KE: Palët të angazhohen urgjentisht në dialog
Komisioni Europian kërkon nga palët politike në Shqipëri angazhim urgjent në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike. Duke iu përgjigjur interesit të ABC News, për çdekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti dhe deklaratave të mazhorancës për të nisur procesin e shkarkimit të kreut të shtetit, zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç tha: “Ne po ndjekim zhvillimet. Kjo është një çështje për t’u trajtuar nga institucionet shqiptare në përputhje me legjislacionin dhe jurisprudencën ekzistuese, në respekt të plotë të parimeve kushtetuese dhe demokratike. Siç është thënë tashmë, ne konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare dhe jo për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale seriozisht pengojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare. Përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar në Parlament, që funksionon plotësisht. Tani është thelbësore që të ruhet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale. Ne përsërisim thirrjen tonë për të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”.