“NewBorn” ndryshon fytyrën me 99 gratë që kanë bërë histori në Kosovë
“Newborn”, monumenti i njohur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë ndryshon fytyrë. Duke nisur nga sot (7 qershor) e deri në datën 14 në sipërfaqen e këtij monumenti do të vendosen porteretet e 99 grave dhe vajzave të cilat janë mishërim I forcës, këmbënguljes e kontributit të grave. Nëpërmjet instalacionit “Rimarrje” këto 99 portrete tregojnë se si 20 vjet pas luftës në Kosovë gratë kosovare po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, artiste e atlete.
Vasfije Krasniqi Goodman, Feride Rushiti, Uta Ibrahimi, etj, janë disa prej emrave të grave të portretizuara në këtë instalacion.
E pranishme gjatë këtij aktiviteti ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila përgëzoi projektin që e cilësoi si të domosdoshëm për rolin e gruas.
“Ky projekt është i domosdoshëm për rolin e gruas në Kosovë, rol të cilin e ka luajtur dekada me radhë dhe po inaugurohet në një moment shumë të rëndësishëm. Jemi vetëm disa ditë afër shënimit të 20-vjetorit të lirisë së Kosovës dhe ky projekt na pasqyron ne si shtet i ri. Jo rastësisht është vendosur përballë monumentit të Heroinave, që po ashtu ka rëndësinë e vet për rolin e gruas në Kosovë, për angazhimin e saj, përkushtimin, e kontributin në këto dekadat e fundit dhe kjo përfaqëson më së miri se sa ka dhënë gruaja për Kosovën sepse ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në të cilat shteti ka kaluar, jo vetëm gjatë periudhës së rezistencës dhe luftës por veçanërisht edhe gjatë proceseve të shtet ndërtimit të Kosovës”, tha Jahjaga.