Albspirit

Media/News/Publishing

Rudina Jasini, avokatja shqiptare në Gjykatën e Hagës

Padyshim që është një ndër juristet më të përgatitur në botën shqiptare. Mban vulën e Oxfordit dhe Harvardit dhe është krejt e natyrshme që ta dëgjojmë tek jep leksione në metropolet e botës, New York apo Londër apo të prononcohet nga mediat më prestigjioze.

Të qenit avokate në Gjykatën e Hagës ishte thjesht një stacion në udhëtimin e saj. Doktorja e shkencave Rudina Jasini është padyshim modeli më i suksesshëm jo vetëm për shqiptarët e Britanisë, por kontributi i saj në fushën e jurisprudencës është historik. Por duket se ky është vetëm fillimi.

Për çdo mërgimtar dhe më gjerë, është e mahnitshme të dëgjosh se në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare një kontribut të veçantë jep edhe një zonjë e nderuar e komunitetit tonë. Është frymëzuese të shkruash për profile të tilla, të cilët padyshim cilësohen si ajka intelektuale moderne e Shqipërisë së ditëve të sotme. Është ndjenjë akoma më e veçantë kur bëhet fjalë për zonja të suksesshme, të cilat paraqesin një forcë dhe një rol model për shoqërinë tonë maskiliste dhe tradicionale.

Është një lloj kënaqësie përmbledhja e personazheve dhe intervista me këta njerëz kaq frymëzues, të cilët janë bashkatdhetarët tanë. Vijnë nga mëmëdheu dhe shkëlqejnë në botën perëndimore në fusha të shkencave dhe më gjerë.

Kjo përmbledhje modeste lindi si dëshirë për të mos lënë nën hije personalitete kaq të famshëm dhe të rëndësishëm të cilët mund të shërbejnë si histori frymëzimi apo motivimi për brezin e ri të komunitetit tonë dhe më gjerë.

Për Rudina Jasinin, Doktore Shkencash në Fushën e Jurisprudencës dhe Avokate e së Drejtës Ndërkombëtare Penale, është vështirë të përcaktosh se cili ka qenë ai momenti që ka shënuar fillimin e udhëtimit të saj drejt suksesit.

Mbase dëshira për të argumentuar dhe debatuar ka qenë e pranishme tek ajo që në fëmijëri. E kishte shprehur shpeshherë në familje që ëndërronte të bëhej juriste. Ka qenë rreth moshës 14-15 vjeç, kur kjo ide u bë gjithmonë edhe më e kristalizuar në mendjen e saj. Kjo dëshirë së bashku me një mbështetje të fortë të prindërve, të cilët e kanë ushqyer gjithmonë me një pavarësi të mendimit, dëshirën për të studiuar dhe një etikë të fortë pune, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë shërbyer si katalizatorë që ajo të ndiqte udhëtimin në fushën e jurisprudencës.

Duke e pyetur se cilat kanë qenë stacionet e udhëtimit të saj, Rudina shprehet se ka filluar studimet për drejtësi pranë Universitetit të Tiranës, dhe më pas ka studiuar si Fulbright scholar në fushën e së drejtës ndërkombëtare në Georgetown Law School.
Në përfundim të studimeve në SHBA, është vendosur në Hagë ku ka punuar fillimisht si intern dhe më pas si avokate në çështjen e ish Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy të akuzuarve të tjerë pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë.

Në përfundim të procesit të parë gjyqësor në këtë çështje, ajo është vendosur në Angli ku ka ndjekur një master si Weidenfeld scholar për drejtësi penale dhe kriminologji, pranë Universitetit të Oxford-it. Në vijim ka ndjekur
doktoratën në të drejtë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oxford-it, gjatë të cilit ka shkuar për një vit si PhD research scholar pranë Universitetit të Harvard-it.
Doktoratura, të cilën ajo ka mbrojtur në 2015, ka përbërë mbase rrugëtimin më të vështirë në fushën e dijes, si dhe arritja që i ka dhënë kënaqësinë më të madhe profesionale deri më sot.

inaRudina nuk beson se bëhet fjalë për një çelës magjik që hap dyert e suksesit. Madje, nuk mendon që nevoja për të patur sukses ka qenë ndonjëherë shumë e rëndësishme tek ajo. Për të, gërshetimi i pasionit me vullnetin e fortë, aftësinë për të kuptuar që një oportunitet i caktuar në kohë është momenti i duhur (e shprehur ndryshe carpe diem), të qenit vizionar, si dhe një etikë shumë e fortë pune përbën çelësin e çdo arritjeje profesionale dhe personale.

“Për mua gjithmonë elementi ‘vlerë’ ka luajtur një rol në vendimet që kam marrë – sa vlerë sjell tek unë dhe tek të tjerët ajo që unë bëj” shprehet ajo. “E rëndësishme është që çdo iniciativë apo projekt të më sjellë edhe një kënaqësi personale, pasi ajo në vetvete është një element shtytës mjaft i rëndësishëm për mua.”

Por çfarë është atdheu për Rudinën? Ajo thotë se atdheu përfaqëson shumë elementë për të: familjen, kujtimet e fëmijërisë, miqtë, rrugët ku ka shkelur, natyrën – një lidhje që është e vështirë ta përkufizosh. Ajo nuk i qëndron mendimit që fakti që dikush ka lindur në një vend e identifikon domosdoshmërisht atë me vendin ku ka lindur dhe nga vjen, pasi mendon se ne jetojmë në një botë globale.
Ajo ëndërron për një botë pa kufinj dhe të zhveshur nga nocionet nacionaliste. Në këtë sens koncepti i atdheut merr një dimension tjetër tek ajo, të cilin e sheh më shumë të reflektuar tek njerëzit, kultura, traditat, dhe më pak tek përcaktimi gjeografik i një vendi.

Përsa i përket komunitetit tonë në Britani, Rudina shprehet se gjatë tetë viteve që ka qëndruar në Britaninë e Madhe, ka vënë re një organizim në rritje dhe dëshirë për të bashkëpunuar në shumë drejtime ndërmjet anëtarëve të komunitetit shqiptar, gjë që është për tu admiruar. “Unë mendoj që aty ku ekziston shpirti i komunitetit dhe një dëshirë për të bashkëpunuar, aty gjendet edhe mundësia për të realizuar iniciativa dhe projekte të rëndësishme”.

Për sa i përket planeve për të ardhmen ajo tregon se aktualisht është duke punuar për publikimin e një libri që mbështetet në temën e saj të doktoraturës, e cila është e përqendruar në rolin që luajnë viktimat e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, si palë civile në proceset penale ndërkombëtare.

Ky është fryt i një pune kërkimore pesë vjeçare pranë tribunaleve ndërkombëtare në Kamboxhia dhe Hollandë (Hagë), dhe shpresoj një kontribut në fushën e dijes në lidhje me këtë çështje, publikimi i të cilit do të shënonte një arritje të mëtejshme profesionale dhe personale për të e më gjerë./the albanian/

Please follow and like us: