Abdulla Mehmeti: SHQIPTARËT JANË POPULL HYJNOR, QË U KA HYRË DJALLI PËRBRENDA, T’I LARGOJË NGA RRUGA E ZOTIT
Në fotografi: shqiptarët atdhetarë, pjesëtarë të tri besimeve fetare, gjithmonë bashkë!
(Gjergj Fishta: “Do t’i shkrijmë kryqet tona dhe t’i bëjmë fishekë, që t’i mbrojmë vëllezërit muslimanë shqiptarë”).
Mohimi, përbuzja, hakmarrja, urrejtja dhe konfliktet nuk janë urdhra të Zotit, por mashtrime të Djallit!
Një pjesë e shqiptarëve janë me orientim më armiqësor ndaj qenies kombëtare dhe vetes së tyre se çdo pjesëtar i ndonjë populli tjetër të botës.
Vetëm ndër shqiptarët ngatërrohet besimi në Zotin, krijuesin e botëve dhe të njerëzimit, me çështje të religjioneve, për aq më keq me kombe, shtete të tjera dhe institucione të besimit që i kanë krijuar vetë njerëzit për interesat e tyre.
Këta individë, që mjerisht janë shqiptarë, ose shtiren ose nuk e kuptojnë se, të gjitha besimet fetare, librat e shenjtë dhe profetët janë mrekulli të Zotit për njerëzimin, për ta udhëzuar në rrugë të drejtë, për vepra të mira dhe të dobishme.
Zoti nuk ka krijuar nga dy-tre profetë me një trup, një shpirt dhe një jetë, që njerëzit ua kanë ndryshuar emrat e tyre sipas religjioneve dhe interesave të veta.
Ata që besojnë në një Zot, në librat e shenjtë dhe në profetët e tij, secili në mënyrën e tij dhe sipas bindjeve personale, vetëm mund të jetë jobesimtar, nëse në emër të këtyre vlerave të shenjta përhap propagandë dhe përçarje mes njerëzve, sidomos mes atyre që kanë një prejardhje, një gjak dhe një gjuhë.
Kombet, gjuhët dhe veçoritë dalluese mes popujve dhe njerëzve nuk janë prodhime të mendjes dhe dorës së njeriut, por janë të Zotit, krijuesit të tyre.
Ka vetëm një Zot për besimtarët e vërtetë, libra të shenjtë dhe profetë, të cilët nuk mund të ndahen sipas interesave të njerëzve, siç janë ndarë edhe profetët nga religjionet, në Adem e Adam, Mejreme dhe Maria, Ibrahim dhe Abraham, Isa dhe Jezu, Ilia dhe Ilias, Daut dhe David, Musa dhe Moisi etj.
Besoni në Zot, krijuesin tuaj, të botës dhe të njerëzimit, në librin e shenjtë që e lexoni dhe i besoni, në profetët që u besoni si të dërguar të Zotit dhe udhëzues të njerëzimit, por mos i dalloni, përbuzni dhe përçani njerëzit dhe besimtarët sipas propagandave që ua kanë mbjellë në mendje të huajit, pushtuesit dhe sunduesit e huaj, të shitur si miq, dashamirë dhe shpëtimtarë!
Mohuesit e prejardhjes së tyre, të vëllezërve e motrave të një prejardhje, të një gjaku dhe të një gjuhe, janë jobesimtarë, mohues të fesë, cilësdo prej tyre, si dhe të urdhrave të Zotit!
Duaje, udhëzoje dhe ndihmoje të afërmin, cilindo njeri krijesë të Zotit, në çfarëdo gjendje qoftë ai, që ta kesh bekimin dhe mëshirën e Zotit përgjithmonë për veten tënde!
Rrethanat historike, që shqiptarët u takojnë tri besimeve fetare, ndër shekuj të okupuar dhe sunduar nga të huajit, i kanë detyruar të jenë më ndryshe nga popujt tjerë, për shkak të ruajtjes së qenies kombëtare; shqiptarët e besimit islam nuk kanë qenë dhe as mund të jetë si turqit, arabët apo iranianët; besimtarët katolikë shqiptarë nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë si kroatët, italianët dhe disa popuj të tjerë evropianë; as shqiptarët e besimit ortodoks nuk kanë qenë dhe nuk mund të jetë si grekët, serbët apo bullgarët, përveç nëse heqin dorë nga përkatësia kombëtare e tyre.
Me këtë, shqiptarët e secilit besim fetar nuk janë më pak besimtarë se të tjerët, nëse i ruajnë veçoritë e veta dalluese kombëtare, sidomos gjuhën amtare në predikimin e feve, si dhe simbolet kombëtare si pjesë e institucioneve, festave dhe ritualeve fetare.
Dhe, mos harroni, asnjëri nga librat e shenjtë nuk ka ardhur për njerëzimin në gjuhën greke e sllave, në gjuhën turke apo persiane, apo në gjuhën italiane, kroate apo në ndonjë gjuhë tjetër të popujve të sotëm evropianë. As profetët, të dërguarit e Zotit për udhëzimin e njerëzimit, siç na mëson historia, nuk kanë qenë me përkatësi kombëtare nga radhët e popujve që përmendëm më lartë.
Ata që besojnë në Zot, në Kuranin famëlartë dhe në profetin Muhamed a.s., pse duhet të ndjehen më tepër turq e iranianë, se sa shqiptarë, përderisa as profeti nuk ka qenë nga ato kombe dhe as libri i shenjtë në gjuhët e tyre?
Ata që i besojnë Zotit, Biblës së shenjtë dhe profetit Isa, pse duhet të ndjehen më tepër italianë, kroatë dhe evropianë, se sa shqiptarë, përderisa as profeti i tyre nuk ka qenë nga ato kombe, as libri i shenjtë në gjuhët e tyre?
Ata që i besojnë Zotit, Biblës së shenjtë dhe profetit Isa, por i takojnë ritit fetar ortodoks, pse duhet të ndjehen më tepër grekë, serbë apo bullgarë, se sa shqiptarë, përderisa as profeti Isa, sipas ritit të tyre, nuk ka qenë nga këto kombe, as libri i shenjtë në gjuhët e tyre?
Të ndjehesh shqiptar, pjesëtar i njërit nga kombet më të lashta që njeh historia e njerëzimit, je më afër të vërtetës, më afër Zotit, profetëve të tij dhe librave të shenjtë.
Ruaji Zot shqiptarët nga propaganda e huaj, mashtrimi i djallit dhe mohimi i besimeve fetare, i librave të shenjtë, i profetëve dhe i Zotit të plotfuqishëm! Amin!
Çështja e krijimit të miqësive dhe zgjedhja e aleatëve mes popujve dhe shteteve të tjera është çështje me interes politik, ekonomik dhe strategjik, jo interes fetar, që i përcaktojnë drejtuesit e një shteti, strategët dhe udhëheqësit e një kombi, jo qytetarët e zakonshëm, më shpesh njerëz me dije të kufizuara, të cilët mund të shndërrohen lehtë në instrumente dhe vegla të propagandave të huaja, për interesa të shteteve dhe popujve të tjerë, jo për interesa fetare.
(25.VII.2020)