Ilir Levonja: Ishulli i Alcatrazit me burgun e famshëm amerikan
Ishulli i Alcatrazit ndodhet rreth 1.25 milje ose 2 km nga gjiri i San Franciscos. U bë i famshëm për shkak të një burgu të sigurisë së lartë që qeveria amerikane ndërtoi aty. Në këtë burg vuajtën dënimet njerëzit më të rrezikshëm të shoqërisë si Al Capone, Miranda, Strud, Karpi dhe krerë të mafies. U mbyll pas njëzet e nëntë vitesh për shkak të shpenzimeve dhe reputacionit të ulët pas arratisjes së famshme të vitit 1962 të vëllezërve John e Clarence Anglin dhe shokut të tyre Frank Morris. Ngjarje e përmasave magjike pasi mjetet e punës për hapjen e mureve ishin pirunët dhe monedha 10 cent. Ata modifikuan dhe një drillë elektrike me pjesë nga fshesat e korentit. Duke zbuluar se materiali inert i mureve bluhej lehtë nga fërkimi me monedhën. Kjo arratisje nuk i shpëtoi as syrit të Hollivudit… Escape from Alcatraz me protagonist Cleant Eastwood do mbushte kinematë… por tashmë ky konsiderohej një reputacion i humbur dhe qeveria e mbylli burgun Alcatraz më 1963. Sot ai shërben si muze. Kap një numër të konsiderueshëm prej 1 million e gjysëm vizitorësh. Megjithatë ka mbetur akoma pa u zbardhur se çfarë bëhet me 3 të arratisurit? Ka zëra që i konsiderojnë të humbur në ujrat e Paqësorit, por edhe nga ata që thonë se jetojnë me identitete të rreme në Brazil… por këto janë vetëm fjalë. Asesi të dokumentuara.