Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: “Të caktuarit”…

 

 

“Nesër” dhe jo “sot”, duken kaq afër njera-tjetres, njësoj si “I” dhe “Me”, por në këtë “lojë” në mes dy realiteteve dhe dy koncepteve, ne jemi përballë dy të panjohurave që nuk ka rregull matematike, ligj fizike apo përpjekje filozofësh të arrijë t’i zbërthejë.

“Sot” unë jetova dhe e njoh të sotmën, ndërsa “I”, do të “përkthehej” më mirë nga filozofët, sepse sipas tyre “I” vepron dhe si përfundim plotësohet shprehja: “Unë veproj Sot”.

Ajo çfarë ne nuk komandojmë dot, sepse është shumë e vështirë, për ne kafshët e zgjuara të Niçes, është “Nesër” dhe “Me”.

E nesërmja nuk na përket, na jepet nga mekanizma jashtë nesh dhe “Me” është aq subjektive, sa një shpirt ose si një shpirt. Përderisa Uni ynë nuk është aq i zoti të kontrollojë ‘Mua’ ne jemi të parealizuar plotësisht, por pikërisht këtu qëndron magjia, te e panjohura. A nuk jemi shumë familjarë ne me të panjohurën, pasi kemi mbi 250 milionë vjet që jetojme dhe akoma nuk dimë me siguri kush jemi dhe si u krijuam?

Na pëlqen magjia e të panjohurës ose skllavërisht jetojmë nën vullnetin e të panjohurës dhe vdesim po ashtu, por një gjë është e sigurt jetojmë të frikësuar nga e panjohura dhe njësoj vdesim.

Ndryshimin e bëjnë vetëm një pjesë e vogël mes nesh, të caktuarit.

Ne nuk i njohim, as i kuptojmë, derisa ata zgjidhen të ikin nga ne, duke marrë me vete zgjidhjet e pyetjeve tona.

Ata kanë shumë gjëra të përbashkëta mes tyre, jetojnë mes nesh dhe largohen nga ne, pa e humbur mirësinë dhe besimin te ne!

Jetojnë pak, për të na treguar anën tjetër të vetes sonë, ëngjëllin, por largohen që të na bëjnë të reflektojmë rreth tyre, duke u bërë zile alarmi, kambanë kishe, ulërimë çjerrëse, për të keqen që po na pllakos.

Janë të thjeshtë, të qeshur, me sy e fytyrë ku gjen një paqësi, si fushat e blerta të pranverës e dëshiron të prehesh e të “vjedhësh” pak, nga kjo paqe bujare dhe mistike njëherësh.

Ata sy të ëmbël dhe miqësorë, edhe nga fotografia duket që të flasin, të grishin të jetosh, të shpresosh…Akoma edhe nga korniza anembanë rrethuar me lule, për t’u parë nga njerëzit e pafund që po vijnë në funeralin e tij.

Ky është funerali i parë, se në të vërtetë vdekja e tij nuk është e para.

Para shumë vitesh, i doli fryma e njeriut dhe ishte përsëri duke luajtur lojën e tij të preferuar, por lutja me shpirt e bashkëmoshatares së tij e kapi Krijuesin, në një çast dobësie. Ai e ringjalli, por jo më si njeri, sepse tashmë ai më shumë sesa i përkiste Tokës, i përkiste Qiellit…

Emiljani e pa dhe e ndjehu të paparën dhe të pandjerën nga ne mosnjohësit. Ai jetoi pas atij çasti edhe shumë vite të tjerë, i vetëdijshëm për çfarë duhej të bënte në vitet që iu dhuruan me dashuri. Do jepte vetëm dashuri. Pjesën më të munguar sot mes njerëzve.

U shugurua dhe u fal për prift në besimin katolik, i vetëdijshëm që ishte nga të caktuarit. Çdo ditë që zgjohej herët shihte nga Dielli, nuk kishte rëndësi dukej Dielli apo fshihej pas reve. Më shumë e shihte të fshehur pas tyre, sepse ngrohtësinë e kishte gjithmonë në shpirtin e tij të ngazëllyer për këtë jetë që po jetonte. Ngazëllimi i vizatohej si një buzëqeshje diellore në buzët që artikulonin vetëm fjalë dhe tinguj të ëmbël.

Ky ngazëllim i dukej dhe ai nuk përpiqej ta fshihte. I jepte edhe më të padashurit dashuri. Nëse dashuria i qe dhënë pjesë-pjesë, herë nga babai dhe herë nga nëna në kohë e vende të ndryshme, Emiljani përsëri dinte ta jepte dashurinë të plotë, pa u mërzitur kurrë dhe pa kërkuar përgjigje se përse prindërit e tij jetonin të ndarë dhe kishin familjet e tyre, jo një familje së bashku me të. Kompensimi, ky ligjit të jetës në Tokë, e bënte më shumë të jepej pas saj, sepse ai e dinte që do ikte shpejt. Dhe iku. Sot ai iku përfundimisht. Vdiq duke luajtur për herë të fundit, sportin e tij të preferuar. Në lutjet që bënte çdo mbrëmje, pasi lutej për njerëzit e tij dhe për të gjithë të tjerët që kishin nevojën e lutjeve të një ëngjëlli, ai lutej që të vdiste në mënyrën më të bukur…

Dhimbjen e largimit e ndjente vetëm kur mendonte të ëmën, prandaj sa herë gjente rast mundohej ta parapërgatiste:

– Nënë, të lutem mos u mërzit për mua, nëse do iki, nëse nuk të marr në telefon dy herë në ditë, siç bëj gjithnjë! Unë e di që më dhe shumë dashuri, edhe kur isha larg teje, sepse të kisha me vete dhe flisja me ty sikur të kisha pranë. Bëj edhe ti të njëjtën gjë, fol me mua dy herë në ditë, se kohën tjetër shpenzoje të japësh shumë dashuri ndaj motrës dhe vëllait tim! Kapi për dore çdo mbrëmje dhe ndjeje gjakun e tyre në damarët e njomë, aty regtij edhe unë. Dashuria më e madhe dhe e përjetshmja ekziston vetëm mes gjakut dhe vazhdimësisë së tij.

– Bir, pse je kaq i sigurt në ato çfarë bën? Unë e shkreta dridhem si shkarpa që digjet nga brenda dhe të kam dhënë vetëm dashuri, larg e afër.

– Dashuria të bën të sigurt nënë! Dashuria e nënës në fillim, që të mëson të duash dhe më pas ta japësh. Nëse nuk do ma jepje ti dashurinë, unë do isha duke e kërkuar dhe në vend që të jepja dashuri, do isha duke marrë dashuri për të plotësuar qënien time…

Emiljani iku, njësoj si vëllai im, të dashuruar me jetën dhe me zemrën plot dashuri, të dy duke qenë në moshën më të bukur dhe të dy duke bërë atë që donin. Emiljani të lutej për njerëzit, vëllai im të paqtonte ata. Të dy të dashur dhe të mirë, për të na dhënë mesazhin, që mos qani për vdekjen tonë, se është alarmi për t’iu kujtuar ju, bashkëvdektarëve në tokën mëmë apo në këtë tokë të largët, se dashuria është më e rëndësishme se gjithë paratë tuaja!

Lëreni larg kishës sime makinat tuaja të shtrenjta, bëni pak rrugë në këmbë dhe mos më mbuloni me lule pa aromë! Lulet me aromë janë rritur me mua gjithë këta vjet dhe erën e tyre po e ndjej afër…

Mes nesh jetojnë ëngjëjt, nuk kanë flatra që t’i dallojmë, por shihni rreth vetes këtë çast që po lexoni, nëse dikush ju dha kujdes, dashuri dhe mirësi, zhbirojeni më mirë. Pse mendojmë që ato që kuptojmë janë të rëndësishme?

Natyrën nuk e kuptojmë dhe është shumë e rëndësishme për ne, kafshët dhe pemët nuk i kuptojmë, por janë shumë të rëndësishme për ne…

Ne kemi zgjedhur të jetojmë të panjohur dhe kjo është magjia e jetës sonë.

I shihja sytë e tij përmes fotografisë dhe një moment e humba vetëdijen ku ndodhesha. Qe fat që nëna e tij më foli, vura duart në fytyrë dhe ndjeva nxehtësinë në faqet, zemra më rrihte fort.

Nuk ka çast në këto dy ditë mos kujtoj atë moment, kur sytë e tij më shihnin nga fotografia dhe u pulitën lehtë…

 

01.04.2019.