Zbulohet ditar i panjohur i Vaclav Havelit
Një ditar i panjohur i ish-presidentit çek, Vaclav Havel, i cili përshkruan qëndrimin e tij pesëmuajsh në burg në vitin 1977, është gjetur në Republikën Çeke, bën të ditur gazeta Lidove Noviny.
Ditari është gjetur nga nipi i shkrimtarit Zdenek Urbanek, mik i Havelit.
“Fillimisht kam menduar se është ditari i gjyshit tim, sepse ata kishin dorëshkrim të ngjashëm”, ka thënë David Dusek, i cili ka gjetur ditarin derisa ka pastruar banesën.
Ditari i Havelit përmban reflektime mbi kohën sa ka qenë në burg dhe ide për drama.
Ditari do të publikohet si libër në muajin tetor, për të përkuar me ditëlindjen e 80-të Havelit.
Havel, dramaturg dhe aktivist politik, ka vdekur në vitin 2011.
Ai është burgosur nga regjimi socialist, pasi ka bashkëhartuar dhe nënshkruar Kartën 77, një peticion që i bënte thirrje Çekosllovakisë së atëhershme të liberalizonte dhe të respektonte të drejtat civile.
Pas rënies së komunizmit në Evropën qendrore dhe lindore në vitin 1989, Havel është zgjedhur presidenti i parë i Çekosllovakisë.