Albspirit

Media/News/Publishing

Me ëndje e kujtoj…

 

Me ëndje e kujtoj tani une dritën tënde

e bukur ish ajo plot afsh edhe plot zjarr

mbas kater heresh i lehte ishte shpirti

tash  rri si i humbur kam për ty veç mall.

 

Ti vije aq nga larg dhe po aq larg ikje

siç bënte dielli në lindje e perëndim

si komete qiejsh e panjohur ti ishe

feksje, mrekulloje, pastaj shpejt mërgim.

 

Qeshje dhe heshtje me mishin e bardhë

thithje aq afsh duke dhuruar ti veç dritë

mbi qytetin e bardhë dielli ah veç lindte.

Ç’abone përjetësie do te ishe ti një ditë.

 

Asgje më e bukur se dashuria s’është

ku porsi një fëmijë gëzon shpirt i gjorë

Me emrin e saj edhe yjet në qiell lëvizin

me emrin e saj tërë bota seç bie prore.

 

U deshem kodrave shpesh edhe heshtur

Mbi barin e gjelbër si dy njëzetvjeçarë

kthej kokën plot me mall at çast tek kujtoj

ai çast që me nuk vjen. Do kemi veç mall.

 

Ndaj kujtoj tani unë ato buzët e tua

Që thithnin lëng dhe falnin aq dritë

flutura e ëmbël ishte veç për mua

gjokset e bardhë ah ishin veç të mitë.

 

Ti jepeshe pa naze si anije e dehur

Mbas cdo orgazme rilindnim ne si Krisht

Sa ëndërra lulëzonin mbi trupin tënd bardhë

Ku zgjohej fort uria. Bëhej fare e mishtë.

 

Trupi yt i bardhë ish ushqim për mua

Tempull me aq dritë ku përgjërohesha unë

Nuk doja të ta thoja as atë fjalën të dua

Mbylleshim në shtrat gjithmon kishim punë.

 

Ti jepeshe pa naze si tokë fare e etur

Që shiun e parë me aq padurim e pret

Ku shkuan ato ëndërra ti ku fluturove?

Gjithë ajo lumturi. Ku shkoi? Ku u tret?

Anonim

Please follow and like us: