Irma Kurti: Një ditë gri dhe loja e ngjyrave
Sot qielli ishte gri dhe kjo për gjendjen time shpirtërore do të thotë melankoli, mall, mungesë për njerëzit që nuk mund t’i kem më pranë për t’u bërë edhe njëherë pjesë e përqafimit të tyre, ashtu si dikur. Por kjo nuk më pengoi që të bëj shëtitjen e zakonshme në park, atje ku falem shpesh kohët e fundit. Nuk kisha marrë çadër, por vetëm syzet e diellit; kushedi pse më pëlqen që ta shoh botën gjithnjë përmes tyre.
Kur filluan pikat e para të shiut, unë nuk e nxitova hapin për të mos u lagur, nuk vrapova, por u ula në një stol dhe e drejtova fytyrën nga qielli për të mos humbur asnjë pikë shiu.
Im atë i adhuronte parqet dhe kur shëtis në to çdo ditë, për t’u arratisur nga mendimet që shpesh më mbajnë peng në shtëpi, kur ulem në një stol dhe vështroj spektaklin që më dhurojnë retë, më duket sikur jam pranë tij, ja, do të zgjas dorën dhe do ta prek. Më ngjan se ai më sheh pas një reje të bardhë puplore ose pas një lëkundjeje peme. Mundohem t’i shikoj gjërat me sytë e tij, të adhuroj pulëbardhat që rrëshqasin lehtë mbi ujë, të shikoj shatërvanin që hedh pikla në ajër, të cilat era i sjell deri deri tek unë. Dhe mendimet e zymta veniten.
Ka javë që Lombardia është zonë e kuqe, që do të thotë që baret dhe restorantet janë mbyllur, që nuk mund të udhëtosh drejt zonave të tjera apo të largohesh nga shtëpia pa arsye të forta. Kurrë ngjyrat nuk kanë patur këtë simbolikë si sot dhe ndërrimi i tyrë në portokalli apo në të verdhë, sipas situatës ku jetojmë, duket rëndom si një lojë.
Sa shoqe e shokë që nuk i takojmë dot, sa vetmi të mbyllura brenda katër mureve, ku një kompjuter shpesh bëhet bëhet shpëtimi ynë!
Kemi dëgjuar aq shumë lajme të kobshme këtë vit që kapërcejnë kufijtë brenda një çasti dhe në të gjitha rastet, bashkë me dhembjen për të afërmit apo miqtë, të cilëve nuk kemi mundur t’u japim lamtumirën e fundit, kemi pyetur veten për të disatën herë: “Kur? Kur do të mbarojë ky makth?”
Më mungon aq shumë të ulem në bar me shoqe dhe të bisedoj pa fund siç më ndodhte në vendin tim, më mungon një përqafim me to, një shëtitje në rrugët e Tiranës dhe ato qeshje me zë të lartë e me lot që janë aq të rralla këtu!
Të gjitha këto rreshta nuk janë asgjë tjetër, veçse një meditim, pas një dite gri dhe me shi në qytetin tim, Bergamo.
27 mars 2021.
Please follow and like us: