Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Inxh. Luan Pogaçi: Kush e përgjonte Mehmet Shehun?

Unë që e tregoj këtë histori jam një person që kam qenë shumë pranë ngjarjeve që kanë ndodhur para 40 vjetësh dhe dua të paraqes atë të vërtetë ashtu si ka ndodhur. Unë, Luan Pogaçi, kam mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranës, Dega Elektrike e rrymave të dobëta në vitet 1961-1965. Në vitet 1959-1961 kam qenë student në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Elektronike për Marinën në Leningrad  në Bashkimin Sovjetik. Kam punuar fillimisht në disa njësi të Ministrisë së Mbrojtjes si inxhinier për ndërlidhjen dhe në byronë e projektimeve. Në muajin tetor 1978 fillova punë në Drejtorinë e Sigurimit të Udhëheqjes si inxhinier për sigurinë e ndërlidhjes deri në vitin 1982 nga kjo kohë e deri në vitin 1991 jam emëruar njëkohësisht shef i shërbimit të informacionit në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes.

***

Këto që do të tregoj në vijim janë plotësisht të vërteta dhe unë do t’i dëshmoj për herë të parë ashtu si kanë ndodhur, për të mos u lënë shteg spekulimeve të njerëzve që i kanë me të dëgjuar, apo që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të indoktrinuar. Besoj se kjo është rruga më e mirë për

Te gjithë që kanë patur pak dijeni të shkruajnë për jetën dhe në veçanti për aktin e vetëvrasjes së tij, pra të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. Të gjithë shtrojnë pyetjen normale: Kush kërkonte eliminimin e tij fizik dhe si ja arritën këtij qëllimi?

Më  poshtë unë po paraqes disa nga shkaqet dhe zhvillimin e ngjarjeve në dy vitet  e fundit të jetës së tij për të cilat unë kam dijeni nisur nga funksioni zyrtar që kam patur në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes.

Me Kryeministrin Mehmet Shehun kam patur shumë pak kontakte personale dhe ato vetëm në funksion të shërbimit. Megjithatë unë thuajse gjithmonë kam qenë me grupin e tij të shoqërimit duke siguruar ndërlidhjen e nevojshme për drejtim si për kohë paqe ashtu dhe për kohë lufte. Njëkohësisht, edhe kur shkonte për gjah ose për peshkim, si dhe gjithmonë në rastet kur kishte aktivitete si kryeministër në rrethe. Vetëkuptohet jo në ato raste kur në të njëjtën kohë lëvizte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha, apo kishte aktivitete në Tiranë apo në rrethe dhe unë do të merresha direkt me masat e përforcuara për një ndërlidhje të gjithanshme të saktë dhe të plotë si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

***

Por të kthehemi te Kryeministri. Ai dilte shpesh për gjah në fundjavë dhe kryesisht për gjuetinë e derrit të egër dhe pothuajse gjithmonë i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu. Zakonisht zonat e gjuetisë qenë në Ksamil (Sarande), Funarë (Elbasan), Velipojë etj, (në këto rezervate hidhnin shpesh ushqime për derrat që të mos largoheshin) ndërsa Ministri i Brendshëm shpesh gjuante dhe në Radat (Gjirokastër) afër  kufirit me Greqinë ku gjuante bashkarisht me një grup gjuetarësh nga zona e Kardhiqit me gjahtarë  kryesorë Ali Daci nga Zenelajt dhe Ismet Guçe nga Picari i Gjirokastrës

Më kujtohet njëherë, në Dhjetor 1979, Mehmet Shehu me Kadri Hazbiun shkuan për gjuetinë e derrit ne Ksamil pasi kishte ardhur informacioni se derrat ishin shtuar aq shumë sa ishin futur dhe ne qytet dhe hanin në kazanët e plehrave. Dy udhëheqësit u akomoduan tek shtëpia e pritjes në dalje te Sarandës qe ishte nder më të mirat në Shqipëri, ndërsa shërbimet e tjera shoqëruese u  strehuan në Turizmin e Sarandës i cili kishte pak kohë që ishte ndërtuar dhe ishte mjaft komod. Qe ditë e shtunë në mbrëmje dhe ata vranë 4 derra të egër, ndërsa një derr i plagosur u fut me not në  liqenin e Butrintit ku  e vrau me lopatën e varkës qe mori për këtë qëllim, kryetari i degës së shoqërimit në Drejtorinë e Dytë V. Kolaneci.

Kur u kthyen, vetë Kryeministri urdhëroi që mishi i i dy derrave tu shpërndahej gjithë shërbimeve pjesëmarrëse, ndërsa një derr e nisi direkt për në Tiranë që te bëhej sallam për t’ia dërguar djalit, Skënderit, në Suedi ku studionte për Inxhinieri. Dy derra i mbajtën për vete dhe për shokë të tjerë të udhëheqjes.

***

Vitet e fundit Kryeministri e kishte forcuar shumë pushtetin e tij. Në prill 1980 emërohet Ministër i Mbrojtjes Kadri Hazbiu i supozuar si njeriu më i afërt i tij. U emërua Ministër i Brendshëm Feçor Shehu, kushëri i tij, por si gjithmonë Ministri i Mbrojtjes kishte në patronazh Ministrinë e Brendshme. U shtua shumë grupi i mbrojtjes personale të tij (quhej Grupi i Dytë i Shoqërimit) ku secili prej oficerëve shoqërues kishte detyra të veçanta dhe te përcaktuara mire. Kryetari i grupit, Ali Çeno, qe një oficer i fuqishëm, mjaft i përgatitur ushtarakisht, kishte bërë shkollën e zbulimit dhe parashutizmit në Zallherr. Oficerët e tjerë ishin të gjithë ushtarakë që kishin përfunduar shkollë për këtë qëllim dhe ishin shumë të përgatitur fizikisht dhe ushtarakisht. Unë në këtë grup kisha më shumë shoqëri me shoferin e Kryeministrit, Astrit Hitaj, nga Tepelena, i cili qe oficer, një profesionist shumë i mirë, ishte  pak ironik me ata që nuk pëlqente, po ashtu edhe me radistin e tij, M. Boni nga Luzati Tepelenës, të cilin unë e kisha në varësi dhe njëkohësisht unë e bëra nga nënoficer, me nje kurs të shkurtër, në oficer.

Në këtë kohë Mehmet Shehu kishte filluar të rriste influencën e tij si në aspektin e punës së ekzekutivit, por ashtu gradualisht dhe në atë të partisë. Servilat dhe arrivistat thuajse gjithmonë komunikonin e raportonin vetëm tek ai dhe këtë e shpjegonin me atë se nuk duam të  shqetësojmë shokun Enver se ka shumë punë dhe është pak pa qejf, por nën zë thonin se ai tashmë është i mbaruar dhe Mehmeti  do te jetë suksesori i tij. Bile edhe mjekët e grupit të Enver Hoxhës se bashku me ministrin raportonin tek ai për gjendjen shëndetësore të Enverit. Drejtoria e Dytë për efekte të shërbimet  të sigurisë të udhëheqjes raportonte dhe merrte udhëzime nga Hysni Kapua. Mbas vdekjes së Hysni Kapos ky shërbim varej nga Ramiz Alia dhe jo nga Kryeministri. Këto ishin bërë aq të hapura sa binin në sy.

Njëkohësisht ai rivalizoi plotësisht edhe në drejtim të kërkesave për sigurimin e tij, ndërsa vilat që ndërtoheshin për të dhe familjen ishin me moderne dhe krejt të reja.

Sic thamë me lartë, grupi i shoqërimit të tij u forcua shumë së fundmi dhe të gjithë oficerë me idividualitet të spikatur, të përgatitur ushtarakisht duke përfshire dhe një shifrant. Në ndryshim nga grupi i shoqërimit të Enver Hoxhës ku drejtuesit ishin me kapacitet intelektual të mirë, ndersa pjesa tjetër e grupit ishin thjesht për të qenë strikt në shërbim, të zgjedhur për besnikeri ndaj udhëheqësit, por jo shumë të përgatitur ushtarakisht, ku ligjin absolut e bënte kryetari i grupit Sulo Gradeci.

Kur në Drejtori bënim analizat e punës ishte bërë si normë që në fillim lavdëronim punën e mirë të  Grupit të Parë (të Enver Hoxhës), ndërsa vitin e fundit dhe vazhdim filluam gjithmonë e më shpesh të lavdëronim (të imponuar nga lartë) gjithmonë e më shpesh punën e Grupit të Dytë të sigurimit të M. Shehut. Po ashtu ky grup filloi gjithmonë e më shume të kërkonte privilegje në barazi me Grupin e Parë përsa i përket shërbimeve dhe trajtimeve.

Ne vitet 1980-1981 kishte filluar një periudhë “lulëzimi” në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për jetesë dhe për pushime të dy udhëheqësve kryesorë. Nisi rikonstruksioni apo ndërtimi nga e para të disa vilave dhe në dualitet të plotë, një për Enverin dhe një për Mehmetin, në Pogradec, në Durrës, në Vlorë, në Tiranë, në malin e Dajtit.  Në Tiranë dhe në Vlorë vilat për Enverin vetëm u rikonstruktuan (me porosi të tij që të mos bëheshin shpenzime te mëdha), ndërsa të Mehmetit u prishën komplet ato që qenë dhe u ndërtuan nga e para vila më  të mëdha më të bukura dhe me vendstrehime për vendkomandë të plotësuara me pajisjet e nevojshme për kohë lufte.

Dualiteti vazhdonte dhe më tej. Në analogji me Enverin, filloi botimi i veprave të Mehmet Shehut si dhe afishimi i thënieve te tij, citate të veçanta mbushnin muret, më shumë në ambientet ushtarake.

Gjatë verës Mehmet Shehu shkonte për pushime më shumë në plazhin e Durrësit ose në Malin e Dajtit. Në Durrës shkonte shpesh për peshkim me kallam ose me fushnje. Nga grupi i shoqërimit merrte me vete në varkë dy ose tre  oficerë shoqërues, ndërsa pjesa tjetër e grupit rrinte në breg.

Për të përmirësuar shërbimin e sigurimit të Kryeministrit në këtë aktivitet, unë e plotësova këtë shërbim me radio për lidhje direkte mes dy pjesëve të grupit te shoqërimit. Këto radio unë i mora nga Ministria e Mbrojtjes dhe qenë  radio  ‘708’ të prodhimit nga Kina që punonin në valë ultra të shkurtra dhe të përshtatshme për këtë punë (më vonë do të dilnin probleme për këto raadio).

Vetëkuptohet që për të gjitha ndërtimet apo rikonstruktimet e vilave të udhëheqies unë isha prezent që në projektim në Institutin e Ndërtimeve N. 1, ku bashkëpunoja për projektimin e pjesëve të ndërlidhjes dhe sinjalizimeve. Në veçanti kam qenë i aktivizuar për dy vilat e Kryeministrit në Tiranë (ku unë gjatë ndërtimit bëra dhe punën 1-mujore fizike qe ishte detyrim për administratën) dhe në Vlorë që e ndiqja në vazhdimësi.

Ishte viti 1981 në drejtori ndërmjet shokësh kishin filluar thashethemet, nga ato politike tek ato te fatit të njerëzve, për lidhjen e djalit të kryeministrit, Skënderit, me një volejbolliste shumë të bukur. Familja qe e gëzuar dhe në një rast, mbasi u morën vesh dy gratë, Nexhmija me Fiqretin, u bë një takim me dy familjet ku Enver Hoxha e uroi Skënderin për fejesën. Ne si shërbime të  Drejtorisë nuk reaguam duke e ditur biografinë e saj, pasi nuk qe detyra jonë, por as nuk na pyeti njeri.

Më vonë ngjarjet rrodhën çuditërisht ndryshe. Mbas disa kohësh Kryeministrit iu kërkua që të bënte ndarjen e djalit nga e fejuara pasi kjo vajzë nga ana biografike qe me probleme. Në fillim kjo u prit mjaft negativisht e në veçanti nga Skënderi, por presioni qe i madh. Edhe ne si shërbime e morëm vesh ngjarjen dhe filluam t’i ndjekim me ankth këto zhvillime, nga të cilat nuk pritej ndonjë gjë e mirë.

Në muajt në vazhdim Kryeministri filloi të vizitohej shpesh nga zemra dhe u shtrua disa herë në Klinikën Speciale të Udhëheqjes me këtë diagnozë. Të gjithë, ne si shërbime, u habitëm si mund t’i ndodhte kjo atij i cili qe një gjahtar i pa lodhur dhe ecte shumë ne këmbë, pra mendohej se qe mjaft i fuqishëm. Mesa dukej shqetësimi i tij ishte aq i madh sa po i dëmtonte shëndetin.

Ai kishte dy mjekë personalë që kujdeseshin në vazhdimësi për shëndetin e tij, profesionalisht shumë të mirë,  Dr. Milto Kostaqi dhe me vonë edhe Dr. Llesh Rroku, i cili qe i specializuar për zemrën. Këta ishin shumë të pranishëm pranë atij dhe familjes dhe kujdesesshin më së miri për shëndetin e tyre.

Për lëvizjet në funksion të shërbimit, por dhe të tjera, thuajse gjithmonë, mjekët përdornin makinat e shërbimit të Kryeministrit, po ashtu këto makina i përdornin dhe fëmijët e kryeministrit. Mbas këtyre ngjarjeve me djalin e kryeministrit, doktori i Kryeministrit tashmë filloi të kërkonte makinë për të lëvizur nga shërbimet e drejtorisë sonë. Unë një ditë e pyes Milton pse nuk përdor si gjithmonë makina të shërbimit tuaj dhe ai më thotë se së fundmi Kryeministri ua ka ndaluar kategorikisht si doktorëve dhe fëmijëve të përdorin makinat e tij të shërbimit. Kryeministri ka filluar të jetë shumë i shqetësuar, më thote doktori.

Gjatë kohës që vila e tij po ndërtohej Kryeministri banonte në një vilë tjetër mbrapa ndërtesës së ish-Bashkimeve Profesionale.

Duhet te ketë qenë muaji Maj 1981 kur më thërret në zyrë Zz.Ministri Xhule Ciraku dhe më thotë se është njoftuar nga Kryeministri se në telefonin e tij dëgjohen zëra të tjerë, prandaj i thotë shikoni se mos përgjohet kjo linjë.

Unë u alarmova shumë, pasi kjo qe një nga detyrat e mia më kryesore dhe mendova se dhe Enver Hoxha mund të kishte të njëjtin problem, por nuk pati reagime nga ai.

Unë kisha bërë kontrollin ditor, rutinë, të telefonave, por pas këtij njoftimi fillova përsëri menjëherë kontrollin e përgjithshëm të telefonave në të gjitha zyrat në Selinë e Komitetit Qendror, mbasdite ne zyrën e Kryeministrit në Kryeministri, në sallën e mbledhjeve të Komitetit Qendror, më pas kontrollova në centralin sekret dyshifror, i cili qe i instaluar në një dhomë të veçantë në bodrumin e Ministrisë së Brendshme dhe i mbyllur me çelës. Mbas këtij kontrolli shikova me teknikët kabllistë të PTT gjithë rrjetin e kabllove në Bllok dhe përgjatë bulevardit nga Ministria e Brendshme në bllok. Mbas këtij kontrolli nuk më rezultoi ndonjë gjë që të kishte ndërhyrje, përgjime apo linja paralele. Megjithatë nuk u mjaftova me kaq. Pasdite, kur kishte mbaruar orari zyrtar i kërkoj Kryetarit të Degës së Dytë të Ministrisë së Brendshme (Shtëpia me gjethe) që merrej me përgjimet të më dërgonte një person me aparaturë për të kontrolluar nëse kishte ndonjë lloj përgjimi në ambientet e udhëheqjes. Fillova përsëri nga e para kontrollin ne të gjitha ambientet e KQ, përfshirë zyrën e Sekretarit te Parë të Komitetit Qendror, Enver Hoxhës, si dhe në Kryeministri në zyrën e Kryeministrit Mehmet Shehu dhe përsëri nuk konstatuam të kishte përgjim. Unë isha i  bindur që nuk kishte përgjim, por siç do të  rezultojë me vonë e kisha gabim. I raportova drejtorit tim, Zv Ministrit Xhule Çiraku, për gjithë punën dhe rrugën që kisha ndjekur si dhe konkluzionin përfundimtar timin./gazeta dita

Ekskluzive/Inxh. Luan Pogaçi: Kush e përgjonte Mehmet Shehun? (1)

Please follow and like us: