Zaho Golemi: Luigj Gurakuqi – atdhetar dhe dëshmor i çështjes kombëtare
(Luigj Gurakuqi, 20.2.1879-2.3.1925, Bari, Itali, ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet. Luigj Gurakuqi është një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave ka qenë organizator dhe protagonist e pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i tyre. Në vitin 1957, 32 vjet pas vrasjes, eshtrat e Luigj Gurakuqit u sollën dhe u rivarrosën në Shkodër. Luigj Gurakuqi është shpallur dëshmor i Atdheut me Vendim nr.129 datë 3.11.1969, si një prej bijëve më liberator dhe dëshmor të kombit shqiptar).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Veprimtar i shquar, misionar dhe dëshmor i kombit shqiptar Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe patriotike. Ai ka qenë tërësisht i përkushtuar ndaj çështjes së atdheut, ndërkohë që gjithë veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës në fillimin e shekullit të kaluar. Lindi në Shkodër më 1879 dhe mësimet e para, por edhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje. Më tej shkoi për studime më të thelluara në Itali, ku përfundoi kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i Jeronim De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist me pseudonimin “Cakin Shkodra” dhe “Lekë Gruda”. Më 1908 Luigj Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora dhe mendja e Luigj Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër. Në vitet 1921-1923 Luigj Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Stilian Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924. Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. Fan Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit”, “Mësues i Popullit” dhe “Dëshmor i Atdheut”. Krijimtaria poetike e Luigj Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941. Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të Filip Shirokës, Luigj Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë. Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa”, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit. Luigj Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik. Luigj Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912). Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë. Edhe si publicist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombtar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet shqiptare. Luigj Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe, çka e rendit atë si një ndër figurat më me shumë vlerë të arsimimit shqiptar.
I rritur në një vatër atdhetarie dhe nxënës i Jeronim De Radës
Luigj Pjetër Gurakuqi ishte lindur më Shkodër më 20 shkurt 1879, ndërsa në një dorëshkrim shënohet data 19.2.1880 dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjerë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Pjetër e Leze Gurakuqi kishte dy djem dhe dy vajza: Luigjin, Gjergjin; Paulinën dhe Adelajden. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë babai i dy djemve dhe dy vajzave. Shtëpia e babait të Luigjit e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve me kulturë, që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. Luigji fëmijë ndodhjej pothuaj që fëmijë gjithmonë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqën ato. Duke kujtuar këto vite, Luigj Gurakuqi student do të shkruante: “…Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarëvet të Shkodres, trimnitë e malcorëvet e luftrat me Malin e Zi, sende që kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa..”. Shkollën fillore e të mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian në profiling tekniko-tregtar, të cilin e ka përfunduar më 1897 me rezultate të shkëlqyera. E plotësoi arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues një prej korifenjve të Rilindjes kombëtare shqiptare Jeronim De Rada, që e frymëzoi për tërë jetën e tij, që në fakt Luigji ka qenë nxënësi i parë shqiptar në Shën Mitër Koronë. Takimin me De Radën të Luigj Pjetër Gurakuqi e kujton në këtë mënyrë: “Kam pasë nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim De Rada. Tue u-gjetë përpara t’âmblit kangatar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zânin e tij të fikët, qì bâhej mâ i plotë, e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkelqeshin, tue permêndë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé..!” Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për shkenca natyrore, duke pasë ndjekur dhe kurse të veçanta edhe në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli në Fakultetin e Mjeksisë në vitet 1901-1906, ku edhe u njoh me Zef Skiroin, profesorin e shquar të gjuhës arbërishte në Institutin Oriental (Lindor) të Napolit, tashmë i rritur i arsimuar dhe me një vision të gjerë e dije të thella që do t’ja kushtonte tërësisht çështjes shqiptare.
Mençurinë në funksion të diturisë, arsimit dhe gjuhës shqipe
Luigj Gurakuqi në jetën e tij të shkurtër deri kur plumbi ja preu rrugën dhe gjaku i tij u bë pjesë e gjakut të dëshmorëve shqiptarë të gjuhës, kulturës, diturisë, truallit, pavarësisë përveçse dëshmimtar në ngjarjet më madhore të kombit ishte dëshmues dhe përçues i dritës së diturisë e përparimit të shqiptarëve. Që kur ishte në Itali veprës së Skiroit, Luigj Gurakuqi do t’i përpilonte një parathënie, të cilën Konica do ia paraqiste botës frënge me një përkthim fort të bukur në të përkohshmen gazetën “Albania”. I përpirë nga ajo frymë që i kushtohej Shqipërisë detyrohet me lanë studimet përgjysmë që t’i kushtohej valës së luftërave për lirinë kombëtare duke marrë emrin e tyre në pseudonimin “Lekë Gruda”. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” në Napoli, që më 1906-tën, bëri përpjekjen e parë të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet”, e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Për sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota “gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár”, që ishte si një pasaportë e kombëtares dhe atdhetares, kontribut që do të vinte duke u rritur. Përballjen e parë me autoritetet e pushtimit osman vjen më 1904 nga shkaku i një botimi të vogël mbi kolonitë shqiptare në Itali “Dy Koloní Shqiptare n‘Itali deri tash të panjohtuna”, ndërkohë që më 1905 u detyrua që të arratiset kaçak në male për t’i shpëtuar përndjekjeve. Por me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë ç’kishin bërë faje politike dhe me korrik të vitit 1908, në moshën 28 vjeçare arrin në qytetin e tij në Shkodër i adhuruar nga populli. Mban një fjalim në gjuhën shqipe në praninë e Komitetit të Turqve të Rinj (Jonturqve), që rifillojnë survejimin e veprimtarisë së tij. Në nëntor për tetë ditë rresht 14 nëntor – 22 nëntor 1908, merr pjesë për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve nga Shkodra: Atë Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqësonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqësonte arbëreshët e Italisë. Luigj Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor, ku nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Ai shkroi me dorën e tij alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Luigj Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë dhe ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkëautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqe, që është një shkrues i spikatur i shqipes së pastër dhe të përbashkuar dhe unifikuar. Ndërkohë detyrohet të largohet nga Elbasani dhe të dalë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin. Në prill të vitit 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës dhe dallohet si një nga organizatorët e udhëheqësit e saj, harton së bashku me Atë Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo “Librin e Kuq” siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë e shqiptarëve në një shtet më vete të lirë dhe të mosvarme.
Investimi për pavarësinë – investim për ardhmërinë e kombit shqiptar
Luigj Gurakuqi është figurë mjaft e njohur dhe e dashur i çështjes kombëtare ku investimi jetësor i tij lidhet pikërisht me ngjarjet më madhore të kombit. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës. Fakt është se Luigj Gurakuqi u shndrua një ndër shtyllat e fuqishme të pavarsisë shqiptare duke u përbashkuar në nismën e babait të pavarsisë Ismail Qemalit në të gjithë aktivitetin e tij. Luigj Gurakuqi ka marrë pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët duke shoqëruar Ismail Qemalin zbret në Durrës dhe prej andej nisen pas tre ditësh në Vlorë. Një natë qëndruan në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer Pashë Vrioni, në një kohë të rënduar me rreshe dhe mbrijnë në Vlorë pas tre ditësh. Ai ishte jo vetëm dëshmimtar okular i pavarsisë por edhe pjesë përbërëse e grupit më të ngushtë organizator të shpalljes së pavarsisë më 28 nëntor 1912. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës më 4 dhjetor 1912, u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Nga gjendja e tensionuar në Shqipërinë e mesme, pasi qëndresa nuk u shfaq e frytshme tërhiqet në Shkodër me Aqif Pashë Elbasanin ku vihet në krye të një Komisioni Sundimtar të Përkohshëm. Me Luftën I Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, prania e Komparmatës XIX të komanduar nga gjeneral Trollmann vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, ku u angazhua maksimalisht dhe hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Ljubjanës, më parë profesor në Universitetin e Gratz-it në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon Luigj Gurakuqin. Ai ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Luigj Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemrës së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Luigj Gurakuqi kishte një vizion të qartë për rolin e arsimimit dhe shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore të individit në fushën e arsimit dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike të shkollës shqiptare në të gjithë vendin. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan Pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, Luigj Gurakuqi thelsonte se “asht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. Gurakuqi u përzgjodh nga qeveria edhe si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi rreth 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga dora e tij. Në kabinetin disa ditor të Hasan Prishtinës ju dha posti i ministrit të brendshëm, edhe pse ai ngeli konseguent të pikëpamjeve të tij liberale që duken edhe në artikullin “Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Gurakuqi vlerësonte shumë unitetin e besimeve në Shqipëri. Më 1921-1924 ka qenë deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës punoi fuqishëm për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga skllavëria si dhe deri në fund të jetës së tij ka qenë besnik dhe idealist për të parë një ditë të bashkuar rreth tokës amtare gjithë vëllezërit e kombit shqiptar. Ai ankohej se: “Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t’atdheut duke na lanë si një trup pa kokë”, edhe pse besonte në një bashkim mbarëkombëtar shqiptar. Luigj Gurakuqi demaskonte fort politikën e pastrimit etnik që ndiqnin serbët ndaj shqiptarëve: “Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti, për t’i ndërrue fytyrën Kosovës!”. Gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës në shtetin jugosllav ai e lidhte me Fuqitë e Mëdha, që bënin theror shqiptarët në trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. Ai kërkonte që t’u dilej zot fateve të të drejtave të popullsisë së Kosovës si dhe “e quante detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar. Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte vetëm në atë se ata ishin shqiptar e donin të mbeteshin shqiptar”. Janë të njohura fjalimet më të fuqishme të Luigj Gurakuqit në parlament në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës, aq sa jugosllavet i quanin “…ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës”. Por Luigj Gurakuqi, shprehej: “Si mundte me thanë një qeveri (jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e mbrendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzue për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzizë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve”. Do kalonte pothuaj një shekull që të vërtetoheshin thëniet e Luigj Gurakuqit.
Në krye të financave si ekonomat i zoti
Qeveria e Fan Nolit ishte jetëshkurtër dhe nuk mundi të përmbushë objektivat e saj, por në krye të financave si Ministër i Financave ishte Luigj Gurakuqi. Ai u dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Ai mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Fan Nolit më 1924. Në Parlamentin shqiptar Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji i përgjigjet në mënyrë të mençur: “Zoti Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I falemnderit dhe mund të jetë i sigurtë zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”. Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se nuk është as revolucionar as bolshevik e as socialist, koncepte këto që në vitet 1920 ishin të barazvlefshëm dhe kishin kuptimin e ndryshimeve me dhunë, me forcën e armëve, dhunë e me kryengritje. Mark Gurakuqi do shkruante se, “…ishte trim por s’e pëlqente gjakderdhjen. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore të probleme nepërmes ligjeve, zgjidhjeve “me drejtësi e në mënyrë të butë e liberale”. Si i tillë, ishte kundër futjes se popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte mbi rolin e ligjit, dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen e zgjidhjen me dhunë të problemeve, Luigj Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e 1924, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë. Miku i tij, Mustafa Merlika-Kruja shkruan në letërkëmbimin me Atë Paulin Margjokajn se, “Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qenë kundërshtar deri që nuk qe vendosun, ka luftue si luan për të ndaluar pasojat që në fakt u vërtetuan njera pas tjetrës. “…mjerisht, mandej kur s’i eci fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin. ….Gurakuqi u tërhoq në revolucion, pas një kundërshtimi të fortë. Mund ta dëshmojnë sa u ndodhën në Vlorë”. – shkruante Stavro Vinjau. Veprimtaria e tij si ministër sipas Vinjaut: “..si ministër i Financavet i Kabinetit Noli bëri çudira. Gjeti katër milion franga ari të papaguara; me administrimin e tij të shkëlqyer, me ngursimet e tij, ngursente parat e Shtetit më tepër se paratë e tij, arriti që jo vetëm buxhetin e ri t’a mbyllnjë me një tepricë prej njëmilion franga ari, po edhe të gjithë borxhet e Shtetit të kohës së kaluar të paguhen; nëpunësit të cilët prej 2-3 vjetëvet qenë mësuar të paguheshin me një vonesë prej 3-4 muajsh, arritne ditët e fundit të administrimit të tij të paguhen rregullisht. Dhe barasimin e buxhetit e bëri pa mbyllur asnjë pagesë të dobishme në arësim e Punëve Botore, pa pakësuar ushtrinë dhe duke i dhënë xhandarmëris sa kërkoj Komanda e Përgjithëshme”. Kjo e rendit Gurakuqin një prej ministrave të financave më të zotë të qeverive të para shqiptare të fillimshekullit të XX.
Dëshmori që u vra për gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve
Që nga fundi i vitit 1920 e deri në pranverë të vitit 1924, vijoi një luftë gjithnjë e më e ashpër midis të djathtës, që synonte të ruante privilegjet e vjetra në një Shqipëri në thelb feudale dhe krahut përparimtar, që ishte për reforma që duhej ta vinin vendin në rrugën e përparimit e të zhvillimit demokratik. Revolucioni i Qershorit i udhëhequr nga Fan Noli sipas historiografisë të shkruar nga Arben Puto është i “rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Qeveria e dalë prej tij përbën një nga shfaqjet më interesante të demokracisë shqiptare”. Historia është midis heshtjes dhe keqkuptimeve në lidhje me “revolucionin e qershorit” si një lloj “grushti shteti” që u bë kundër qeverisë nga “dy regjimente ushtarake” dhe “peshkopi i kuq!”. Organizatorët e grushtit të shtetit u shpërblyen me poste ministrore, dështuan në zbatimin e programit, bashkëpunuan me feudalë të mëdhenj dhe nuk i shkuan deri në fund çështjes për mbështetjen e popullit, ndërkohë që Zogu rikthehet i ndihmuar nga Jugosllavët dhe i armatosur nga anglezet. Ahmet Zogu u rikthye në dhjetor ku ju deshen vetëm pesë ditë nga 20 më 25 dhjetor për të përshkruar rrugën nga kufiri verior deri në Tiranë. Me 25 dhjetor 1924, ai shpalli triumfin e legalitetit dhe riktheu ne fuqi, qeverinë e rrëzuar të Iliaz Vrionit, duke bërë legjimitet me qeverisje të gjatë. Noli mblodhi kundërshtarët e Zogut në portin e Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës dhe streha e tyre e parë u bë Bari i Italisë. Përndjekja e shqiptarëve nga rregjimi i Tiranës vijoi edhe përtej kufijve shqiptarë ku jetonin dhe në shinjestër ishin Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., që patën një fat të trishtë. Kështu pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit shkoi në Itali, më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të Hotel Cavour, kushëri i vetë Luigj Gurakuqi. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen se do të shkonte tek Sotiri, “mbasi i kam premtue nji kukull vajzes së tij”. Në xhepat e të ish-Ministrit të financave Gurakuqit, pas vrasjes së tij policia italiane gjeti vetëm 350 lira, që vërtetonte varfërinë e skajshme. Varrimi i Luigj Gurakuqit, u kthye në një miting atdhetarie në tokën italiane, ku në qendër ishte Hasan Prishtina duke zbuluar atentatorin si dorë e paguar e Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, dhe Çatin Saraçi, dëftuar kjo nga letra nisur nga vrasësi që kërkon ndihmë: “Kërkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pështim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku ashtë…? “besa” ndihmë!…”. Hasan Prishtina, mbi varrin e Gurakuqit do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tande do ta marrim me përparimin e Shqipniës”. Autoritetet italiane nuk lejuan që funerali i Gurakuqit të mbahej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezave. Në ato çaste tragjike miku i afërt i Luigj Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen e gjakosur, me të cilën ishte vra “trimi i bardhë si dëborë”, si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari shkuan refugjatë shqiptarë, ku u mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, etj. Ishte eliminuar një atdhetar i klasit të lartë nga dora e një antishqiptari të paguar.
Bashkëorganizator në çështjet më madhore të kombit shqiptar
Luigj Gurakuqi ka qenë një nga veprimtarët më të spikatur të çështjes kombëtare shqiptare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, hero i Popullit dhe dëshmor i kombit shqiptar. Ai njihet gjerësisht në rrethet shkencore, akademike e letrare, por edhe rrethet politike të kohës si shkrues i drejtpërdrejtë i deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë vetëm me 450 fjalë, që peshojnë rëndë në historinë kombëtare të shqiptarëve, ndërkohë që ai ishte shkrues i alfabetit që miratoi Kongresi i Manastirit më 14 nëntor – 22 nëntor 1908. Luigj Gurakuqi ka rol parësor në standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, ndërkohë që data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si “Dita e Alfabetit”. Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave ka qenë bashkëorganizator, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, edhe pse në shkrimet e tij njihet me pseudonimet tashmë të njohura të penës së tij “Jakin Shkodra” dhe “Lek Gruda”.
