Ismail Xhaferi: Kënga e pijetarëve!

Nga klubet vijmë, në klube shkojmë,
Është mrekulli raki e rrushit!
Se dhe në borën e dhjetorit,
Na duket sikur rrimë mes prushit.
Nga klubet vijmë, në klube shkojmë,
Çdo mbrëmje gotat rradhë i shkundim,
E shkreta gjizë ç’farë heq nga ne!
Të shkretës gjizë i nxorrëm fundin.
Nga klubet vijmë, në klube shkojmë,
Raki e rrushit është melhem,
Dhe me një kokërr qepë të thatë,
I pimë dhjetë gota pa problem.
Në klube ditën edhe natën,
Mungesa s’marrim asnjëherë,
Edhe po s’pati raki rrushi,
Të rrojë rakia me sheqer!
Na shkoi jeta përrreth gotës,
Nga klubet s’dalim vetëm hyjmë,
Gjithë kohën bëjmë politikë,
Të gjithë pa lekë e të gjithë pimë.
I duam klubet mbi gjithçka,
Se pimë raki, uzo, konjak,
Shumë herë që s’kemi të paguajmë,
Shënojmë emrin në banak.
Na shkoi jeta nëpër klube,
Ku pije dashur derdhet lumë,
Askush prej nesh nuk e do punën,
Të gjithë ankohemi se s’ka punë.
Fatmirësisht ka klube plot,
Ndaj asnjëherë s’jemi zhgënjyer,
Në çdo godinë, në çdo pallat,
Kati i parë në klub është kthyer.
Me klubet jemi dashuruar,
Nuk ka më mirë sesa të pish,
Por pas mesnatë pisk e kemi,
Se s’gjejmë derën e shtëpisë.
Por klubet kurrë nuk i braktisim,
E kemi ndarë mendjen top,
Kënaqemi kur shajmë Berishën,
Dhe Edin me gjithë sorollop.
Nga klubet vijmë, në klube shkojmë,
Dhe me kuvendin bëjmë garë,
Se shpesh dhe sallë e parlamentit,
Na ngjan si klub me pijetarë.
Nuk jemi pak, po jemi dhjetra,
Në tavolina të rreshtuar,
Atdheu dhe familjet tona
Të ardhmen kanë të garantuar.
Nga klubet vijmë, në klube shkojmë,
Është mrekulli raki e rrushit,
Se dhe në borën e dhjetorit,
Na duket sikur rrimë mes prushit.