Rifat Ismaili: NUK E DI SA HERË…
Nuk e di sa herë përmenda emrin tënd
Emrin tënd e vara në murin e kujtesës
Si një dry i vogël, ndryshkur, që zë pak vend
Kujtimi yt shkëlqen si një diamant i heshtjes.
Nuk di sa herë thirra rrugës së zbrazur
Ktheve një çast kokën dhe u bëre mjegull
Qielli u mbars nga sytë e tu të qashtër
Me flokët e tu që pas i shkojnë erës…
Zemra ime u thërmua pranë një guri atë çast
Një shkreptimë e papritur ndezi qiellin e përflakur
Kryqëzova duart dhe asgjë më nuk pashë
S’të pashë më ty, as yjet, as terrin e natës.
Please follow and like us: