Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: In memoriam, Martin Luther King!

Këtu në Shtetet e Bashkuara, muaji shkurt që sapo kaloi, çdo vit i kushtohet zyrtarisht historisë së afrikano-amerikanëve. Ngjarjeve dhe personave të dalluar të kësaj race që kanë bërë këtë histori, duke i kujtuar ata dhe veprat e tyre historike – që bënë historinë e afrikano-amerikanëve, me të gjitha të mirat e të këqiat e saj – me vuajtjet dhe diskriminimet ndaj tyre, por edhe me përparimet më vonë në fushën e të drejtave civile të qytetarëve me ngjyrë dhe sukseset e tyre në fusha të ndryshme të jetës, kulturës dhe historisë amerikane.

Historia e afrikano-amerikanëve konsiderohet tani si histori e pandarë e historisë së Amerikës, falë përpjekjeve të shumë prej afrikano-amerikanëve gjatë dekadave, për drejtësi, barazi raciale dhe të drejta civile. Me këtë rast po shënoj këtë muaj — kushtuar historisë së afrikano-amerikanëve me disa thënie për drejtësinë si domosdoshmëri për të siguruar të drejtat e barabarta për të gjithë dhe pa dallim — nga Martin Luther Kingu, ish-udhëheqësi i lëvizjes për të drejtat civile të afrikano-amerikanëve shekullin e kaluar, një lëvizje që më në fund çoi në ndryshime dramatike legjislative në jetën publike dhe politike për afrikano-amerikanët.

Martin Luther King – nga qëndrimi i një predikuesi protestan me një vizion dashurie domosdoshmërie morale për shoqërinë amerikane — bënte thirrje për drejtësi të vërtetë për të gjitha racat pa dallim, për reforma themelore në sistemin dhe ligjet mbi drejtësinë dhe për barazi para ligjit për të gjithë, duke i bërë apel ndërgjegjes morale të shumicës së amerikanëve të racës së bardhë, për reflektim.

Martin Luther King ishte i bindur se reformat serioze në drejtësi dhe ndryshimi i ligjeve për të cilat ai bënte thirrje, nuk mund të bëheshin në një vakum moral pa u përballur shumica e bardhë me historinë e kaluar dhe me trajtimin e tmershëm që çoi në shkeljen e të drejtave bazë të afrikano-amerikanëve, përfshirë skllavërinë – që mbetet ende një plagë e rëndë kjo, trashëgimia e të cilët ka lënë gjurmë që diktohen edhe sot në historinë moderne amerikane. Martin Luther King ishte protagonisti kryesor i këtyre ndryshimeve të mëdha në historinë e Amerikës, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Në kujtim të muajit shkurt, dedikuar historisë afrikano-amerikane, ja disa citime nga Martin Luther King, një udhëheqës frymëzues ky i përqafimit të vlerave morale, jo vetëm për ne këtu në Amerikë por për mbarë botën — njëri prej emërave më të njohur dhe më me influencë në komunitetin afrikano-amerikan dhe në mbarë historinë e Shteteve të Bashkuara:

  1. Heshtja e njerëzve të mirë është më e rrezikshme se brutaliteti i njerëzve të këqij.
  2. Vjen një kohë kur heshtja (ndaj të keqes) është tradhëti
  3. Të injorosh të keqen do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor i saj.
  4. Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë gjithkund.
  5. Koha është kurdoherë e përshtatshme për të bërë atë që është e drejtë.
  6. Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar.
  7. Pa drejtësi nuk mund të ketë as paqe.
  8. Jeta jonë fillon të përfundojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi.
  9. Errësira nuk mund ta zhduk errësirën. Vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund t’a zhdukë urrejtjen– vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.
  10. Askush nuk ka të drejtë të shuaj ëndërrat tua.
  11. Asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe budallallëku i ndërgjegjes.
  12. Kam vendosur të qëndroj me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.
  13. Pyetja më këmbëngulëse dhe më urgjente e jetës është: ‘Çfarë po bën ti për të tjerët?
  14. Paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit, paqja e vërtetë është ekzistenca dhe vendosja e drejtësisë për të gjithë njerëzit.
  15. Nuk mund të kesh asnjë ndikim mbi ata ndaj të cilëve ke urrejtje.
  16. Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër ose të zhdukemi së bashku si budallenj.
  17. në nuk jam i interesuar në pushtet për hir të pushtetit, por jam i interesuar për pushtet që është i moralshëm, një pushtet që është i drejtë dhe i mirë.

Thënje nga ish-udhëheqi i Lëvizjes për të Drejtat Civile, priftit protesan amerikan, Martin Luther King me rastin e muajit kushtuar historisë afrikano-amerikane,

Please follow and like us: