Ismail Xhaferi: Janë dy Shqipëri
Janë dy Shqipëri,
Tash e disa vjet,
Njëra ireale,
Tjetra e vërtetë.
Janë dy Shqipëri,
A i keni parë?
Njëra luks e qejf,
Tjetra shpresat vrarë.
Janë dy Shqipëri
Ndaj më merr të qarët,
Njëra për të ndershmit,
Tjetra për kusarët.
Janë dy Shqipëri,
Që ndryshime kanë,
Një për deputetët,
Një për fukaranë.
Janë dy Shqipëri,
Që unë u qaj hallin,
Njëra që e vjedhin,
Tjetra që e tallin.
Janë dy Shqipëri
Që na kanë zhuritur
Një me miliarderë,
Një me të uritur.
Janë dy Shqipëri,
Ku na derdhen lotët,
Një për më të dobëtit,
Tjetra për të fortët.
Një e politikës
Që po na merr xhanin,
Që kërkojnë dieta,
Si të heqin dhjamin.
Njëra e atyre,
Që s’kanë bukë në magje,
Tjetra e atyre.
Që ndërtojnë pallate.
Njëra e fëmijëve,
Që braktisin shkollat,
Tjetra e gjyqtarëve,
Që “shënojnë golat”.
Një e burgaxhiut
Që vjedh ndonjë pulë,
Tjetra e ministrit,
Që vjedh se ka vulë.
Një e opozitës,
Që ka ngritur zënë,
Kur vjen në pushtet,
Harron çfarë ka thënë.
Janë dy Shqipëri,
Ku partitë e majta,
Janë bërë borgjeze,
Dhe super të djathta.
Janë dy Shqipëri,
Në dorë të të marrëve,
Një e patriotëve,
Një e tradhtarëve.
Janë dy Shqipëri,
Një pa bukë në darkë,
Tjetra plot me vila,
Në Lalëz e Farkë.
Janë dy Shqipëri.
Kushdo i shikon,
Njëra e marrë peng,
Tjetra që duron.
Janë dy Shqipëri,
Sic kanë qënë gjithmonë,
Një për shërbëtorët,
Tetra për pardonë./albspirit.com