Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: Një letër pak politike vetes

Me njerëz të ndryshëm shpesh kemi folë vitet e fundit dhe jemi pajtuar se po qeveriset keq nga z. Rama dhe ekipi i tij jo profesional, jo përfaqësues dhe jo politik, se ka shume reklamë e pak punë, ka shumë presion dhe është rrit frika e njerëzve, është shtuar arroganca e shpërfillja zyrtare, është ndarë keq pasuria kombëtare e dhënë në PPP dhe shteti po heq dorë, qeveria Rama po zhvesh shtetin nga përgjegjësitë e tij jetike, nuk ka zhvillime thelbësore në favor të integrimit të vendit, nuk ka afrim real me Kosovën, nuk ka nxitje të të rinjve që të investohen e të ngrenë punët e bizneset e tyre në vend, ka punësime vetem për njerëzit e Partisë Socialiste e familjarët socialistë, të tjerët nuk i përfill askush dhe shteti për shumë qytetarë profesionistë e shkollarë është bërë njerkë e shtrigë, ka tendencë agresive dhe aspak vëmendje qeveritare për braktisjen e atdheut nga rinia, nuk ka vemendje për të pamundurin, ka shumë fjalime, pafund fjalime, i çohet një pako mashtruese me ushqime të pamundurit e votuesit socialist, por kjo nuk është ndihmë, është stimulim i kulturës së varfërisë e pranim i mjerimit si kulturë e pashmangshme që duhet pranuar në Shqipërinë tonë që gjithçka e ka të mirë, përvec qeverisë e drejtimit të saj që e ka të keqe e shumë të keqe.

Sot, pasi ndodhi e pabesueshmja, që qeveria Rama, me rekorde jo pozitive në dy mandate të saj, që nuk la gjurmë në jetën e historinë e vendit, kur pritej të shkonte në shtëpi, ajo rrëmben me vjedhje e manipulime mandatin e tretë politik dhe shumë njerez seriozë, jo sharlatanë rrjetesh e ekranesh, që u ka peshë fjala publike, heshtin. Ndoshta është heshtje prej floriri. Kjo botë është ndërthurje interesash, të gjithë e dinë se bota rrotullohet, por si ka thënë ai i mençuri, kanë fëmijë… Partia Demoktratike që pritej të vinte në pushtet, nuk do ta ulte diellin në tokë, por do ta bënte pushtetin më njerëzor, do ta bënte më pak gënjeshtar e mashtrues, më pak arrogant e shpërfillës, do të ulte taksat, do ta lehtësonte komunikimin, do të rriste pagat se vetëm ajo në pushtet e ka bërë një gjë të tillë dhe do të ndërtonte ndonjë vepër madhore që ajo ka dhënë prova se i ndërton kur është në pushtet dhe do të shpëtonte vendi nga rrugët, portet e aeroportet në 3D me të cilat na neveriti z. Rama bashkë me retorikën banale. Dhe do ta realizonte rrotacionin politik që është domosdoshmëri në pluralizëm.

Nuk duhen shumë mend e mund i madh se edhe lopa e kupton se qeveria i vodhi zgjedhjet, e rëndoi dorën në plaçkë. Po krijohet një klimë e pështirë, në vend që të kriijohet opinion refuzues kundër qeverisë hajdute të votës, po investohet nga qeveria e levat e saj krijimi i një oponioni luftarak e mbytës kundër PD e kryetarit të saj Lulzim Basha, sikur nuk ka faj hajduti, qeveria, por opozita pse u vodhën zgjedhjet, pse u bënë mijëra e mijëra fletë votimi të pavlefshme nga komisionerët.

Akuzohet opozita se nuk i mbrojti votat. Opozita nuk e ka detyrë kushtetuese të ruajë dhe as të zhvillojë zgjedhjet, eshte detyrë e qeverisë organizimi e ruajtja e zgjedhjeve pasi opozita nuk ka ushtri dhe as nuk bën luftë as nuk e zëvendëson para zgjedhjeve qeverinë në detyrën e saj kushtetuese, organizimin e ruajtjen e zgjedhjeve. Qeveria prishi rregullat e lojës në mes të lojës me arrogancë që nuk e ndalën dot as ambasadat që trysnojnë ato që u binden dhe u puthin dorën atyre që nuk u binden.

Qeveria krijoi opozitën e vet dhe me veprimet e saj të dhunshme e shmangu dhe deridiku e përçau opozitën e vërtetë. Partitë e reja dhe opozitën që krijoi qeveria Rama para zgjedhjeve, i përdori si perzervativë dhe i hodhi në koshin e mbeturinave tani pas zgjedhjeve si gjë krejt të pavlerë. Opozita që krijoi qeveria i bëri një dëm të konsiderueshëm opozitës reale se në krye të saj u vunë njerëz mosmirënjohës që ndër vite demokratët u kanë bërë ndere e u kanë dhënë shumë pushtet, të cilin ata mjerisht e paskan konsideruar si meritë të tyre.

Sot ata që i bënë atentat Partisë Demokratike me partizat e klubet e tyre shkojnë kokëulur drejt piedestalit të turpit dhe hynë në histori si mosmirënjohës. Ende pa u larguar pluhuri i betejës elektorale, pa u numëruar mirë vota, individë e grupe të ndryshme demokratësh u hodhën kundër ‘viktimës’ PD dhe kryetarit Basha dhe i kërkuan të dorëhiqej menjëherë, pa pritur asnjë shpjegim, pa gjykuar dhunuesin e xhelatin e zgjedhjeve. Pa u bërë një mbledhje, një analizë, një gjykim, një shpjegim. Fajtor është vetëm i munduri, i dobëti, i agresuari, dhunuesi nuk ka faj asnjëherë. Me këtë filozofi ish-pushtetarë të PD kryesisht qejfprishur dhe jo luftëtarë politikë të spikatur, njerëz që nuk djersiten në fushatë, që nuk u panë as ekraneve e as shesheve, që politikën e dinë vetëm në Fb e jo tek votuesi e anëtari i papërfillur e i pabegenisur i PD, por edhe demokratë të spikatur e qendrestarë që i kanë qendruar besnikë PD, kërkojnë të ikë Basha menjëherë.

Po a duhet të largohet Basha jashtë institucioneve të partisë apo në institucione, a duhet ta paraqes partinë si grupim njerëzish të rrugëve apo si institucion, a duhet dëgjuar të flas edhe Basha se ndoshta ka ndonjë shpjegim të arsyeshëm edhe ai në mbrojtje të vetes mund të drejtojë ndaj ndokujt gishtin e t’i thotë për bashkëpunimet që ndokush ka bërë me pozitën në zgjedhje, pasi Basha si cdo kryetar ka më shumë mundësi informacionesh nga shumë burime se kryetarëve u shkojnë dhe shumë letra e mesazhe dashurie nga njerëzit që i kërkojnë ndere, perkrahje e grada.

Basha, gjithmonë sipas mendimit tim personal, duhet të mbledh institucionet e të vendoset në institucione për fatin e tij dhe fatin e atyre që partinë e duan vetëm kur u jep poste dhe nuk e duan nëse nuk u jep poste dhe në institucione të vendoset cfarë do bëhet. Basha tha se ‘beteja vazhdon’. Natyrisht dua të ndodh kështu, dua që të mos heshtet asnjë ditë, asnjë orë, asnjë çast. Beteja duhet bërë kudo, por betejat në institucione janë më të domosdoshme dhe nuk duhet kurrë më ta nxjerrin PD në udhë sepse nuk është parti udhësh, është partia që ka themeluar shtetin pluralist e demokratik. Beteja duhet të jetë profesionale në institucione kombëtare e ndërkombëtare. Por institucioni shesh nuk duhet të rrijë i shkretë.

Lulzim Basha ka mund të nxjerrë në shesh mbi 100 mijë njerëz. Për demokracinë e pluralizmin politik kundër diktaturës e instalimit të njëshave kam shpresë se dalin në shesh përsëri, por askush nuk duhet ftuar në shesh për shetitje e ajër të pastër, as për dhunë e vandalizma, por duhet ftuar në shesh për t’i thënë qeverisë ndal, lëshoji në tokë votat e vjedhura dhe ajo duhet t’i lëshojë në tokë votat e vjedhura që të mos i priten duart. Ky është sheshi e misioni i institucionit, sheshi krahas betejave ligjore të pakompromis në institucione me njerëz kopetentë, jo me opozitarë të emëruar nga qeveria.

Please follow and like us: