Albspirit

Media/News/Publishing

Vaid Hyzoti: DHE TË VDESËSH ËSHTË E RËNDËSISHME

 

Përderisa loti të rrjedh në lindje,

Loti të përcjell dhe në ikje…

Dhe jeta mes lotësh-vetëm një rrëshqitje.

Dhe të vdesësh

Është e rëndësishme.

Dhe kur e di, e ndjen  këtë të vërtetë,

Kupton se ke patur jetë.

 

*

 

Ore e zemrës sime

Çdo mëngjes më nis  zile.

Jo për të shkuar në punë.

Ankohet se  nuk e mbaj të zgjuar,

Proteston e habitet

Si vallë  unë fle gjumë!

T’i  shuaj zilen

S’po gjej një buton,

Të ruaj sekretin,

Mos gruaja e dëgjon.

 

*

 

Dhe sytë i hedh pas dritares,

Ku ushtarakisht parkohen dhjetra makina.

S’më hyjnë në sy dhe  në është “Ferrari”,

Asnjë markë luksoze apo e thjështe

S’dua të jetë e imja.

Kërkoj makinën e funeralit me shandanë,

Apo makinën e plehrave…

Si nuk vijnë?

Ku janë?

Si vallë s’e ndjejnë, a punon urgjenca?

Sinjalet e zbehta

Vazhdon të më falë zemra…

 

*

 

Po gjumi më mund, më tërheq në krevat,

Më mbulon me ëndrra, ma çmall gjithë mallin.

Krejt  pa biletë më nis aq larg,

Papritur takoj nënën dhe babain.

Babai e kish lënë…paska nisur duhanin?

Nxjerr tym  nga goja, apo nga damarët,

Frymën po më zinte  një shtëllunge e kaltër!

E nëna më ledhaton fytyrën me gishta.

Bej t’i përqafoj, por krahët s’më hapen…

I zgjuar isha…

Vazhdoja të rrëshqisja…

Tek shtëpia e vjetër

Më hodhi mërzia…

Unë-krejt i vogël,

Vazhdoja të flija.

Ja, aty në bar,

Rrëzë kumbullës së madhe.

Kokën fshehur gjoksit,

Si të jem kunadhe.

Rrëzë kumbullës së ëmbël,

Që lulonte në pranverë.

Por vit pas viti

I thahej një degë.

Derisa u tha

Dhe e premë krejt.

Në trungun e saj mbiu

Një trëndafil i egër.

Ne prapë e quanin:

Kumbulla e vjetër.

Se ish aq e mirë,

La pas dhe emër…

Zgjas duart ta prek,

Ndjej therje në zemër!

 

*

Kthehem në krah tjetër,

Gjumë si në përralla:

Ime bijë-nuse,

Krejt në të bardha.

Gjindja e mban frymën,

Verbohen magjitë.

Dielli rend të fshihet,

Veç vajza bën dritë.

Hedh sytë rreth e qark,

Të kërkoj vëllanë.

E pyet me shenjë:

A e pe babanë?

Djali është i rritur,

Krejt mua më ngjan…

Unë nuk shfaqem dot

Edhe vajza qan!

 

*

 

Më zgjatet një dorë të më ledhatojë.

E njoha, u tremba: si erdhi nga larg.

Zgjatem dhe unë ta  prek në flokë,

O paskan ardhur veç duart e saj.

Një ledhatim për puthjen e padhënë,

Një ndjesë për dashurinë e pafaj…

Dhe përjetësisht

U ndamë pastaj…

 

*

 

Më zgjon një zhurmë, o sa trafik,

Zemra-motor,

Krevati- makinë.

E njoh këtë zë-është doktor.

Vallë pse nguron të më japë ndihmë?

E shqyj kanotieren

I tregoj gjoksin.

Mbi portofol

Më vë stetoskopin.

Dhe dridhet, sëmuret,

Ethet e zënë…

Unë qesh me të

Dhe me fatin e dhënë…

Se s’dua ilaçe,

Veç një dorë njeriu.

Medet! U sëmur,

Si shtatore ngriu!

 

*

 

Unë shkyhem së qeshuri, sa më tunden brinjët,

Si mbrëmjeve në lulishte, në birrë a në kafe,

Kur si çapkënë përvidhnim vështrimin

Në ballkonin ku bashkë rrinin dy polake.

Çdo ditë falnin virgjërinë me pagesë,

Çdo  mbrëmje ndenin çarcafet në tel.

O ata çarçafë flladit pëshpërinin,

Thua se dëshirat tona na i dinin.

Tundeshin nga të qeshurat çarcafët e bardhë,

Që sot po më ngjajne me qefinin…

Dhe vazhdoj të qeshurën ta çoj gjer tek retë,

Por alarmi i zemrës:

Ora pesë pa dhjetë!

 

*

 

Në këmbë brof, zemrës t’i bëj gjyqin.

Dua akrepat t’ia bëj copë.

Ajo-kokëmushkë s’e ndal alarmin,

Të më mbajë në jetë ngulmon.

Jetën që aq shumë e lodha,

Përqesha botën,

Talla vetveten.

Tani e rëndësishme është të shkoj,

Dua të ngjasoj me kumbullën e vjetër.

(Ndonëse nuk arrita të shkruaj më të mirën vepër).

Të linja  dhe unë për pak kohë një emër!

 

*

 

S’më duhet më zemra, as zilja e saj,

Veç ikja tani për mua ka vlerë:

Qoftë dhe për të qenë  një fillim përrallë:

Na ishte dikush,

Që jetoi njëherë…

Please follow and like us: