Luigi Soreca: Pretendimet e opozitës po shqyrtohen
“Pretendimet e opozitës po shqyrtohen”. Është kjo deklarata e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca në lidhje me akuzat e opozitës për qeverinë si dhe për krizën ku ndodhet vendi. Në një intervistë për Euronews (versioni në spanjisht) diplomati i BE-së thotë se “Megjithatë, këto akuza duhet të shoqërohen me vendime në përputhje me sundimin e ligjit, prandaj, nëse hetimet përkthehen në vendime, sigurisht që Bashkimi Evropian do t’i marrë parasysh të gjitha këto”. Soreca thotë se Shqipëria ka bërë përparime sa i përket reformës në drejtësi, por sipas tij reforma në drejtësi nuk është ajo që mendon opinioni ndërkombëtar kur shikon drejt Shqipërisë. Sa i përkët krizës politike ambasadori i BE-së i bën thirrje të gjitha partive politike që të kapërcejnë ngërçin aktual dhe të marrin në konsideratë interesin kombëtar të shqiptarëve. Përgjimet e fundit të publikuara nga Bild, vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, me kandidatin aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arbani, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë Socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi.