Albspirit

Media/News/Publishing

NATO t’i përgjigjet propagandës së Rusisë  

NATO duhet t’i kundërvihet në mënyrë aktive pretendimit të Kremlinit se aleanca ushtarake perëndimore po zgjerohet duke patur si synim të kërcënojë Rusinë, thotë ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker.

Strategjia e re e Rusisë për sigurinë kombëtare, miratuar nga presidenti Vladimir Putin në fillim të këtij viti, identifikon zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor për Rusinë. Ajo thotë se aleanca, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka intensifikuar aktivitetet ushtarake në vendet anëtare të NATO-s dhe se “po lëviz infrastrukturën ushtarake pranë kufijve të Rusisë.” Strategjia e ruse gjithashtu pohon se duke zbatuar një “politikë kontrolli të Rusisë” nëpërmjet “trysnisë politike, ekonomike, ushtarake dhe informative” NATO është “duke u përpjekur për të ruajtur mbizotërimin në çështjet globale.”

Ish-Ambasadori i SHBA-së në NATO, Kurt Volker, thotë se Kremlini vazhdimisht bën propagandë kundër Perëndimit, duke pretenduar se NATO ka shkelur premtimet e saj për Rusinë.

“Rusia ngre pretendimin se NATO ka premtuar se kurrë nuk do të zgjerohet, se kurrë nuk do të vendosë infrastrukturën ushtarake në territorin e anëtarëve të rinj”, tha ambasadori Volker në një intervistë për shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës. “Moska mendon se NATO po kërcënon Rusinë dhe Rusia ka të drejtë të mbrojë veten dhe qytetarët e saj; Moska pretendon se në Ukrainë ka patur një grusht shteti dhe se NATO po e shtyn Ukrainën të anëtarësohet në aleancë dhe se Rusisë iu desh të ndërhyjë për të shpëtuar Ukrainën. E gjithë kjo është plotësisht e gabuar, krejtësisht e pavërtetë”, thotë ambasadori Volker.

Zoti Volker thotë se nëse NATO i lejon këto qëndrime të përhapen pa iu kundërgjigjur atyre me forcë,  ato do të krijonin përshtypjen se argumenti i Kremlinit qëndron.

Ambasadori Volker i bën thirrje NATO-n të mbajë një qëndrim të unifikuar dhe të hartojë një strategji të qartë ndaj Rusisë në takimin e lartë të Varshavës në korrik.

Rusia ndryshon ekuacionin

Mamuka Tsereteli, drejtor i Institutit të Azisë Qëndrore dhe Kaukazit, me qendër në Uashington, thotë se strategjia e Rusisë ndaj Perëndimit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Zoti Tsereteli i tha Zërit të Amerikës se “Rusia është duke u përpjekur për të ndryshuar arkitekturën evropiane të sigurisë. Në këtë mjedis të ri, Rusia do të donte që të kishte të drejtën e vetos në vendimin për çdo anëtarësim të ri në NATO, apo në Bashkimin Evropian. Kjo është shkelje e të drejtës sovrane të këtyre vendeve për ta përcaktuar vetë të ardhmen e tyre. Rusia është duke u përpjekur të bindë Perëndimin të pranojë këtë kërkesë”, tha zoti Tsereteli

Në vitin 1997, kur u nënshkrua Akti Themelues i marrëdhënieve midis NATO-s dhe Rusisë,  më 27 maj,  aleanca ra dakort që “në mjedisin e tanishëm dhe të parashikueshëm të sigurisë”, NATO do ta kryejë misionin e mbrojtjes kolektive duke përdorur infrastrukturën ushtarake ekzistuese, “pa shtuar ndjeshëm numrin e trupave të përhershme në bazat e saj”.

Që atëherë, mjedisi i sigurisë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Në vitin 2008, Rusia pushtoi Gjeorgjinë dhe njohu dy rajonet e saj – Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut – si shtete të pavarura. Në vitin 2015, Rusia aneksoi Krimenë. Kremlini ka mbështetur separatistët në Ukrainën lindore për më shumë se dy vjet. Përveç kësaj, Rusia ka shkelur shumë nga marrëveshjet e nënshkruara me Perëndimin, duke përfshirë Kartën e Parisit për një Evropë të Re, Dokumentin e Vjenës, Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë, Memorandumin e Budapestit dhe të tjera marrëveshje.

Ambasadori Volker thotë se është e rëndësishme për të shpjeguar se NATO është një aleancë mbrojtëse, që nuk kërcënon askënd dhe se zgjerimi i NATO-s është një proces i gjatë, në të cilën njerëzit e lirë në vendet e pavarura, punojnë së bashku për të ndërtuar sigurinë e tyre. Kjo nuk është një përpjekje e udhëhequr nga NATO për të fituar territore për të rrethuar Rusinë. Perëndimi, thotë ai, duhet të vazhdojë të shpjegojë dhe të diskutojë për këto çështje publikisht.

“Udhëheqësit tanë kanë prirjen t’u shmangen nga këtyre çështjeve”, tha ambasadori Volker. “Ata nuk duan të provokojnë një atmosferë konfrontuese me Rusinë, ndërsa Rusia duket se është mjaft e lumtur për të patur një atmosferë konfrontuese. Duke pranuar argumentin e Rusisë, ose duke mos e kundërshtuar në këtë pretendim, Rusia merr një pamje të besueshme në ato që thotë. Është shumë e rëndësishme për udhëheqësit perëndimorë që t’i përgjigjen me shumë forcë këtij pretendimi të Kremlinit “, thotë ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker.

Takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Varshavës është planifikuar të mbahet më 8 dhe 9 korrik.

Please follow and like us: