Poetja Irma Kurti vlerësohet me çmimin “LIRIA” nga Komuniteti Arbëresh në Itali
Irma Kurti nderohet me çmimin “LIRIA” nga Komuniteti Arbëresh në Itali në kuadër të Konferencës së organizuar online nga Shoqata Life si pjesë e Javës XVII të Veprimtarisë kundër Racizmit të UNAR (Zyrës Kombëtare kundër Diskriminimeve Racore). Kjo veprimtari u promovua nga Komuna e Milanos.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e Diskriminimit Racor të shpallur nga Kombet e Bashkuara pikërisht në 21 Mars, të ftuarit folën për anti-racizmin dhe pati diskutime nga Afrika e Jugut, Shtetet e Bashkuara, Nepali, Nigeria, Shqipëria, Etiopia dhe Italia. Aktiviteti vazhdoi me prezantimin e çmimeve kundër racizmit të dhëna nga institucione dhe komuna të ndryshme italiane.
Komuniteti Arbëresh, italo-shqiptarët e pranishëm në Itali për më shumë se 500 vjet, i akordoi poetes Irma Kurti ÇMIMIN ‘LIRIA’: “Fjala ‘LIRIA’ përfaqëson popullin Italo – Shqiptar, sepse komuniteti arbëresh është një shembull i vlefshëm historik që luftoi me vendosmëri të madhe, që mbrojti dhe rifitoi lirinë për një popull të tërë, i aftë për të përcjellë për pesë shekuj, brez pas brezi, një ndjenjë të fortë të përkatësisë me vendin e origjinës, Shqipërinë”.
“Ky çmim më lumturon pa masë, jo vetëm për rëndësinë historike dhe ngarkesën emocionale që mbart fjala liri, por edhe pse kur marr një vlerësim të tillë, unë kuptoj se puna ime si krijuese nuk është e mbyllur brenda katër mureve të një dhome dhe përpara një ekrani kompjuteri, por ajo arrin tek shumë njerëz, tek të gjithë ata që përpiqen çdo çast e çdo ditë ta shohin botën të çliruar nga konfliktet, paragjykimet, diskriminimet, të paqtë dhe plot harmoni”- thotë poetja Irma Kurti.