Albspirit

Media/News/Publishing

Refleksione mbi objektivitetin dhe tolerancën

 

 Image result for mimoza koka

Mimoza Koka

 

 

 

Në 10-15 vitet e fundit arti, letërsia, por dhe historiografia, i ka trajtuar ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore jo më bardh e zi, ku e mira dhe e keqja ishin të përcaktuara qartë: nga njëra anë rezistenca dhe nga tjetra fashistët dhe nazistët. Ky trajtim është bërë kryesisht në vitet e para pas Luftës, ku të lënduarit dhe persekutorët ishin gjallë dhe ndarja mes tyre ishte e prerë dhe e fortë.
Me krijimin e një distance kohore, arti dhe letërsia e trajton këtë temë jo më bardh e zi, kufiri mes viktimave dhe persekutorëve edhe mund të zhvendoset. Po përmend disa nga këto krijime artistike.

Romani “Suitë Franceze”, shkruar nga shkrimtarja me origjinë ukrainase Irenë Nemirovsky, e zhdukur bashkë me të shoqin në vitin 1942 në kampet naziste të përqëndrimit. Nemirovsky, këtu përshkruan në mënyrë shumë realiste Francën e pushtuar dhe të mundur nga nazistët. Ajo pasqyron, përpos të tjerave, dhe marrëdhëniet e veҫanta që u krijuan ndërmjet ushtarëve gjermanë dhe francezëve. Janë kujtime autobiografike. Këtu përshkruhet dhe dashuria e saj me oficerin nazist që ishte caktuar të jetonte në shtëpinë e saj. Libri është botuar 60 vjet pas lufte, nga e bija e shkrimtares. Është ekranizuar shume bukur nga një film i Hollywood-it.

Një film i njohur italian, ku heroina kryesore, përfaqësuese e Rezistencës Italiane bie në dashuri me një oficer nazist. Megjithëse tepër e paragjykuar, lidhja e tyre arrin të mbijetojë, krijojnë familje dhe jetojnë gjatë pas lufte. Është një nga filmat më të realizuar italianë.

Filmi gjerman “Motrat”. Dy motra binjake gjermane, për rrethana rastësore, gjatë Luftës së Dytë ndahen: njëra ngelet në Gjermani dhe tjetra në Hollandë. Motra në Gjermani martohet me një ushtar nazist që humb jetën në Stalingrad. Ndërsa motra në Hollandë humb të fejuarin në kampin e Aushvic-it. Të dyja humbën nga lufta. Ndarja dhe mëria e tyre zgjat tërë jetën. Në ditët e fundit ato takohen, e falin njëra-tjetrën dhe vdesin në krah të njëra-tjetrës.

Filmi “Pianisti’, me regji të Roman Polansk-it, bazuar në kujtimet e pianistit të talentuar polak Wladyslaw Szpilman. Filmi bazohet në përpjekjet e tmerrshme për mbijetesë të tij në kampet e përqëndrimit. Ai arrin të mbijetojë, dhe kjo falë ndihmës së shumtë që ju dha nga qytetarë që e njihnin talentin e tij, dhe donin që ky talent të mos humbte. Një nga këto episode është dhe ndihma që i dha oficeri nazist. Kjo, sepse ai u prek nga talenti dhe muzika e luajtur prej tij. Kuptohet dhe në saj të edukimit muzikor para ushtarak që nazisti kishte. Pikërisht për këtë episod, këto kujtime në Poloni nuk janë botuar për shumë vite.

Mesazhet që japin krijime të tilla artistike, flasin për objektivitet dhe tolerancë, dhe mendoj se janë mesazhe shumë të mira edhe për shoqërinë tonë.