Jetën për shqiptarizmën dhe gjakun për kombin
Vepra e Luigj Gurakuqit ndrin me gërma të mëdha ari në historinë e shqiptarëve, luajti rol determinant në fatin e kombit shqiptar. Noli, në elegjinë kushtuar Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan Gurakuqin, “vëlla”, “Gojë mjaltë dhe zemër hekur”: “Sa më mirë e kam njohur”, do të thoshte Noli për Gurakuqin“, aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj”. Noli do ta bënte Gurakqin Ministër të Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltar të ngushtë e merr Luigj Gurakuqin me vete pjesë e delegacionit shqiptar në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator 1924. Fillimisht ata morën pjesë në punimet e komisioneve të ndryshme, ku folën të dy në emër të qeverisë shqiptare, por ishte fjalimi i Fan Nolit në sesionin plenar të Lidhjes së Kombeve ai që do të tërhiqte vëmendjen më të madhe ndërkombëtare. “Peshkopi, Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske”, do të shkruante në atë kohë gazeta amerikane Nju Jork Tajms. Luigj Gurakuqi me Nolin në Lidhjen e Kombeve mund të konsiderohen si përpjekja e parë shqiptare, në një nivel të tillë ndërkombëtar, për t’ia bashkuar vendin e tyre të izoluar dhe të harruar Europës dhe vlerave universale të njeriut. Nolit e Gurakuqit, në të vërtetë, iu bashkuan më vonë edhe Bajram Curri e Hasan Prishtina, të cilët shkuan në Gjenevë për të protestuar para Lidhjes së Kombeve duke kërkuar drejtësi për popullin shqiptar të Kosovës, që shovinistët serbë donin ta zhduknin nga faqja e dheut. Për shumë vite Bajram Curri e Hasan Prishtina mbanin mbi shpatulat e tyre vuajtjet dhe dhimbjet e një populli i cili nuk kërkonte asgjë më tepër veçse të jetonte i lirë në trojet e veta autoktone. Nuk ua merrte mendja se pjesmarrja në atë sesion të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924, do të ishte e fundit për të gjithë këta rilindas të kombit si përfaqësues të Shqipërisë dhe shqiptarëve në atë nivel të diplomacisë ndërkombëtare. Prandaj, Luigj Gurakuqi dhe Fan Nolin, nuk mund të anashkalohen edhe në kohët moderne sepse vepra e tyre shkëlqen edhe në kohët moderne, kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, vend kandidat për anëtare në Bashkimin Europian, kur Kosova është shtet i pavarur, kur shqiptarët janë më të lirë se kurrë, kur kohët kanë ndryshuar, por korifenjtë si Gurakuqi dhe shokët e tij të idealit ishin burra që dinin të ndërtonin urat e para drejtë Europës dhe perëndimit, urat kur europa ishte plotësisht e mbyllur për shqiptarët. Por Noli, Luigj Gurakqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina ishin idealistë krejtësisht të kthjellët e shumë të vendosur për interesat aftagjata të kombit shqiptar, sepse bazuar në vlerat, traditën, dhe kulturën e kombit tonë, shqiptarët ishin dhe janë pjesë e Europës, edhe pse kjo vendosmëri u shpagua me gjakun e Gurakuqit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës e dhjetra patriotëve e atdhetarëve shqiptarë. Luigj Gurakuqi e Fan Noli ndiqnin një politikë parimore konsekuente diplomatike në favor të interesave të kombit, që është pjesë e sfidës së madhe të mbijetesës kombëtare në sytë e botës, falë sakrificave, atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale të këtyre burrave të mëdhenj të kombit, të cilët mbronin para botës interesat e vërteta të kombit, si një brez viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar, të cilët shkrinë jetën për idealet e kombit dhe e paguan kontributin me gjakun e tyre. Luigj Gurakuqi është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim nr.129 datë 3.11.1969.