Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: ETIKA DHE PUSHTETI (3)

Shumë filozofë e thonë se dëshira për pushtet është vetësi e njeriut – Platoni, Machiavelli, Hobbes, Adler, Russell, etj. Disa prej tyre madje e ngrenë nevojën për pushtet në nivelin e epshit. Në një nga shkrimet e tij të vitit 1928, Adler thekson se është një mashtrim i madh nëse besojmë se pushteti helmohet vetëm nga epshi i individit. Edhe masat drejtohet nga i njëjti epsh dhe në këtë rast efekti shkatërrues i pushtetit është shumë më i madh, pasi në psikikën e masave ndjesia e përgjegjësisë personale zvogëlohet ndjeshëm.
Zelli, epshi i njeriut për pushtet mund të jetë i natyrshëm, thotë B. Russell, por është gjithashtu i ndryshëm. Disa njerëz e shohin pushtetin si një mjet për të arritur një qëllim. Të tjerët e duan pushtetin si qëllim në vetvete dhe qëllimet e tjera ia nënshtrojnë arritjes së pushtetit.
A mund të moralizohet pushteti?
Ekziston një shteg për këtë. Por zelli, dëshira për pushtet duhet të plotësojë të paktën tre kushte. Së pari, pushteti duhet të shërbejë si një mjet për të arritur një qëllim shoqëror dhe të mos jetë qëllim në vetvete; së dyti, pushteti duhet t’i shërbejë një qëllimi i cili, në përgjithësi, është në harmoni me dëshirat e njerëzve të tjerë nëse qëllimi arrihet.
Ekziston një kusht i tretë, jo i lehtë për t’u përmbushur. Mjetet për të arritur qëllimin nuk duhet të jenë të tilla që të kenë efekte anësore më të mëdha sesa qëllimi përfundimtar që duhet të arrihet. Ky kusht është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e Machiavellit, i cili predikonte dhunën, forcën si mjet thelbësor të pushtetit. Ai thoshte se… sa më të dhunshme të jenë mjetet, aq më “i virtytshëm”, aq më “burrëror” është pushteti … Russell e hedh poshtë këtë qëndrim të filozofit italian. Për filozofin anglez, dhuna dhe padrejtësia prodhojnë dhunë dhe padrejtësi, si ndaj atyre që i shkaktojnë ato, ashtu edhe ndaj viktimave të tyre. Dhuna është shumë e rrezikshme dhe se kur përdoret me bollëk, çdo qëllim i mirë fillestar ka të ngjarë të humbasë vlerën e tij. Dikush që drejtohet nga një doktrinë etike vështirë se mund të përballojë të ndikohet nga diçka tjetër, sepse, nëse e bën, ai/ajo është i detyruar të gënjejë me vetëdije në kurriz të virtytit.
Prandaj, sipas Russell, qëllimi përfundimtar i atyre që janë në pushtet duhet të jetë promovimi i bashkëpunimit shoqëror, jo ndërzimi i urrejtjes së një grupi politik kundër një tjetri. Pengesa kryesore e këtij promovimi është ekzistenca e ndjenjave të armiqësisë midis grupeve politike, si dhe dëshira për supremaci ndaj tjetrit. Ndjenjat e tilla mund të zvogëlohen ose drejtpërdrejt duke futur elementin etik në politikë, ose indirekt duke hequr rrethanat politike dhe ekonomike që aktualisht i stimulojnë ato. Ajo që i duhet më shumë një shoqërie është moralizimi i politikës, jo politizimi i etikës dhe moralit.
Shkrimin dua të përfundoj me disa mendime tjera të filozofit Adler mbi pushtetin. Ai thoshte se ndjekja e pushtetit personal është një mashtrim katastrofik që helmon jetën e njeriut. Kushdo që synon të përmirësojë jetën e njerëzve duhet të heqë dorë nga epshi i dominimit mbi të tjerët. Vetëm një gjë mund të na shpëtojë: mosbesimi ndaj çdo forme të dominimit. Pushteti më i mirë mbështetet në bindje…
Please follow and like us: