzi.
Shterpësinë e mjerë të shpirtit tënd,
Se mbush dot me puthje pa vlerë,
Atje kanë lënë njollën e turpit meshkuj,
Pa karakter, paburrëri me fjalë në erë.
Ti bukuroshe në pamje tunduese,
Mos kujto se bota ty të ka zili,
Ti dëfren mbi çmenduritë e shtratit,
Shuan afshe, ndez pasione por s’merr dashuri.
Më vjen keq për lumturinë zhgënjyese,
Por për ty nuk mund të ketë pendesë,
E zgjodhe me dëshirë rrugën e turpit,
Tashmë nuk ka më vlerë e jotja kthesë.
Nuk mund të lahet mëkati,
Me lotët e gjithë botës,
Nē llumin ku ti zhyte vetveten,
Tē dalësh sot është e kotë.
Janë lotët e mijëra-mijëra femrave,
Që netët gdhinin zemra vetmuar,
Që prisnin të hynte te dera princi,
Princi i kaltër, besniku i përbetuar.
Nuk ndjej mëshirë për krijesa të turpit,
Dhe për ju burra pa burrëri….
Ai që ka një zemër fisnike,
Në jetë ka vetëm një dashuri!