Historia e arkitekturës shqiptare
Pesë kolosët e trashëgimisë kulturore: Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Emin Riza, Gjerak Karaiskaj dhe Pirro Thomo rikthejnë veprën shkencore “Historia e arkitekturës në Shqipëri”.
Libri vjen i ripërpunuar pas 35 vitesh, si një bashkëpunim mes autorëve dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Arta Dollani, drejtore e Institutit të Monumenteve, thotë: “Është një botim me shumë vlera dhe unik në fushën e arkitekturës shqiptare. Të pestë autorët e dikurshëm tashmë vijnë me kërkimet e tjera të tyre”.
Apollon Baçe, një nga autorët, thotë se pas botimit në vitet ’80, ai shkoi në Gjermani për një studim 5-vjeçar. Kjo eksperiencë, por edhe studimet ndër vite, kanë bërë që ai të mbajë një qëndrim të ndryshëm nga ai i pari, të cilin e pasqyron në botim.
“Një objekt mund të jetë i njëjti, por mënyra si e shikon atë është tjetër. Kjo më lejoi që ta vë në një kontekst më të gjerë”, shpjegon Baçe.
Ndonëse një studim shkencor, libri është shkruar thjesht dhe nuk i drejtohet vetëm historianëve e arkitektëve, por edhe lexuesve intelektualë që duan të mësojnë më shumë rreth arkitekturës shqiptare.